U propozua për deputetë nga Demokratët Euroatlantikë, psikiatri Neli Demi: Ky grupim përfaqëson vizionin e Shqipërisë së drejtë dhe të sigurt

Një ndër kandidatët e propozuar për të kandiduar me listat e hapura të Demokratëve Euroatlantikë, është psikiatri dhe psikoterapisti i njohur Neli Demi. Me një karrierë të spikatur prej 30 viteve në këtë fushë, ai mishëron më së miri përkujdesin dhe devotshmërinë për t’i shërbyer njerëzve gjatë sfidave të jetës.
Nëpërmjet një statusi në profilin e tij, Demi shprehet se vendosi të bëhet pjesë e Demokratëve Euroatlantikë për shkak të vizionit që beson.

“Vendosa të bëhem pjesë e Demokratëve Euroatlantikë sepse ky grupim përfaqëson një vizion në të cilin unë besoj thellësisht: një Shqipëri ku liria, siguria, drejtësia dhe përkujdesi, ndërthuren me njëra-tjetrën duke bërë të mundur shpërfaqjen e potencialit të plotë të individëve të shoqërisë tonë.” – shkruan ai.

Më poshtë postimi i plotë:

 

Të dashur miq,

Si shumë prej jush, dikur kam menduar se politika reale nuk ishte për idealistët, për të ndershmit, për të përulurit- por vetëm për ata që janë të gatshëm të përfshihen plotësisht në një sistem që harron individin.
Por sot, më shumë se kurrë, nuk mund të pranoj t’i dorëzohem këtij realiteti të vjetruar ndaj jam këtu, duke pranuar me përulësi kandidimin tim për deputet për Zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare të 11 Majit.

Gjatë gjithë karrierës time gati 30-vjeçare si mjek psikiatër dhe psikoterapist, jam përkushtuar me devotshmëri për të dëgjuar, kuptuar dhe mbështetur njerëzit përmes sfidave të tyre të jetës. Në praktikën time profesionale kam përjetuar sesi ndryshimi i vërtetë nuk lind nga heshtja, por atëherë kur përballemi me të vërtetën, bëjmë pyetjet e vështira dhe veprojmë me bindje. Realiteti i sotëm shqiptar tregon se shumë zëra mbeten të pa dëgjuar dhe shumë ëndrra të parealizuara, ndërkohë që ne vazhdojmë të përjetojmë po të njëjtat lojëra politike, tejet të vjetruara.

Vendosa të bëhem pjesë e Demokratëve Euroatlantikë sepse ky grupim përfaqëson një vizion në të cilin unë besoj thellësisht: një Shqipëri ku liria, siguria, drejtësia dhe përkujdesi, ndërthuren me njëra-tjetrën duke bërë të mundur shpërfaqjen e potencialit të plotë të individëve të shoqërisë tonë.
Imagjinoni një vend ku institucionet punojnë për qytetarët, ku talentet e reja gjejnë arsye për të ndërtuar këtu jetën e tyre, dhe ku politika drejtohet nga zgjidhjet reale, integriteti dhe një angazhim i sinqertë për të zhvilluar të mirën e përbashkët. Kjo do të ishte për mua Shqipëria Europiane!

Duke falenderuar përzemërsisht të gjitha strukturat e Tiranës për propozimin e kandidaturës time dhe Këshillin Kombëtar për miratimin e saj, kandidoj në këto zgjedhje për të bërë të mundur që çdo shqetësim të dëgjohet dhe çdo histori të ketë vlerë.

Gjatë javëve në vijim do të ndaj me ju vizionin dhe idetë e mia, por është po aq e rëndësishme të dëgjoj prej jush: çfarë vërtetë ka rëndësi për ju? Çfarë ju mban zgjuar natën vonë? Si e imagjinoni të ardhmen tuaj?
Ndani mendimet tuaja, kontaktoni me mua -le të tregojmë së bashku se politika mund të jetë ndryshe: më e ndershme, më e ndjeshme dhe më efektive.

Bëhuni aksionerë të këtij ndryshimi thelbësor!
Kemi përgjegjësinë, ta rindërtojmë të ardhmen tonë. Së bashku duhet ti japim zë vlerave të humbura dhe një tjetër fytyrë politikë-bërjes.
Së bashku, mund të jemi shëmbëlltyra e të ardhmes së këtij vendi, e të ardhmes që Shqipëria meriton të ketë.

#ShqipëriaMeritonMëShumë
#ZëriJuajKaRëndësi
#DemokratëtEuroatlantikë
#NdryshimReal

Exit mobile version