U-21, Bushi: Në Irlandë dhe Islandë të luajmë me zemër

Më 31 gusht transferta kundër Irlandës së Veriut në “Mourneview Park” të Lurgan dhe 4 ditë më pas një tjetër ndeshje e vështirë në Islandë kundër nordikëve në Reykjavik. Fundi i muajit të ardhshëm dhe fillimi i shtatorit do të jetë i zjarrtë për 21-vjeçarët e Alban Bushit që do të luajnë dy sfida vendimtare për eliminatoret e Euro 2019. “Pushimet janë shumë pak, por nuk mendojmë për pushimet, por për lojtarët sepse më 31 gusht nuk kanë ndeshje kampionati dhe nuk mund të jenë në gjendjen e tyre optimale”, tha Bushi.
Barazimi me Estoninë në sfidën e parë eliminatore të grupit 2 rezultoi një ndeshje e pafat për kuqezinjtë, por Bushi kërkon nga skuadra që të tregojë të njëjtin shpirt gare në fushë edhe për dy ndeshjet e radhës. “Futbolli është i çuditshëm, por unë jam i kënaqur nëse do të luajmë si me Estoninë. Nëse luajmë keq dhe pa dëshirë atëherë është një problem i madh”, tha ai.

Exit mobile version