Në deklaratën e lëshuar nga organi maqedonas i akuzës nënvizohet se masa e paraburgimit duhet të zbatohet “menjëherë pas lokalizimit dhe arrestimit” të Grubit, i cili besohet se ndodhet jashtë vendit.
Mëngjesin e një dite më parë, forcat e rendit bastisën banesën e Grubit si dhe atë të ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami.
Policia thotë se gjatë këtyre kontrolleve janë siguruar prova që ngjallin dyshime se dy të akuzuarit, si persona përgjegjës në Shoqatën Aksionere, Lotaria Shtetërore, gjatë vitit 2023, kanë shkaktuar “dëme në buxhetin e Shoqatës në vlerë mbi 8 milionë euro, duke përvetësuar pasuri në mënyrë të paligjshme”.
Përvetësimi i pasurisë në mënyrë të paligjshme nga një zyrtar gjatë detyrës është i dënueshëm me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut. Përveç Grubit e Bajramit, në mesin e të dyshuarve duket se rezulton edhe vetë ish-kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
“Kallëzimi penal u dorëzua në Prokurorinë Publike në Shkup… Njëri prej të cilëve është ish-kryeministër, njëri është ish-zëvendëskryeministër, njëri është ish-drejtor i një personi juridik, njëri është ish-sekretar i përgjithshëm, pjesa tjetër janë nëpunës shtetëror që punojnë te njëri nga personat juridik”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili i bëri thirrje Grubit të kthehet ne vend dhe t`i besojë drejtësisë, nëse sic thotë, është vërtet i pastër si loti, siç u shpreh ai.