Kreu i PD Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me strukturat e degës së PD-së , nr.12 në kryeqytet.
Gjatë fjalës së tij Basha u shpreh se beteja opozitare ka nisur me ardhjen e së keqes në pushtet.
Më tej Basha shtoi Partia Demokratike i denoncoi prej vitesh me radhë, vjedhjen e shqiptarëve të provoheshin me fakte dhe me dëshmi të vet zyrtarëve se ishin të vërteta, të dhimbshme dhe kriminale.
“Betejat tona nga pikëpamja opozitare, kanë nisur me ardhjen në pushtet të së keqes. Të një regjimi i cili nuk ka asgjë të përbashkët as me hallet tuaja, as me problemet tuaja. Dhe që kujtohet për njerëzit e këtij vendi vetëm kur vjen ora e votës. Edhe atëherë nuk kujtohet për mirë, por kujtohet ose për një punë shkel e shko me ndonjë asfalt elektoral që del me shiun e parë të vjeshtës, ose kujtohet që mjerimi që ka mbjell përmes korrupsionit, ta blejë me një thes mielli apo me një 10 mijë lekësh, apo 20 mijë lekësh, apo me një 30 mijë lekësh të vjedhur nga xhepat e shqiptarëve. Vetëm një qeveri zemërkazëm mund t’ia dalë të përvetësojë me ato skema që i kanë parë të gjithë shqiptarët 430 milionë euro të shqiptarëve për një gjoja skemë të djegies së plehrave që siç e pamë të gjithë, ka qenë një skemë e avullimit të parave të shqiptarëve. Kemi 6 vite që i denoncojmë me emër njerëzit që e bënë këtë, por u desh një komisioni hetimor parlamentar si ai që përfundoi punimet javën e kaluar, që ato të cilat Partia Demokratike i denoncoi prej vitesh me radhë, të provoheshin me fakte dhe me dëshmi të vet zyrtarëve se ishin të vërteta, të dhimbshme dhe kriminale. Që nga zyrtari më i ulët që doli para këtij komisioni, deri tek koka e qeverisë dhe e kësaj afere, nuk ia dolën dot ta fshihnin të vërtetën.
Si ia dolëm që komisionin që Edi Rama donte ta mbyllte dhe mos të vinte të dëshmonte, ta çonim deri në fund. Së pari, sepse ne qëndrojmë fortë për të vërtetën. Qëndrojmë fortë për të drejtën, qëndrojmë fortë për atë që është e mira publike, pra e mira e njerëzve. Ku e gjejmë këtë energji? E gjejmë sepse luftojmë për të vërtetën, luftojmë për të drejtën. Kjo është edhe arsyeja se pse në krahun tim dhe në krahun e Partisë Demokratike kemi në radhë të parë demokratët e qëndresës, që janë këtu në këtë sallë. Kemi të rinjtë, brezin e ri. Kemi gjithmonë e më shumë shqiptarë që iu janë çelur sytë dhe e kanë kuptuar se shanset dhe mënyra e vetme për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre, mënyra e vetme për vendin që të eci përpara, mënyra e vetme që rinia të ndërtojë jetën e vet me cilësi, të ndërtojë familjet e veta dhe të gëzojë prindërit e vet këtu në vendin e vet, është Partia Demokratike, është vizioni ynë, është ekipi ynë, është qëndresa jonë, është këmbëngulja jonë. E dyta, është sepse në këtë betejë kemi jo vetëm besimin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, por kemi edhe një mbështetje të pa ekuivok të faktorit ndërkombëtar. Si ka mundësi mor zoti kryeministër që ti, që i di të gjitha, gjithë çfarë ndodh në Shqipëri, në Ballkan, në Europë edhe në botë, se e mban veten për lider global apo jo, ti nuk e paske ditur që gjysma e kabinetit tënd, gjysma e ministrave paskan, siç thotë vet, paska ngjyer gishtin mbrapa shpinës time. Si qenka kjo punë kështu. Brenda një dite miratohen 17 akte zyrtare, kalohet një vendim i këshillit të ministrave që e firmos kush? Kryeministri apo jo? Dhe ti nuk e dije. Nuk e di ti pas 8 vitesh në pushtet që këtu për të marrë një letër shteti, një qytetari të zakonshëm i duhen javë e muaj sorollatje nga një zyrë në tjetrën.”, tha Basha .