U kap me kokainë, gjykata lë në burg vëllain e shefit të Komisariatit Dibër

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Pajtim Agën, vëllain e shefit të komisariatit të Dibrës, Robert Aga. 47-vjeçari u kap nga Policia e Lezhës me 320 gram kokainë. Ai kishte drogën në makinë dhe sipas policisë do ta shiste në Tiranë. Kapja e tij u bë në Laç, ndërsa ishte duke lëvizur nga Lezha në drejtim të Tiranës. Aga nuk ka pranuar akuzën, por Gjykata vendosi të njëjtën masë që kishte kërkuar më herët Prokuroria.
Shefi i Komisariatit të Policisë Dibër, Robert Aga, ka qenë një nga personat më të akuzuar nga Partia Demokratike si i përfshirë në blerjen e votave gjatë procesit zgjedhor për Bashkinë Dibër. PD ka depozituar në Prokurori për Agën dhe një kallëzim, duke e cilësuar pjesë të grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës. Para zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Dibër, kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka, doli me një listë emrash të shefave të komisariateve që sipas tyre janë pjesë e rrjetit të trafikut të lëndëve narkotike.
Në listën e 5 shefave të komisariateve rezultonte të ishte edhe ai i Dibrës, Robert Aga, që gjithashtu PD e ka dorëzuar në Prokurori në listën e personave që denoncoi për blerje votash në këtë Bashki. Arrestimi i Agës u bë pas një informacioni të marrë në rrugë operative në lidhje me aktivitetin e tij. Lënda narkotike u gjet e paketuar dhe sipas policisë dyshohet për një rrjet të shpërndarjes dhe të shitjes.

Exit mobile version