Dy automjete luksoze, të cilat ishin parkuar pranë një qendre tregtare, janë djegur dje pasdite në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në orën 18:20, në fund të rrugës “Tish Daija”. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se fillimisht ka marrë flakë mjeti tip “Benz”, me targë TR 5188 R, i parkuar, dhe pas tij është djegur edhe mjeti tip “Audi A3”, me targa AA 651 EE, në pronësi te firmës “T. L.”, i parkuar pranë tij. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, automjetet thuajse u dogjën plotësisht. Ndërkohë, në vendngjarje ndodhen ekspertë të policisë, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Si pasojë e këtij zjarri nuk ka pasur dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes po kryen veprimet për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit. Ende nuk është gjetur nëse zjarri në mjetin “Benz” ka qenë i qëllimshëm, por po hetohet në këtë pistë. Burimet bëjnë të ditur se, “Benz”-it i është vënë zjarri qëllimisht, dhe si pasojë e përfshirjes së tij nga flakët është djegur edhe makina tjetër. Policia ende nuk i ka saktësuar shkaqet e ngjarjes.
Ky nuk është rasti i parë që u vihet zjarri makinave në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera të vendit. Para pak kohësh, iu vu zjarri qëllimisht katër makinave të parkuara në një lagje në Tiranë. Edhe në këtë rast, zjarrvënia ka qenë e qëllimshme, ndërsa policia nuk ka arritur të zbulojë autorët.