“U dënua me vdekje”- Masakra e komunistëve ndaj 104 libohovitëve dhe rezistenca e Baba Rexhepit që u rreshtua krah të viktimave!

URAN BUTKA/ Baba Rexhepi u bë shenjtor i bektashizmit, simbol i shqiptarizmës dhe luftëtar i lirisë, sepse lindi dhe u rrit në trevën patriotke të Gjirokastrës, sepse mësimet e para për bektashizmin dhe shqiptarizmin i mori nga i përndrituri Baba Selimi i teqesë së Zallit, vatër e patriotëve Shahin Kolonja, Sulejman Delvina, Bajo Topulli, Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Qamil Panariti e të tjerë luftëtarë të lirisë.

 

Baba Rexhepi rrëfen në kujtimet e tij për këtë kohë të luftës për çlirim kombëtar, kur erdhi Çerçiz Topulli dhe Mihal Grameno në teqenë e Zallit, ajo u rrethua nga asqerët turq, por Baba Selimi u vuri nga një taç në kokë, turqit kujtuan se ishin dervishë dhe ikën. Në fillim të viteve 30 dervish Rexhepi u dorëzua dervish në këtë teqe dhe qysh prej asaj kohe i shërbeu predikimit të bektashizmit dhe shqiptarizmit, si një shenjtor.

Kur Shqipëria u pushtua nga Italia në vitin 1939, kredoja e tij në këtë kohë ishte: Bashkimi i shqiptarëve në luftë kundër pushtuesve dhe kundër ideologjisë e veprimit komunist. Në një intervistë të dhënë në vitin 1991 Baba Rexhepi thotë: “Në Shqipëri jam munduar që populli të mos frymëzhej nga ideologjia komuniste. Kam shëtitur katund më katund duke arsyeturar se kush ishte me të vërtetë kjo ideologji dhe ç’dëme vinin prej saj – kryesore ishte të mos humbeshe kombësia dhe feja.”

Kur nisi lufta civile në Gjirokastër mes komunistëve dhe nacionalistëve, nisur nga terroristët komunistë, Baba Rexhepi u përpoq ta ndalte atë, duke predikuar bashkim e vëllazërim mes shqiptareve. Masakrat e Shefqet Peçit në Libohovë ku u masakruan 104 libohovitë, mes tyre edhe nga familja e Avni Rustemit, bënë që Baba Rexhepi të reshtohej në krah të nacionalistëve, në krah të viktimave të pafajshme.

I përndjekur nga krerët e Nacionalçlirimtares si Shefqet Peçi e Bedri Spahiu me shokë që bënë masakra edhe në Gjirokastër, Baba Rexhepi largohet nga Gjirokastra për në Delvinë, ku e vazhdon rezistencën kundër komunizmit, që e dënoi me vdekje në mungesë. U mërgua nga mëmëdheu si idhulli i tij, Mid’hat Frashëri, në vitin 1944, duke marrë me vete vetëm një rrasë guri, të cilën kur ndërroi jetë, porositi t’ia vinin nën kokë, si një copëz e Atdheut.

Vepra e tij madhore në SHBA ishte themelimi i Teqesë Bektashiane në Detroit – siç bëri dhe Noli për themelimin e Kishës Autoqefale Shqiptare. Veprimtaria e tij në Teqe i kapërcen kufijtë e Bektashizmit, sepse i bashkoi shqiptarët pa dallim feje dhe ideje në një fe dhe në një ide, siç ishte shqiptarizmi, në ndihmë të kombit e të Shqipërisë së robëruar nga komunizmi. Baba Rexhepi ishte një njeri i shkolluar, kishte kryer shkollën Ruzhdie në Gjirokastër, mandej Medresen dhe ishte njohur me besimet fetare dhe filozofitë e kohës, por edhe me qytetërimin perëndimor përmes librave që lexonte në disa gjuhë. Në SHBA ai ra në kontakt me atdhetarë shqiptarë të ditur, mes tyre edhe me Fan Nolin., me të cilin bashlkëpunoi për themelimin e Teqesë bektashiane.

Në punë madhore e tij si filozof ishte botimi i veprës “Misticizmi islam dhe Bektashizma” që ua kushtoi klerikëve të të gjitha feve që u bënë fli për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, vepër që profesoresha Triks e çon si të niveleve të larta botërore. Më lejoni që të kumtoj disa kujtime të mija për Baba Rexhepin. Në vitin 1993 shkova në SHBA, në Kongresin Amerikan si përfaqësues i parlamentit shqiptar, ku qëndrova një jave. Në fundjavë u nisa për në Detroit, në Teqenë e Baba Rexhepit. E gjeta ulur mbi një poltronë të thjeshtë në odën e pritjes. Trupvogël, me fytyrë të hequr, me sy të zinj e të thellë, me duar e gishta të hollë e vështrim të meduar, gjysëm njeri e gjysëm perëndi. Më priti me dashuri prekëse, së pari si i biri i Safet Butkës, të cilin e kishte idhull të martirizimit, por edhe bashkëluftëtar të lirisë.

“Sot është ditë e lumtur për mua, se më ka ardhur i biri i Safetit”, tha i përmalluar. Më priti edhe si përfaqësues i Shqipërisë demokratike. Më pyeti për situatën, për punët në Shqipëri, për familjen time. I fola për përmbysjen e regjimit hoxhist, për arritjet e para të demokracisë, për punën e parlamentit, ku ndodheshin më se gjysma e deputetëve, bij të familjeve nacionaliste të persekutuara. I shkëlqeu fytyra, i ndritën sytë e thellë. I thashë se kisha shkuar në Gjirokastër, në teqenë e Zallit që po ringrihej në kujtim të Tij, për teqetë e ripërtëritura të Kolonjës dhe sidomos për ringritjen e Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, me në krye Hirësinë e Tij, të përndritur por edhe të përndjekur, Baba Reshatin, ai më preku dorën me dorën e tij të dridhëshme, në shenjë mirënjohjeje. Pastaj tha: “Biri im, të dielën kemi ditën e Ashures, je i ftuar të mbash një fjalë dhe të takohesh me vëllezërit e tu shqiptarë të një gjaku.

Do të mbledhim aty ndihma dhe do të t’i japim për projektet që ke në Shqipëri.” U skuqa dhe e ndjeva veten keq. Si mund të pranoja para, për punët e mija fisnike? Megjithatë e falënderova dhe i thashë “Baba, ndihmat në para për Shqipërinë dërgojini zyrtarishht për një teqe, për një shkollë, për një rrugë, për një bamirësi, për ndihmë ndaj të përndjekurve e të burgosurve politikë etj.”

Kështu që ika nga Detroiti të dielën në mëngjes, pa marrë pjesë në festën e Ashures. Babai, kur mori vesh ikjen time, tha: “Më vjen keq që iku, por edhe më vjen mirë… Se shyqyr Zotit paskan mbetur njerës të ndershëm në Shqipëri pas terrorit dhe përndjekjes nga regjimi komunist “. Sot është një ditë e veçantë, e shenjtë, kur kujtojmë Hirësinë e Tij, Baba Rexhepin, i cili me jetën e tij, me shembullin e tij të ndritur na jep dritë e forcë për të vazhduar veprën e tij të pavdekshme për kombin dhe Shqipërinë.

Artikulli paraprakMë 23 maj, OKB-ja voton për rezolutën për Srebrenicën
Artikulli tjetërShqiptarët mendojnë që Shqipëria po ecën në drejtimin e gabuar”, Basha: Programi ynë bazohet te rikthimi i konkurrencës për të rikthyer shpresën