Dhomat e Specializuara në Hagë më 14 dhjetor kanë modifikuar dënimin ndaj ish-nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj.
Kjo i mundëson Haradinajt lirimin nga burgu, me disa kushte. Kështu kanë njoftuar Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në maj të vitit 2022, Haradinaj, së bashku me kryetarin e atëhershëm të OVL-UÇK, Hysni Gucati, u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të drejtësisë.
Më pas, Apeli ua uli dënimet për tre muaj. Gucatit iu modifikua dënimi më 17 tetor, që i mundësoi lirimin nga burgu, me kushte. Haradinaj e Gucati ishin arrestuar më 5 shtator të vitit 2020, për t’u dërguar në Hagë.