U arrestua bashkë me Ilir Beqajn, kush është financieri Ermal Kurtulaj? Lidhja mes tyre dhe përgjimet që fundosën ish-ministrin e Shëndetësisë për fondet SASPAC

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është arrestuar sot me urdhër të SPAK lidhur me abuzimet me fondet e SASPAC. Bashkë me Beqajn, në pranga kanë rënë dhe të tjerë, mes tyre dhe Ermal Kurtulaj.

Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se Ermal Kurtulaj është financieri i zotit Beqaj, i cili po ashtu ka firmosur shumë dokumente në emër të Beqajt

 “Ermal Kurtulaj, financieri i zotit Beqaj. Ai përdoret dhe automjetin e zotit Kurtulaj për t’u paraqitur në SPAK. Kurtulaj është personi që ka firmosur shumë dokumente në emër të Beqajt. Ndërkohë që nuk dihet ende identiteti i personit”, raporton gazetarja Klodiana Lala.

 

Por cila është lidhja e Ermal Kurtulaj me Ilir Beqajn?

“Gjatë hetimeve ka rezultuar se Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me ish-drejtuesin e Agjencisë (SASPAC) Ilir Beqaj, të cilat datojnë që në kohën kur ky i fundit ka qenë ortak i shoqërisë Intech+.

Duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikqyrës ka qenë vetë Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e kësaj agjencie, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.

Po ashtu rezulton se Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme si brenda dhe jashtë vendit një automjet, i cili rezulton të jetë në pronësi të Ermal Kurtulaj, duke ngritur dyshime se ky automjet mund të jetë pasuri e fshehur e ish-ministrit”, thuhet në dosje.

Përgjimet mes Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulajt

Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur dosjen hetimore, ku tregohet me detaje sesi hetuesit e SPAK ranë në gjurmët e bizneseve, ndërsa theksohet se ka qenë një gjobë makinë që ka “fundosur” ish ministrin e Shëndetësisë.

Por cila është lidhja e Ermal Kurtulaj me Ilir Beqajn? Dhe pse SPAK, ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se Kurtulaj është një prestanome i Beqaj në aktivitetet që ky i fundit ka në fushën e biznesit. Por, për të shkuar te kjo lidhje midis të dyve, pra drejtuesit të SASPAC, Ilir Beqaj dhe vartësit të tij brenda kësaj agjencie, në këtë rast Kurtulajt, SPAK i është dashur fillimisht të ndjekë makinën me të cilën ish-ministri i Shëndetësisë lëvizte së fundmi.

Automjet me të cilin Beqaj ishte paraqitur edhe në SPAK, edhe gjatë thirrjeve të tij, për t’u marrë në pyetje në lidhje me dy aferat ku mendohet se është përfshirë, atë të Sterilizimit dhe të Check Up-it. Nuhatje që mesa duket nuk doli edhe aq gabuar për hetuesit e SPAK. Të cilët shpejt kuptuan se pas makinës me të cilën Beqaj lëvizte, rrotulloheshin shumë interesa, të cilat ai vetë ishte përpjekur t’i mbante jashtë vëmendjes së ligjit. Siç ishte edhe fakti që makina në të vërtetë ishte në pronësi të Ermal Kurtulaj, njeriut të besuar të Ilir Beqaj, të cilin ky i fundit e përdorte si koperturë në aktivitetet e tij, më qëllim për të fshehur burimet e paligjshme të të ardhurave, që më pas ishin investuar në biznese të ndryshme.

“Gjatë hetimeve ka rezultuar se Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me ish-drejtuesin e Agjencisë (SASPAC) Ilir Beqaj, të cilat datojnë që në kohën kur ky i fundit ka qenë ortak i shoqërisë Intech+. Duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikqyrës ka qenë vetë Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e kësaj agjencie, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.  Po ashtu rezulton se Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme si brenda dhe jashtë vendit një automjet, i cili rezulton të jetë në pronësi të Ermal Kurtulaj, duke ngritur dyshime se ky automjet mund të jetë pasuri e fshehur e ish-ministrit”, thuhet në dosje.

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, automjeti me të cilin Beqaj është parë të lëvizë së fundmi, është blerë në shtator të vitit 2019, në kohën që ai vetë ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Automjet me të cilin Beqaj është parë shpesh të lëvizë edhe përgjatë vitit 2020, jashtë territorit të Shqipërisë, që në vazhdim ka ndryshuar targë, konkretisht më qershor të vitit 2022. Por ajo që do ta çonte SPAK drejt një investigimi më të hollësishëm, drejt këtij automjeti, që do të zbulonte më pas edhe marrëdhënien klienteliste që Ilir Beqaj kishte me Ermal Kurtulaj dhe do të nxirrte zbuluar bizneset që fshiheshin në emrin e të dyve, do të ishte pikërisht një gjobë. Këtë gjobë të cilën drejtuesi i automjetit me të cilin Beqaj lëvizte, e mori pikërisht për parkim të gabuar, në kohën që ish-ministri i Shëndetësisë ishte thirrur për t’u pyetur në SPAK, dhe pikërisht përpara kësaj godine dhe syve të vetë hetuesve, por edhe të medias së pranishme në atë moment, që dokumentuan ngjarjen. Pikërisht kjo makinë ‘Wolkswagen’ që shikoni edhe në foto. Që u bë pikënisja e një hetimi të ri, që dyshohet se mund të jetë një prej pasurive të shumta të fshehura nga ish-ministri Beqaj, që mund ta fundosë edhe njëherë atë vetë.

“Nga kqyrja në sistemin E-Gjoba rezulton se ky mjet ka marrë 3 gjoba ku i pranishëm ka qenë Arben Dani. Gjoba e fundit është vendosur më datë 12 Dhjetor 2023, në momentin kur automjetin e ka patur në përdorim Ilir Beqaj, dhe ishte parkuar para SPAK”, thuhet në dosje.

Pikërisht ndjekja e makinës dhe e aktivitetit të shoferit personal të Beqaj, çuan hetuesit edhe te disa nga bizneset, kryesisht në fushën e gastronomisë, të cilët më pas rezultuan se kishin krijuar fatura fiktive për llogari të SASPAC.

Një nga këto emra ishte edhe Gazmend Haxhia, në dukje administrator i shoqërisë ‘Landways International’, i cili del se ka lëshuar një faturë fiktive prej 149 mijë euro kundrejt Eusair, ku koordinator ishte Ermal Kurtulaj. Por që SPAK beson se në të vërtetë administrator i kësaj shoqërie është Ermal Kurtulaj dhe Ilir Beqaj.

“Më datë 16 Gusht 2023, kundrejt EUSAIR është lëshuar për shoqërinë tregtare, ‘Landways International’, me përshkrimin “Service contract-organization of the’ fatura 149 809 21 Euro.  Kjo shoqëri ka administrator shtetasin Gazmend Haxhia”, sqaron dosja.

Një tjetër shoqëri që del se ka lëshuar fatura fiktive është edhe ‘Albanian Food and Hospitality Lab’ që ka në pronësinë e saj edhe restorantin ‘Gzona’ dhe që ndodhet në ambientet e brendshme të Kalasë së Tiranës. “Lidhur mbi faturën e datës 16 Gusht 2023,  rezulton të jetë lëshuar disa minuta para se të lëshohet fatura tjetër kundrejt Eusair-it. Duke u krijuar dyshimi i arsyeshëm që paraprakisht palët kanë biseduar me njëri tjetrin dhe që shuma përbën përfitim material, korrupsion që shoqëria tregtare ‘Landways’ ka paguar ndaj ‘Gzonës’, për shërbimin që ajo ka përfituar për të kryer nga Eusair-i”, thuhet më tej në dosje.

Por pavarësisht se Ermal Kurtulaj del se është personi ndërlidhës midis këtyre bizneseve apo shoqatave dhe faturave fiktive të krijuara prej tyre, të lëshuara kundrejt Eusair, ku ai është koordinator, SPAK beson se pas emrit të Kurtulaj, fshihet shefi i tij në SASPAC, Ilir Beqaj. Dhe kjo bindje forcohet gjithmonë e më shumë pas vënies në përgjim të Kurtulaj dhe njerëzve që e rrethojnë.  Ku Kurtulaj edhe pse nuk është administrator i restorantit ‘Gzona’, sillet porsi të ishte i tillë.

“Nga bisedat e përgjuara del se Ermal Kurtulaj është i përfshirë në punët e restorantit. Ai interesohet vazhdimisht për mbarëvajtjen e këtij restoranti, duke vepruar si epror ndaj administratorit, Gazmend Prenga. Në ditët e fundit midis tyre ka disa komunikime, kohë që përkon dhe me mbylljen e bilancit vjetor, me rakordimet ndërmjet investimeve të kryera mbi këtë restorant përgjatë vitit si dhe me faturat e lëshuara për këtë restorant. Përfshi edhe ato të lëshuara në kuadër të veprimtarisë së projektit që Kurtulaj drejton. Po ashtu nga komunikimet e kryera dyshohet se Ermal Kurtulaj vepron në këtë restorant për llogari të shtetasit Ilir Beqaj”, thotë dosja.

SPAK ngre dyshime se njerëzit e Beqajt, bëjnë çdo përpjekje për të shmangur përfshirjen e drejtuesit te SASPAC…

“Këto dyshime ngrihen nga mënyra se si komunikohet dhe veprohet nga ana e këtyre subjekteve, duke shmangur çdo përfshirje të këtij shtetasi Ilir Beqaj si me administratorin ashtu me ortakët dhe duke i mbajtur komunikimet dhe rakordimet e takimeve nëpërmjet shtetasit Ermal Kurtalaj. Nga deklarimet vjetore rezulton se pas vitit 2020 shtetasi Ilir Beqaj nuk ka deklaruar interesa mbi këtë aktivitet”, vijon dosja.

Por skema e impilikimit të dyshuar të ish-ministrit Ilir Beqaj dhe njerëzve të tij të afërt, qoftë edhe familjarë të ngushtë, të përfodur për fshehjen e pasurive të përfituara në mënyra të paligjshme, duke shfrytëzuar postin e tij si zyrtar publik, duket të jetë edhe më e zhdërvjellët. Edhe pse shoqëritë e krijuara nga njerëzit pranë Beqaj, janë përpjekur kohë pas kohe të ndryshojnë ortakët, gjurmët e lëna në ekstraktet e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesve, të çojnë te vetë familja e Beqaj. Siç është edhe rasti i shoqërisë ‘Albanian Food and Hospitality’. Shoqëri e krijuar nga Adriana Beqaj, bashkëshortja e Ilir Beqaj, e cila del se ka lëshuar fatura fiktive kundrejt SASPAC, të drejtuar po nga nga Beqaj.

“Nga ekstrakti historik del se shoqëria tregtare ‘Albanian Food and Hospitality’ është themeluar në vitin 2019, ku më pas ortake ka qenë shtetasja Adriana Beqaj, bashkëshortja e shtetasit Ilir Beqaj, e cila ka patur 50 % të kuotave të shoqërisë. Më datë 1 Mars 2019, Adriana Beqaj ia ka dhuruar 35 % të kuotave të saj ortakut tjetër, Arti Malaj, i cili ka shkuar në 85 % të kuotave, ndërsa Adriana Beqaj në 15 %. Më datë 26 Shkurt 2020, Adriana Beqaj i ka shitur ortakut Arti Malaj edhe pjesën e mbetur prej 15 % të kuotës. Disa muaj më pas, më 12 Gusht 2021, Arti Malaj, ia ka shitur të gjitha kuotat shtetasit, Eduard Curraj”, sqaron dosja.

Por kërkimet e SPAK rreth këtyre personazheve nuk duket se u ndalën këtu.  Pasi nga hulumtimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, doli se Eduard Curraj, ishte edhe ortak pranë shoqërisë ‘Delta Holding’, që merret me shpërndarjen e prodhimeve farmaceutike.

“Nga kërkimi në QKB, rezulton se Eduard Curraj është ortak edhe pranë shoqërive: ‘Curri Group’ Sh.p.k, ‘Curri’ Sh.p.k; dhe ‘Delta Holding’.  Ku administrator i kësaj shoqërie rezulton të jetë Gazmend Prenga, i cili ka komunikime të shpeshta me Ermal Kurtulaj”.

Pra siç shikohet edhe në këtë kompani, dy njerëzit te të cilët rrotullohen punët janë Ermal Kurtulaj dhe Gazmend Prenga. Të njëjtët të cilët merren edhe me administrimin e restorantit ‘Gzona’ që del se ka lëshuar fatura fiktive për llogari të Eusair, të drejtuar nga Ermal Kurtulaj, në varësi të SASPAC, agjencisë me ekzekutues, Ilir Beqaj. Biseda që konkretizohen edhe nga përgjimet e kryera nga SPAK, midis Kurtulajt nga njëra anë dhe Prengës nga ana tjetër.

Si kjo më poshtë, ku të dy flasin për një tjetër faturë fiktive.

Përgjimet:

Kurtulaj: Gazi?

Prenga: Hë shok?

Kurtulaj: Sa është fatura e darkës së maqedonasve?

Prenga: Nuk e kam printu.

Kurtulaj: Po shkruje i çik pra, të më thuash vlerën, se nuk do e presësh ti, do e presim diku tjetër. Po thjesht sa është si vlerë?

Sa është totali që duhet të shkruaj unë te ata, kupton..

Prenga: Në rregull.

Nga verifikimet e kryera nga SPAK, rezulton se kjo bisedë dyshohet se lidhet me faturën e datës 15 Nëntor 2023 që shoqëria ‘Me’Nam’ Sh.p.k, ka lëshuar kundrejt subjektit që është pjesë e SASPAC-Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, në vlerën 115 500 lekë. Ndërkohë që nga komunikimet e datave 20 Shtator 2023 deri më 10 Nëntor 2023 dhe në vazhdim kuptohet që faturat për organizimet e eventeve tek ‘Gzona’ i faturon shtetasi Fisnik Fili.

“Në të paktën dy raste Ermal Kurtulaj i referon Fisnikut që për efekt tvsh-je, do të lëshohen fatura të tjera për të: ‘Po pra, që të mos kesh probleme po i them që të të bëjnë një faturë ty, që të zbritet edhe kjo tvsh-ja. Që të jesh në rregull për të gjitha faturat, vendosi ndonjë emër konsulence.’ Nga kqyrja e faturave rezulton se: Më datë 19 Korrik 2023 shoqëria Me’Nam Sh.p.k, ka lëshuar faturë kundrejt Projektit ‘Asistenca Teknike IP II CBC’. 4 ditë më vonë, shoqëria Me’Nam sh.p.k ka lëshuar faturë, në vlerën 93 600 lek. Ndërsa në nëntor o kjo shoqëri ka lëshuar faturën e radhës”, thotë dosja.

SPAK arsyeton se faturat janë firmosur me qëllim që të fshihet lidhja mes restorant Gzonës dhe ish-ministrit Beqaj.

“Rezulton se këto fatura në fakt i përkasin restorantit ‘Gzona’ dhe këto veprime janë kryer me qëllim që të fshihet lidhja mes ‘Gzonës’ dhe shtetasit Ilir Beqaj, që është dhe vetë Drejtori i SASPAC që monitoron këto projekte”, vijon.

Por interesante është edhe një bisedë e përgjuar, ku tashmë një nga folësit sipas SPAK është vetë Ilir Beqaj. Komunikim i mesit të muajit dhjetor 2023. Vetëm pak kohë pasi Beqajt i ishte komunikuar nga SPAK, urdhëri për ndalimin e udhëtimit jashtë vendit. Ku Beqaj kapet në përgjim këtë herë jo duke folur me telefonin e tij, por me atë të shoferit të tij, Arben Dani.

“Gjatë hetimeve kanë rezultuar dhe biseda të shtetasit Ilir Beqaj me Ermal Kurtulaj. Komunikime të kryera nëpërmjet telefonit të shtetasit Arben Dani, shofer pranë SASPAC. Ku Beqaj i kërkon Kurtulaj që të lidhet me Gazin nëse është në Tiranë, me qëllim për t’u takuar.  Më datë 6 Dhjetor 2023 rreth orës 23.21 Ermali flet me Gazin ku i kërkon nëse e ka me vete bllokun që mban shënimet dhe ai i thotë: ‘Po është tek puna’. Ku nga biseda kuptohet që bëjnë llogari në lidhje me paratë që janë investuar nga ana e Ermalit dhe jo vetëm.  Fakti që referimi bëhet në numrin shumës ngrihen dyshime dhe për interesa të shtetasit Ilir Beqaj në atë restorant”, sqarojnë hetuesit.

Dyshimet shtohen edhe me shumë, pas përgjimit të një bisede mes Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulaj, ku Beqaj ka përdorur telefonin e shoferit të tij.

Përgjimet:

Beqaj: Ti e di ça kërkohet pse ia fut kot?

Ermali: Po mir okej.

Beqaj: Tabelën e kemi likuidim, si quhet aneksi 8, ku e di unë tashi. I thuj nëqoftëse mundet nga ora 4 e mbrapa kur të dojë. Gazin, pra Gazin po të them.

Ermali: Mirë atëherë, okej në rregull pra.

Por SPAK ka dyshime të forta se Ilir Beqaj, duke shfytëzuar pozicionin e tij të dikurshëm si ministër i Shëndetësisë, ka lidhje dhe kontroll edhe në kompaninë farmaceutike ‘Delta Pharma’. Dyshime që lidhen edhe me vetë personazhet që rrotullohen rreth tij. Arsye për të cilën kjo kompani u bë pjesë e një kontrolli të imtësishëm të Prokurorisë së Posaçme.

“Nga të dhënat dyshohet se Ermal Kurtulaj, i referohet ‘Dori’, shtetasit Dorian Sadiku, i cili është bashkëortak me shtetasin Eduard Curraj në shoqërinë ‘Delta Holding’ Sh.p.k, e cila në vetvete është ortake e vetme e ‘Delta Pharma- Al’ sh.p.k. Gjithashtu janë bashkë ortakë në shoqërinë ‘Curri’ Shpk. Po kështu Eduard Curraj është ortaku i vetëm që zotëron kuotat pranë ‘Gzona Restorant’ (Albanian Food and Hospitality Lab Sh.p.k). Nga kqyrja e deritanishme e pamjeve filmike rezulton se më datë 14 Dhjetor 2023 tek ‘Gzona’ shkojnë Ermal Kurtulaj dhe Dorian Sadiku.  Ky i fundit vjen me një mjet ‘Mercedez Benz’ që sipas të dhënave nga DRSSHT-ja është mjeti me të cilin shtetasi Ilir Beqaj ka dalje jashtë vendit në vitin 2022, po ashtu, nga kqyrja e sistemit C@ts të Tatimeve, rezulton se subjekti ‘Gzona’, ka deklaruar shitje për periudhën 2019-2023 ndaj subjekteve ‘Delta Pharma.al’, me një vlerë totale 10 509 308 lekë.  Këto fakte japin të dhëna për ndërveprim mes këtyre dy subjekteve i cili ka lidhje me faktet objekt procedimi”, thotë dosja.

Janë të gjithë këto prova dhe dyshime që kanë krijuar bindjen gjithmonë sipas SPAK, se pas këtyre bizneseve mund të fshihet Ilir Beqaj, i cili duke shfrytëzuar pozitat e tij shtetërore kohë pas kohe, ka bërë të mundur të krijojë dhe ti fshehë këto pasuri në emër të personave të ndryshëm, të cilët më pas drejtohen po prej tij.

“Nga komunikimet e muajit dhjetor krijohen dyshime se subjektet janë takuar për t’u marrë me rregullimet e dokumentacioneve përkatëse, bilanceve e të tjera për shkak të fundit të vitit, pasi në këtë muaj mbyllet lëshimi i faturave përkatëse dhe bëhen llogaritë në lidhje jo vetëm me biznesin ‘Gzona’, e cila ka për ortak të vetëm shtetasin Eduart Curri.  Por nisur edhe nga fakti që takimi është kryer me shtetasin Dorian Sadiku, bashkëpronar me shtetasin Eduart Curri në shumë subjekte të tjera, që kanë ushtruar aktivitetin e tyre dhe në kohën kur shtetasi Ilir Beqaj ka qenë Ministër i Shëndetësisë dhe më pas deputet”.

SPAK është duke hetuar lidhjen mes Ilir Beqajt me pronarët e kompanisë farmaceutike Delta Pharma, ndërsa po kalon në sitë të gjitha kontratat që janë nënshkruar mes palëve në kohë kur Ilir Beqaj ishte ministër Shëndetësie. Po ashtu, ka dyshime të forta se Ilir Beqajt, ka favorizuar kompaninë Delta Pharma gjatë kohës që drejtonte Shëndetësinë. Por a do jetë ky hetim që do të krijojë edhe njëherë një tjetër ciklon rreth ish-ministrit Ilir Beqaj.  Apo edhe ky hetim do të zvarritet ashtu si në rastin e dosjeve ende të pambyllura të Sterilizimit dhe Check Up-it. A do të mundet SPAK, që me provat e mbledhura, të vendosë me shpatulla pas muri, ish-ministrin, që vazhdon të jetë i lirë.

Dosja Hetimore

Personi nën hetim Ermal Kurtulaj, është i punësuar si koordinator i projektit Eusair Facility Point dhe dyshohet se gjatë veprimtarisë së tij si koordinator i këtij projekti ka kryer veprime të kundërligjshme si më poshtë:

Nëpërmjet kërkimit dhe pranimit të lëshimit të faturave fiktive nga subjekte të ndryshme tregtare, duke paguar shërbime që nuk kryhen prej tyre.

Duke vendosur vlera fiktive në faturime për qëllime të përfitimit material, si dhe është përfshirë në veprime korruptive për qëllime të përfitimit.

Por si arrinte Ermal Kurtulaj të krijonte fatura fiktive për shërbime të pakryera, të cilat më pas i ngarkoheshin SASPAC, si shpenzime?

Cilat ishin bizneset me të cilët ai bashkëpunonte dhe u kërkonte këto ndere dhe në bazë të cilit favor, këto biznese apo OJF krijonin të tilla fatura pa u trembur se një ditë do të ndëshkoheshin nga kontrollet tatimore?

Se si funksiononte kjo skemë mjafton të shikojmë mënyrën se si Kurtulaj ua kërkonte këto fatura bizneseve, që në fakt duket se ishin pjesë e tarafit të tyre ose më ngushtësisht ishin vetë bizneset që ata kishin në administrim, por duke i fshehur në emra të tjerë, të cilët thjesht sa u shërbenin qëllimeve të tyre.

Këto biseda janë përgjuar edhe nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe që përkojnë me periudhën nga muaji gusht 2023 dhe më pas, pikërisht koha kur eprori i tij në SASPAC Ilir Beqaj, e kishte punën pisk me drejtësinë dhe ishte ndërkohë në hetim për dy afera të tjera të dyshuara korruptive.

Dosja Hetimore

Më datë 2 Gusht 2023, Ermal Kurtulaj rezulton se ka telefonuar shtetasin Genci Shurdho, ku i kërkon këtij të fundit t’i faturojë një pagesë prej rreth 35 200 Euro, për një shërbim që dyshohet se nuk është kryer.

Në këtë bisedë Ermali i kërkon Gencit të pyesë ekonomistin e vet dhe t’i kthejë përgjigje sa më shpejt.

‘Më duhet një përgjigje tani shpejt, ikën Iliri dhe duhet të firmos ca letra, prandaj po të them’

Nga kjo pjesë bisedë krijohet dyshimi se fatura do të jetë thjesht fiktive, me qëllim për të justifikuar shpenzimin e shumës në faturë, pra 35 200 Euro.’

Por kjo mesa duket nuk ka qenë fatura e vetme fiktive që Ermal Kurtulaj është përpjekur dhe ka mundur të prodhojë në muajin gusht, pasi nga kërkimet e kryera nga SPAK, pranë regjistrit të Tatimeve, rezulton se po në këtë muaj, kundrejt operatorit EusAir Facility Point, janë lëshuar edhe 8 fatura të tilla të ngjashme.

Këtë herë nga kompania ‘Nine Services Int’. me shuma që vazhdojnë të jenë të konsiderueshme.

Dosja Hetimore

Më datë 18 Gusht 2023, kundrejt Eusair Facility Point është lëshuar fatura nga ‘Nine Services INT’ shpk me përshkrimin ‘Konsulence bazuar në kontratë’, në shumën 35 200 Euro.

Shoqëri që si objekt të aktivitetit të saj ka ‘Shërbime dhe konsulentë në aktivitete sportive në veçanti në sportin e futbollit etj’.

Faturë pa TVSH, e cila lidhet me bisedën që Ermal Kurtulaj ka zhvilluar me Genci Shurdhon më datë 2 Gusht 2023, por duke qenë se ky shtetas nuk ka mundur ta lëshojë këtë faturë, Kurtulaj e ka siguruar këtë faturë nëpërmjet shtetasit Elton Marini.

Sipas hulumtimeve të kryera në vazhdim nga SPAK, dhe bisedave që Kurtulaj dhe Marini kanë kryer me njëri-tjetrin, dyshohet se për këtë qëllim ata janë takuar me njëri-tjetrin.

Madje Kurtulaj i kërkon Marinit edhe vulën e biznesit së tij, duke krijuar bindjen se kemi të bëjmë me një afrimitet midis të dyve, në raportin e besueshmërisë.

Dosja Hetimore

Në bisedat e mëvonshme të muajve gusht-shtator 2023, Ermali i kërkon Elton Marinit vulën dhe po ashtu i thotë se i duhej një firmë tjetër.

Nisur nga përmbajtja e bisedës ka të dhëna se ata takohen me njëri tjetrin.

Por këto mesa duket nuk janë të vetmet marrëveshje që Kurtulaj dhe Marini kanë bërë me njëri-tjetrin.

Siç del edhe në komunikimet në vazhdim, Kurtulaj i kërkon atij edhe të tjera fatura fiktive, të cilat mesa duket Marini, ia konkretizon.

Dosja Hetimore

Më datë 20 Nëntor 2023, kjo faturë është lëshuar përsëri nga shitësi ‘NINE Services’ kundrejt SASPAC, me të njëjtën vlerë, me përshkrimin ‘Organizim eventi Adrion në Durrës datë 14 Shtator 2023’.

Faturë e cila ka statusin ‘pranuar’.

Në vijim Ermali i komunikon Marinit se ka bërë dhe një version shqip dhe i duhej dhe njëherë vula dhe firma.

Megjithatë ‘Nine Services Int’ nuk është e vetmja kompani që ka lëshuar fatura fiktive me kërkesë të Ermal Kurtulaj.

Siç shikohet edhe më poshtë, në këtë valle janë futur kompani të tjera. Një ndër këto kompani, e përfshirë në këtë aferë, është edhe Screen AD.

Dosja Hetimore

Ermal Kurtulaj komunikon në telefon me një numër që në trueCaller, rezulton se punon pranë subjektit SCREEN AD sh.p.k.

Gjatë kësaj bisede Ermali i kërkon asaj lëshimin e një fature duke i dhënë dhe përshkrimin përkatës.

Kjo faturë rezulton të jetë lëshuar nga shoqëria ‘Niki Konstruksion @ Solar’ në vlerën 441 168 lekë kundrejt shoqërisë ‘Nine Services sh.p.k’, me përshkrimin ‘Event për Adrion Programe’.

Nga verifikimet mbi shoqërinë Screen AD, rezulton se kjo shoqëri ka realizuar shitjen kundrejt SASPAC sipas faturës datë 23 Tetor 2023, me vlerë 2 500 Euro, përshkrimi ‘Organizim Eventi Adrion Dhërmi 1 Shtator 2023’.

Megjithatë edhe në këtë rast ashtu si edhe në të ngjashmit e tjerë, Screen Ad, rezulton pas verifikimeve të SPAK, se nuk ka organizuar ndonjë event me titullin që ka emërtuar në faturën e lëshuar për SASPAC.

Madje këtë linjë kanë mbajtur edhe subjekte të tjerë, që tashmë janë në sitën e Prokurorisë së Posaçme, për të parë se si kanë mundur të lëshojnë fatura të tilla dhe mbi bazën e kujt interesi kanë ndërmarrë veprime të tilla, ku në një rast konkret, Ermal Kurtulaj e mëson njërin prej tyre edhe si ta mbushë faturën.

Dosja Hetimore

Më datë 16 Gusht 2023, kundrejt Eusair Facility Point është lëshuar fatura nga ‘Bledar Leka’, me përshkrimin ‘Konsulencë”.

Nga biseda Kurtulaj i kërkon Lekës që të bëjë ‘një çik sot atë faturën’.

Ai i thotë në bisedë se ‘do ta çoj niptin, se ça përshkrimesh, si do e shkruajmë etj.’.

Duke krijuar kështu dyshimet mbi lëshimin e një fature fiktive për punime/shërbime të pakryera.

Po kështu, në një tjetër bisedë, Ermal Kurtulaj e pyet Bledar Lekën: ‘Atë tënden nga 15 po ta bëjmë 20, e bën dot ti apo jo?….

Ndërsa në një bisedë tjetër e pyet: ‘Ke hapësirë për 900 Euro shërbim konsulence pagesë KESH’.

Në lidhje me këto veprime financiare, Ermal Kurtulaj nuk kishte si të vepronte i vetëm brenda SASPAC, pavarësisht se jashtë ai mund t’i kishte rregulluar me të tijët punët.

Sipas SPAK, një nga bashkëpunëtoret e tij të ngushtë brenda agjencisë, në këtë aferë, del të jetë edhe Mira Topçiu, njeriu që ekzekuton të gjithë urdhrat financiarë brenda agjencisë.

Dosja Hetimore

Ermal Kurtulaj, rezulton se përfshihet edhe në veprime të tjera më punonjës të Agjencisë, konkretisht me shtetasen Mira Topçiu, nëpunëse financiare pranë SASPAC.

Në bashkëpunim me njëri tjetrin, rezulton dukshëm marrja e përfitimit për një shërbim të prokuruar, ‘qira salle dhe shërbim kateringu’.

Po kështu rezulton se të dy këta persona kanë të regjistruar në emër të tyre OJF dhe person fizik, dhe kryejnë veprime me njëri-tjetrin po në funksion të veprimtarisë së tyre shtetërore, duke qenë kështu edhe në konflikt interesi, ku Mira Topçiu ushtron veprimtarinë si person fizik, me fushë ‘Konsulencë për biznesin dhe financiare, inovacion etj.’

Megjithatë në kundërshtim të plotë me funksionin që mban, financierja e SASPAC, Mira Topçiu del se ka krijuar fatura fiktive, duke bashkëpunuar me shoqatën ‘Good Health’, e cila në fakt nuk është e askujt tjetër, përveçse e Ermal Kurtulaj, drejtuesit të saj në Agjenci, duke shkelur hapur kështu konfliktin e interesit.

Dosja Hetimore

Nga këqyrja në sistemin e Tatimeve-Fiskalizimi, Mira Topçiu, ka lëshuar faturat kundrejt shoqatës ‘GoodHealth:

Datë 12 Dhjetor 2023, në vlerën 5 000 euro si edhe më datë 9 Nëntor 2023, në vlerën 5 500 euro.

‘Good Health’ që drejtohet nga Ermal Kurtulaj ku rezulton se është i punësuar dhe vëllai i tij Sabian Kurtulaj.

Megjithatë lista e subjekteve të përfshira në këtë skemë, ku strumbullari del të jetë Ermal Kurtulaj, duket shumë më e gjatë.

Sërish një rol jo pak të rëndësishëm ka financierja e SASPAC, Mira Topçiu, e cila del se mban kontakte të vazhdueshme me biznese kryesisht në fushën gastronomike, që po kaq çuditërisht pranojnë të futen në këtë aferë.

Dosja Hetimore

Nga komunikimet që kryhen ndërmjet Mira Topçiut, Bjona Ziaj, Dhurata Thanasit dhe Ermal Kurtulaj ata kërkojnë sigurimin e faturave me qëllim përfitimin e shumave nga këto subjekte.

Më datë 1 Nëntor 2023, Mira Topçiu komunikon me Bjona Ziun së cilës i kërkon të lëshojë një faturë, për një event:

‘Nga personi jot fizik, më duhet për çështje pune se s’po dimë se si do e rregullojmë nga që do paguajmë këtë eventin e vizibilitetit nga programi ynë i Kosovës. Më duhet një person që të më lëshojë një faturë’.

Fatura të ngjashme fiktive lëshohen në emër të SASPAC, edhe për shërbime gastronomike siç është rasti i restorantit ‘Luga e Artë’.

Rezulton se ky restorant ka lëshuar disa fatura fiktive në emër të agjencisë që në këtë kohë drejtohej nga Ilir Beqaj.

Kjo skemë mesa duket funksiononte duke i kaluar fillimisht paratë në llogarinë e subjektit që lëshon faturën fiktive dhe më tej pasi paratë tërhiqeshin nga llogaria, ato ndaheshin sipas marrëveshjes së rënë dakord më herët.

Dosja Hetimore

Subjekti tregtar ‘Dhurata Thanasi’, më datë 14 Nëntor 2023, ka lëshuar faturën me përshkrimin ‘Shërbim Kateringu’, në vlerën 259 000 lekë.

Po në këtë datë Ermal Kurtulaj ka komunikuar me shtetasen Dhurata Thanasi Luga, ku nga biseda i kërkon kësaj të fundit që të futet në aplikacionin BKT Smart dhe t’ia çojë në WhatsApp të dhënat e llogarisë ku do të bëhet trasnferta.

Më datë 30 Nëntor 2023, Ermali komunikon me Dhuratën dhe duke qenë se paratë i kanë kaluar në llogari i kërkon asaj të takohen.

Më datë 1 Dhjetor 2023, në bazë të pamjeve filmike në një lokal në rrugën e “Kosovarëve”, është evidentuar se Ermal Kurtulaj ka mbërritur aty më datë 30 Nëntor në orën 12:27.

Ai shfaqet teksa merr nga Dhurata Thanasi një send në dukje si letër apo para, të cilat më pas i fut në xhepin e majtë të pantallonave.

Ky takim dhe shkëmbim në dukje parash, u ballafaqua nga SPAK, edhe me tërheqjen e shumës nga Dhurata Thanasi

Kjo u vërtetua edhe nga kthimpërgjigja e bankës në të cilën fillimisht u bë transferta dhe më pas u tërhoq vlefta e parave, në të njëjtën ditë kur u zhvillua edhe takimi midis Ermal Kurtulaj dhe Dhurata Thanasit.

Dosja Hetimore

Me shkresën nr. 16358 prot., datë 4 Dhjetor 2023 u kërkua informacion pranë bankës BKT me qëllim verifikimin e lëvizjeve nga llogaria bankare e shtetases Dhurata Thanasi si tregtar person fizik. Nga shkresa e ardhur rezulton se subjekti ‘Dhurata Thanasi’, ka kryer tërheqje më datë 30 Nëntor 2023.

Exit mobile version