Ka ndërruar jetë në Spitalin e Durrësit, 46-vjeçari i cili u plagos me thikë 6 ditë më parë. Sipas burimeve spitalore, Afrim Llana, 46 vjeç, banues në Durrës, ka gjetur vdekjen dje në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku ishte transportuar pas goditjes me thikë nga 44-vjeçari Ilir Haku.
Autori, banues po në qytetin bregdetar, u arrestua një ditë pas sherrit, njoftuan burime zyrtare nga Policia e Durrësit. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:15 të 7 shtatorit, në lagjen numër 17, pas një konflikti për motive të dobëta Haku plagosi në thikë në këmbë 46-vjeçarin. Fillimisht, i plagosuri u transportua në spital dhe gjendja e tij shëndetësore u vlerësua nga mjekët si jashtë rrezikut për jetën. Por, gjendja shëndetësore e 46-vjeçarit është përkeqësuar dhe ai ka humbur jetën këtë të martë.