U akuzuan si sabotues e armiq të popullit! Si nisi masakra komuniste kundër klerit me 4 mars 1946! Ja urdhri i Enver Hoxhës

Më 4 mars 1946 nisi masakra komuniste ndaj klerit në Shqipëri. Atë ditë u pushkatuan në Shkodër, pranë varrezave të qytetit: Atë Gjovanni Fausti e Atë Daniel Dajani, së bashku me nxënësin Mark Çuni, atë Gjon Shllaku ofm, Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashi.

 

Të gjithë këta martirë, së bashku me 32 martirë tjerë të kishës katolike shqiptare, janë shpallur të Lumë nga Selia e Shenjtë, më 5 nëntor 2016, gjatë një kremtimi solemn në Katedralen e Shkodër. Gjashtë martirët e lartpërmendur, u akuzuan si sabotues e armiq të popullit, meqë ishin anëtarë të Shoqatës Bashkimi shqiptar, në të vërtetë u pushkatuan me urdhër të diktatorit famëkeq komunist Enver Hoxha vetëm pse besonin në Zotin e vetëm pse mbronin të drejtat themelore të popullit e të atdheut. Vrasja e këtyre martirëve ishte vetëm fillimi i rrugës së kalvarit, që përshkoi kleri e populli shqiptar gjatë regjimit komunist, kalvar që ngadhënjeu mbi errësirën dhe tmerret e përbindshme të diktaturës komuniste në Shqipëri. Komunistët shqiptarë me të shpejtë fillojnë të ndërtojnë Shtetin totalitar nëpërmjet eliminimit fizik apo dënimit me heqje të gjata të lirisë së kundërshtarëve të tyre politikë e kulturorë.

Tashmë jemi në mesin e luftës civile dhe në krejt vendin mbretëron terrori dhe frika. Qysh në nëntor të vitit 1944 shënohet, në fakt, në zonën e Kukësit vrasja e 36 personave të pafajshëm. Në dhjetor të po këtij viti në Shkodër arrestohet dhe torturohet egërsisht dom Lazër Shantoja, që në vitin 1939, duke mos iu bindur eprorëve të vet dhe për arsye politike kulturore, kishte pranuar të bëhej inspektor i Zyrës së shtypit dhe i propagandës së regjimit fashist okupator. Në janar të vitit 1945, në Tiranë, tetë të burgosur politikë vriten me gjakftohtësi në sheshin e Bashkisë përpara turmës së terrorizuar. Në janar të po atij viti arrestohen në Shkodër dom Ndre Zadeja dhe 10 krerë katolikë të malësive. Sipas dëshmisë së maestrit L. Rosa s.j., gjatë procesit me dyer të mbyllura të gjithë këta do të deklarojnë kundërvënien e tyre ndaj komunizmit si ideologji ateiste. Të gjithë do të pushkatohen më 25 mars të po atij viti, nën akuzën se kishin bashkëpunuar me Ballin Kombëtar.

TORTURAT

Në burg komunistët u vërsulën në mënyrë të veçantë kundër nismëtarit të Bashkimit Shqiptar, të cilin e torturojnë në mënyrë çnjerëzore, siç dëshmon Gjovalin Zezaj, që e takon në burg: “Aty gjeta Mark Çunin që dergjej pa shtrojë e mbulojë i katandisur mos Zot më keq, nga njëra anë torturat, nga ana tjetër edhe krahun e thyer pa kurrfarë ndihme mjekësore. Krahun e thyer ia lidha me një peshqir që ndava përgjysmë, ndërsa plagët ishin të shumta e ku kisha mundësi ia freskoja me ujë”. Nëse Zezaj mohon një pranim të akuzave nga Çuni gjatë torturave, dom Ndoc Nogaj përkundrazi pohon se gjatë procesit-farsë publik të mëvonshëm: “Kam dëgjuar mjerisht, me veshët e mi, deponimet false të disa pjesëtarëve të grupit “Bashkimi Shqiptar” që deklaronin se Atë Gjon Fausti dhe Atë Danjel Dajani kishin pasur dijeni për ekzistencën dhe veprimtarinë e grupit në fjalë, deponime këto të bëra edhe nga Mark Çuni, Gjon Shllaku, Gjovalin Zeza, Luigj Kçira, Gjergj Bici, por të nxjerra sigurisht me forcën e torturave të tmerrshme”.

Më 24 dhjetor maestri L. Rosa mori një pusullë në të cilën jo vetëm pohohej ajo që tashmë dihej prej disa ditësh, domethënë torturat çnjerëzore të pësuara nga seminaristët e arrestuar, por edhe se objektivi eksplicit i këtyre torturave, ai i kompromentimit të drejtpërsëdrejti të Atë Faustit dhe të Atë Dajanit në çështjen e “Bashkimit Shqiptar”, deri tani nuk është arritur ende. Në këtë pusullë pohohej në fakt se seminaristët: “kanë mohuar prerazi; thonë: “nëse jezuitët do ta kishin ditur, do të na kishin dëbuar nga Seminari”. Tani për tani pra, ju nuk jeni në rrezik. Zhduke menjëherë këtë pusullë”.

Dhe jezuiti L. Rosa, nga ana tjetër, shton se “Atë L. Rosa ia dorëzon atë Dajanit, i cili ia tregon Atë Faustit dhe e zhduk”. Duke cituar një relacion të shkruar “falë pendës së një personazhi të rëndësishëm italian, i cili ishte shumë mirë në dijeni të gjërave që po ndodhnin atje poshtë”, por për fatkeqësi të panjohur për ne, Rosa mohon edhe çdo dorëzim të mëvonshëm të M. Çunit dhe të shokëve të tij, siç e ka mohuar më vonë edhe Atë A. Luli s.j.. Në çdo rast mbrëmjen e datës 31 dhjetor 1945, pas kthimit nga një ekskursion dhe pas këngës, Atë Dajani dhe Atë Fausti arrestohen dhe çohen në një shtëpi qytetare dykatëshe, që shërbente si burg. Kështu zbresin në atë ferr ku i kishin paraprirë ata seminaristë që, me mosdëgjesën e tyre, i kishin kompromentuar. Lajmi arriti deri në veshët e Çunit, i cili me siguri është tronditur thellësisht nga arrestimi i eprorëve të vet, ashtu siç lë të kuptohet qartë Zezaj kur shkruan se: “Me arrestimin e dy eprorëve Mark Çuni i harroi dhimbjet e trupit dhe krahun e thyer nga torturat e sadistëve. Atij i dukej se për këtë katastrofë kishte edhe ai njëfarë përgjegjësie”.

DËSHMITË

Për këtë nuk është e vështirë të përfytyrohet se pas arrestimit të eprorëve të vet fillon për Çunin një ecje e dhimbshme kthimi dhe pastrimi, e cila bëhet e mundshme nga një bashkësi e thellë shpirtërore dhe fizike me ta, të thirrur të paguajnë pasojat edhe të mosdëgjesës së tij. Falë kësaj ecjeje pastrimi dhe mbështetjes së tyre të mistershme, vuajtja fizike dhe morale e pësuar prej tij do ta bëjë patriotin Çuni, që në emër të një ideali politik antikomunist nuk kishte qenë i dëgjueshëm ndaj tyre duke u dhënë kështu komunistëve pretekstin aq të dëshiruar për të goditur kishën, një dëshmitar të krishtit dhe të dashurisë së tij ndaj të gjithëve, përfshi edhe komunistët.

Ai provoi në këtë mënyrë, në vetë mishin e vet, mosnjëjtësimin e fesë me atdheun, një mosnjëjtësim që binomi i njohur Fe e Atdhe, atëherë shumë i përhapur në rrethet katolike të Shkodrës, përkundrazi prirej ta bënte. Një pamje e shpejtë, por e ndritshme mbi bashkësinë e mistershme që tashmë lidh Çunin me eprorët e vet mund të kuptohet nga takimi që, falë bashkëpunimit të disa rojeve, Zezaj ka mundur të ketë në burg me atë Faustin: “Një ditë mora me vete në xhep dy portokallë e i përcjellur nga Fadili (roja) i dhurova Padër Faustit, por ai nuk i pranoi në asnjë mënyrë. “Jo bir”, – tha i, – “nuk t’i marr, ti ke nevojë të ushqehesh në këtë vend se je i ri”. Pastaj bëri një bisedë disa sekondash me mua ku më tha: “Lutju Zotit. Krishti vdiq për ne, dhe ne do t’i falim armiqtë tonë. Ai kur u kryqëzua tha: O Zot fali ata se nuk dijnë çka bëjnë”. U largova duke i puthur dorën e duke marrë bekimin e tij”. Natyrisht vetëm Hyji e di se si, gjatë atyre dy muajve të tmerrshëm që do të pasonin gjatë procesit, bashkësia mes Çunit dhe eprorëve të vet ka vepruar konkretisht në zemrat e secilit prej tyre, në mënyrë që të gjithë të mund të arrinin majën e dëshmisë së krishterë: dashurinë ndaj armikut. Në fund të procesit atë Dajani do të pohojë në çdo rast se:

“Pjesëmarrja e seminaristëve ka qenë kundra rregullave tona fetare. Mark Çuni, mbasi i kishin arrestuar shokët, erdhi tre ditë rresht duke më kërkuar leje për arratisje, unë nuk e lejova, sepse thashë nuk është ndonjë gjë me rëndësi, as masë nuk mora, sepse prita që të merrte fund puna e qeverisë dhe gjyqi, pastaj ne më vonë do të merrnim masat tona disiplinore”. Pas këtyre fjalëve Çuni, i cili mezi po mbahem në këmbët e veta për shkak të torturave, do të marrë mbi vete krejt përgjegjësinë e organizatës Bashkimi, duke kundërshtuar në mënyrë të veçantë çdo përfshirje të eprorëve të vet në këtë çështje. Burimi anonim i cituar nga L. Rosa na jep edhe një të dhënë tjetër rreth ditëve të procesit kur pohon: “Një hollësi shumë mallëngjyese na kujton diçka nga mundimet e Krishtit: duke kaluar nga burgu për në gjykatë Atë Fausti, në mënyrë të veçantë mes të gjithë të pandehurve, u poshtërua, u sha dhe u pështy. Dhe kjo u përsërit për disa ditë me radhë, deri sa zgjati procesi. I shkreti Atë Fausti… për shkak të shtrëngimit të prangave i kishte duart e fryra… Ndaj përqeshjeve, përshtypjeve, sharjeve, lot të mëdhenj binin mbi faqet e tija të pafajshme. Ishin lotët e Krishtit për Jerusalemin mosmirënjohës”.

Sipas disa dëshmive të cituara nga Guidetti, Atë Fausti, i cili i ka kaluar ditët e fundit në burg së bashku me Çunin: “E ka trajtuar sikur të mos kishte bërë asgjë; madje e ka falur, e ka dashur kaq shumë sa ka folur me të sikur të mos kishte ndodhur asgjë: nuk ia ka përmendur aspak atë punë. U jepte zemër shokëve të burgut që të ishin të fortë, si dhe ngushëllonte edhe seminaristin”. Dhe sipas dëshmisë së një partizani që e ruante, katër ditë para pushkatimit Atë Fausti “bënte shaka dhe ishte pothuajse i gëzuar, sikur të ishte ftuar në një festë”. Fryti përfundimtar i krejt kësaj drame do të shfaqet me qartësi në fjalët e fundit të të dënuarve, mëngjesin e datës 04 mars 1946, kur përpara skuadrës së pushkatimit Atë Fausti do të thotë: “Jam i kënaqur që po vdes në krye të detyrës sime. Rroftë Krishti Mbret”. Nga ana tjetër atë Dajani do të thotë në mënyrë eksplicite “I fali ata që më kanë ba keq” dhe po ashtu do të bëjë edhe Çuni “I fali të gjithë ata që më kanë gjykue, dënue si dhe ata që do të më ekzekutojnë”./Gazeta Panorama 

Artikulli paraprakJasir Asani turbullon Korenë, Guangjusë i bllokohet merkatoja nga FIFA
Artikulli tjetërPapa Leone i bën thirrje Izraelit të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës: Fëmijët po paguajnë çmimin e armiqësive