“U ktheva në skllav”, mesazhe në shqip kundër emigrantëve të paligjshëm; Home Office: Mos bini viktima të bandave

Emigrantët ilegalë po paralajmërohen se do të përballen me skllavërinë nëse vijnë në Britani me varka të vogla në një fushatë të re reklamuese.

Videot do të publikohen në Shqipëri gjatë javëve të ardhshme me dëshmi të viktimave të bandave të trafikantëve të njerëzve.

Reklamat dixhitale do të shfaqen në mediat sociale dhe së bashku me artikujt e lajmeve në internet.

Duket se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka zgjedhur këtë rrugë për të shkatërruar mitet e shpërndara nga bandat kriminale ndërkombëtare dhe të ndalë flukset e emigrantëve përmes udhëtimit të rrezikshëm me gomone.

Dëshmia e një migranti , fytyra e të cilit është e mbuluar, ndërsa shprehet “më premtuan një punë të paguar mirë. Përkundrazi, unë isha skllav”, është pjesë e videove që do të publikohen.

Mesazhet e Home Office paralajmërojnë shikuesit se “përpjekja për të hyrë ilegalisht në MB mund t’ju kushtojë gjithçka”.

Një tjetër mesazh nga emigrantët është: “kam shumë borxhe për udhëtimin. Ata nuk do të thonë se sa kohë duhet të punoj apo sa kam borxh.”

Mesazhet shoqëruese të Home Office paralajmërojnë se migrantët e paligjshëm nuk lejohen të punojnë në MB dhe rrezikojnë të shfrytëzohen.

Në një tjetër, një emigrant tregon kërcënimet me të cilat u përball. “Ata thanë se familja ime do të dëmtohej nëse nuk do të ndiqja udhëzimet”, rrëfen një emigrant.

Komandanti i Sigurisë Kufitare Martin Hewitt i tha Sun se reklamat do të dërgojnë një “mesazh të qartë” për migrantët që nuk mund t’u besojnë bandave të kontrabandës.

Një marrëdhënie e mirë me qeverinë shqiptare ka çuar në një kthim të vazhdueshëm të emigrantëve të paligjshëm.

Të enjten 31 shqiptarë që kishin hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të parregullt janë kthyer në Shqipëri.

“Kjo fushatë ndihmon për të thyer modelin e biznesit të këtyre kriminelëve dhe mbron njerëzit që të mos bien viktimë e gënjeshtrave të tyre të rrezikshme, duke siguruar kufijtë tanë si pjesë e Planit të Qeverisë për Ndryshim. Duke punuar ngushtë me partnerë ndërkombëtarë si Shqipëria, ne po synojmë bandat kriminale në çdo hap, duke ndërprerë operacionet e tyre përtej kufijve dhe duke sjellë autorët para drejtësisë”, tha Hewitt. /Përshtatur nga The Sun/

Exit mobile version