Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar 89 hektarë tokë në Zvërnec, e cila është përvetësuar pas falsifikimit të firmës së gjyqtarit të vrarë, Skerdilajd Konomi. Në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, rezulton se trualli 89 hektarë në zonën e Zvërnecit është regjistruar në Hipotekën e Vlorës, në bazë të dokumenteve të falsifikuara dhe nëpërmjet një procesi gjyqësor njohjeje prone, tërësisht fiktiv, ku rezulton në bazë të një vendimi gjyqësor të vitit 2003, dhënë nga gjyqtari Skerdilajd Konomi. Prokuroria e Vlorës e ka konstatuar tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë në atë kohë gjyqtar.
Në një njoftim për mediat thuhet se, Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar 89 hektarë tokë në zonën e Zvërnecit, me vlerë rreth 110 milionë euro sipas çmimeve zyrtare, e dyshuar se është përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Raimond Mezi. Skema e përdorur në këtë rast është realizuar në të njëjtën mënyrë dhe nga të njëjtët persona, të cilët kanë regjistruar në mënyrë të paligjshme edhe 220 hektarë truall të sekuestruar tashmë, në zonën e Karaburunit. Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka kërkuar caktimin e sekuestros preventive mbi këtë sipërfaqe, kërkesë e cila është pranuar nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, rezulton se trualli 89 hektarë në zonën e Zvërnecit është regjistruar në Hipotekën e Vlorës, në bazë të dokumenteve të falsifikuara dhe nëpërmjet një procesi gjyqësor njohjeje prone, tërësisht fiktiv.
Në kuadër të hetimit, Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar praktikën e njohjes dhe më tej regjistrimit të kësaj prone. Nga aktet hetimore, rezulton se shtetasi Raimond Mezi është njohur me vendim gjyqësor si pronar i sipërfaqes 89 hektarë, në bazë të një vendimi gjyqësor të vitit 2003, dhënë nga gjyqtari Skerdilajd Konomi.
Prokuroria e Vlorës e ka konstatuar tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi, në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë gjyqtar.
Nga sekuestrimi i dosjes gjyqësore, që i përket vendimit të mësipërm nr. 2217, datë 29.12.2003 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, rezulton se kjo dosje pasi është falsifikuar është bërë pjesë e arkivit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Ky fakt provohet edhe nga sekuestrimi i numëratorit civil të vitit 2003, ku duket qartë se janë shtuar në këtë libër të dhënat e vendimit të mësipërm gjyqësor. Pra, del qartë se është përdorur i njëjti mekanizëm që është përdorur për të falsifikuar dhe pastaj bërë pjesë të arkivit edhe dosjen gjyqësore që i përket vendimit nr. 1360, datë 29.12.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, lidhur me sipërfaqen 220 ha tokë në Karaburun, si dhe nga të njëjtët persona.
Gjithashtu rezulton se edhe vendimi nr. 100, datë 19.04.1996 i ish-KKKP-së Bashkia e qytetit Vlorë, në emër të subjektit të shpronësuar Jakup Mezi (paraardhës i Raimond Mezit), si dhe nota e transkriptimit, në favor të shtetasit Jakup Mezi, që janë paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, janë dokumente të falsifikuara.
Po ashtu, nga hetimi provohet se pasuria e përshkruar në vendimin e mësipërm të falsifikuar është regjistruar pranë ZVRPP Vlorë nga personi nën hetim Blerina Dhrami.
Nga hetimi është provuar se pas regjistrimit të pasurisë së mësipërme mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara janë kryer veprime tjetërsimi, duke kaluar e gjithë pasuria në emër të personave të tretë.
Nga hetimi i deritanishëm, rezulton qartë se pasuria e paluajtshme me sipërfaqe 89 ha, regjistruar fillimisht në emër të shtetasit Raimond Mezi është produkt i veprave penale të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 248 të Kodit Penal. Kjo pasuri është regjistruar mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, si dhe në kundërshtim me Ligjin nr. 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” e udhëzimet përkatëse. Rezulton se në lidhje me këtë pasuri janë kryer veprime juridike tjetërsimi, me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë, e cila është produkt i veprave penale të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 248 të Kodit Penal.