NGA PROF. DR. ELMAS LECI
“Pasi mora miratimin nga shoku Enver, unë rashë dakord me propozimin e Titos për minimin e Kanalit”. Kjo deklaratë unikale është e bërë nga Mehmet Shehut për minimin e Kanalit të Korfuzit dhe tregon gjithçka për atë vepër kriminale. Koha për të cilën bën fjalë deklarata është kur Mehmet Shehu ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare. Në fakt, dekonspirimi i deklaratës së mësipërme është bërë tepër vonë e po nga ai vetë dhe pikërisht më 17 janar të vitit 1957, në një takim kur Mehmet Shehu ishte bërë Kryeministër, është bërë në një bisedë me një delegacion kinez dhe kjo tregon qartë se Kanalin e Korfuzit e “minoi” Enver Hoxha me jugosllavët. Në fakt, minat i vuri Tito, forcat detare jugosllave, por iniciativën dhe miratimin e dha Enver Hoxha. Ja dhe deklarata më e plotë e Mehmet Shehut: “Në të vërtetë, ujërat tona territoriale u minuan nga ne. Kjo ndodhi në këto rrethana. Unë isha në Beograd. Në atë kohë unë isha Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Tito propozoi që të minohej Kanali i Korfuzit. Kështu që ne vendosëm minat me ndihmën e detarëve jugosllavë…
Nga ana jonë, shoku Enver dhe unë si dhe një detar shqiptar, ishim në dijeni. Nga pala jugosllave ishin në dijeni Tito, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë së tyre, si dhe detarët. Askush tjetër nuk kishte dijeni, duke përfshirë edhe shokët e Politbyrosë në partinë tonë”.
Që Enver Hoxha “minoi” Kanalin e Korfuzit, kjo tashmë është e vërtetuar katërcipërisht, por më parë duhet të pyesim se përse e bëri Enver Hoxha këtë krim makabër, duke vrarë me atë minim 44 marinarë anglezë?! Dokumentet historike të arkivave tashmë të deklasifikuar, flasin qartë se “anijet jugosllave u nisën nga Shibeniku dhe erdhën e minuan Kanalin e Korfuzit”. Planin e minimit e kishte miratuar vetë Enver Hoxha. Në argumentim, për çështjen e minimit të Kanalit të Korfuzit, ka disa telegrame e nota mes Tiranës e Beogradit dhe anasjelltas. Në fakt, në Kanalin e Korfuzit, minat i “hodhën” marinarët jugosllavët, por Enver Hoxha ishte në dijeni të plotë të minimit dhe siç e deklaronte Mehmet Shehu, Enver Hoxha e miratoi atë minim.
SI NDODHI NGJARJA
Ngjarja, e quajtur incident, ndodhi më 22 tetor të vitit 1946. Citojmë telegramin e ish -ministrit të Brendshëm shqiptar, gjeneral-leitnant Koçi Xoxe, dërguar udhëheqjes së Beogradit vetë Josif Broz Titos: “Në pasditen e datës 22 të këtij muaji (tetor 1946) u panë 4 (katër) vaporë anglezë të udhëtonin për në Korfuz përgjatë bregdetit të Sarandës. Njëri prej tyre takoi në një minë dhe u ndez flakë. Njëri nga të tjerët zbarkoi me barkë ushtarët rreth vaporit të djegur. Një tjetër zuri vend në ujërat tona, midis katundeve tona Borsh e Piqeras dhe tjetri midis Piqerasit e Kakomesë. Një motoskaf i yni i vëzhgimit shkoi pranë tyre dhe pyeti se çfarë kishin. Ata iu përgjigjën se sot nuk kemi kohë për t’u përgjigjur, mbasi kemi punë. Më vonë, dy nga vaporët rimorkiuan vaporin e djegur dhe u nisën në drejtim të Korfuzit. Vapori i katërt ngeci në vend. Më vonë edhe ky u largua”. Kaq thotë ministri i Brendshëm Koçi Xoxe në telegramin informativ për Josif Broz Titon.
Mirëpo ç’kishte ndodhur? Nga “incidenti”, siç e ka quajtur diplomacia komuniste shqiptare, kishin mbetur të vrarë 44 marinarë anglezë, luftanija e të cilëve ishte hedhur në erë nga minat detare. Janë ngritur gjithnjë pyetjet: Kush i vendosi minat, si i vendosi dhe përse i vendosi? Përgjigjet e Tiranës komuniste kanë qenë se anglezët shkelën ujërat territoriale (veprim i padrejtë) ndërsa Shqipëria nuk ka pasur kapacitete minimi. Atëherë, kush i vendosi minat dhe përse?! Versioni i Tiranës komuniste për minat se “ishin mbeturina gjermane”. Deri vonë incidenti ishte interpretuar vetëm si përgjegjësi e njëanshme e Britanisë së Madhe, që dërgoi anijet e saj të Luftës në Kanalin e Korfuzit dhe ku ato ndeshën në mina. Sipas versionit komunist shqiptar, minat ishin vendosur nga gjermanët, qysh në kohën e Luftës së Dytë Botërore.
Kërkimet vërtetuan se këto mina ishin vendosur nga anijet ushtarake jugosllave, rezultat i një marrëveshje të fshehtë Beograd – Tiranë në qershor të vitit 1946. E vërteta është se minimi ishte bërë nga jugosllavët me dijeninë e Enver Hoxhës. Luftanijet minavënëse jugosllave, të ardhura në një natë të errët nga Shibeniku në fund të shtatorit të vitit 1946 (sipas dokumenteve angleze dhe ruse), vendosën minat e prodhimit gjerman në Kanalin e Korfuzit. Për këtë veprim bërë me dijeninë e regjimit të Tiranës, tregojnë edhe dokumentacionet e kohës (telegramet, letërkëmbimet e mesazhet) dërguar Beogradit e marrë nga Tirana. Pra, ustai ishte në Beograd, por miratimin e kishte dhënë vetë Enver Hoxha. Këtë e kanë pranuar edhe Koçi Xoxe edhe Mehmet Shehu.
DOKUMENTET
Nga dokumentacionet arrihet në konkluzionin se konflikti shqiptaro – anglez për të ashtuquajturin incident i Kanalit të Korfuzit e ka bazën në Beograd. Ishin jugosllavët ata që kurdisën prapaskenën dhe me dijeninë e Tiranës vranë 44 djem të pafajshëm anglezë. Ngjarja ndodhte kur Shqipëria kërkonte me këmbëngulje të futej në OKB, gjë e cila Beogradit nuk i pëlqente. Planet jugosllave ishin për aneksimin e Shqipërisë në Federatën Jugosllave, jo për pranimin e saj në OKB pasi pranimi i Shqipërisë në OKB e hiqte shansin për aneksim.
Ka edhe versione të tjera, që incidenti i Kanalit të Korfuzit u bëngaqë anglezët kërkonin pushtimin e Shqipërisë, rrëzimin e qeverisë së Tiranës etj.etj.. Që anglezët ishin kundër qeverisë komuniste të Tiranës, kjo nuk diskutohet, por që donin të bënin pushtim ushtarak të Shqipërisë, ky ishte absurditet. Të kërkosh ndryshime demokratike, kjo është e drejtë e secilit vend që i gëzon ato parametra, siç ishin e janë edhe anglezët apo amerikanët, ndërsa të kërkosh e ca më shumë të pushtosh një vend, është akt agresioni. Potencialisht anglezët dhe amerikanët mund ta bënin atë sa herë të donin, por as që u ka shkuar ndonjëherë ndër mend një gjë e tillë për Shqipërinë. Nuk ishin anglezët dhe as amerikanët ata që kërkonin të izolonin vendin tonë, Shqipërinë, nga bota e jashtme, por ishin vetë liderët komunistë, Enver Hoxha në unison me Beogradin që me diplomacinë e tyre i vinin çështjes shqiptare barriera njërën pas tjetrës. Mund të ngrihen mijëra pyetje me përmbajtjen: Po ç’deshën luftanijet angleze në ujërat territoriale shqiptare?! “Është i drejtë versioni, madje për këtë shkelje u vendosën edhe përgjegjësitë; por nuk është i drejtë amplifikimi i qeverisë shqiptare apo qëndrimi kokëfortë i diplomacisë së Tiranës, që minat ishin të mbetura nga koha e pushtimit gjerman”.
PRAPASKENAT
Jo vetëm prapaskena makabre shqiptaro-jugosllave e Kanalit të Korfuzit, por mbi qeverinë e Tiranës, e cila kërkonte me këmbëngulje pranimin në OKB, rëndonte edhe përkrahja e Partisë Komuniste greke, e partizanëve grekë, konflikt i brendshëm që e çoi popullin grek në luftë civile. A thua se edhe për këtë fajin e kishin anglo-amerikanët? Por si mund të ishin anglezët apo amerikanët pro anëtarësimit në organizma ndërkombëtare të një regjimi, siç ishte ai i Enver Hoxhës, i cili jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në atë të jashtëm, ndiqte një politikë luftënxitëse dhe zbatonte një diplomaci të fshehtë për minimin e paqes rajonale?! Më parë, qeveria e Enver Hoxhës i kishte paraqitur qeverisë sovjetike shqetësimin se mos vinin ekspertët ndërkombëtar për kontrollin e minave në Kanalin e Korfuzit.
Dhe, në fakt, më 2 dhjetor të vitit 1948, Molotovi, shqetësimin e Enver Hoxhës për një vendim ndëshkues nga Gjykata e Hagës, ia raportoi Stalinit: “Shqiptarët tremben se Gjykata Ndërkombëtare do të marrë vendim për ekspertizë në vend. Atëherë do të zbulohen minat e vendosura dikur nga jugosllavët (103 copë). Shqiptarët kërkojnë këshilla, nëse duhet urgjentisht të fillojnë pastrimin”. Për shqetësimin e Qeverisë shqiptare, ministri sovjetik i Mbrojtjes u porosit nga Stalini që në mënyrë urgjente dhe sekrete të dërgonte ekipin e ekspertëve për të ndihmuar në pastrimin e minave të mbetura. Mirëpo në Sarandë, për verifikim, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dërgoi në fund të janarit ekipin e ekspertëve dhe bëri vëzhgime në bregdetin e Sarandës por nuk konstatoi mina. Në fakt, sovjetikët e kishin “kryer detyrën” më përpara se të vinin aty ekspertët për verifikime ekspertët e Gjykatës.
GJYKATA NDËRKOMBËTARE
Megjithatë edhe pse nuk konstatoi mina, Gjykata Ndërkombëtare për “incidentin” mori penalizëm ndaj Shqipërisë, me arin e depozituar në Londër. Dhe ja si shpjegohet kjo çështje në shtypin shqiptar në vitet e demokracisë: Më 14 shkurt të vitit 1949, nëpërmjet Molotovit, i erdhi qeverisë shqiptare “këshilla” e Stalinit që ta nënshkruante menjëherë deklaratën ose aktin e denoncimit. Kjo bëhej përpara pritjes së raportit përfundimtar të ekspertëve të Gjykatës Ndërkombëtare për misionin e tyre të vëzhgimit në Shibenik e në Sarandë. Dhe, në fakt, raporti i ekspertëve iu dërgua përmes agjentëve qeverive shqiptare e britanike, të cilat duhej të kthenin vërejtjet e tyre brenda një jave. Qeveria shqiptare nuk i pranoi konkluzionet e ekspertëve për vëzhgimet e tyre në Sarandë, ndërsa qeveria britanike në përgjigjen e saj i mbështeti ato. Britanikët riafirmuan konkluzionin e ekspertëve se në pikën Denta ka pasur postë vrojtimi, se vendosja e minave nuk mund të bëhej pa dijeninë dhe bashkëpunimin e Shqipërisë me një partner dhe se sjellja e autoriteteve shqiptare gjatë shqyrtimit në vend të fakteve nga ekspertët ndërkombëtarë, nuk ishte bashkëpunuese. Pasi mori vërejtjet e të dyja palëve, për raportin e ekspertëve, Gjykata i “mbylli” dyert për seancat publike dhe nisi diskutimin paraprak të dy pikave të Kompromisit të 25 marsit 1948. Ndonëse anëtarët e Gjykatës betoheshin për të ruajtur fshehtësinë e debateve e presupozohej një sekret i plotë për çfarë diskutohej si dhe për opinionin e gjyqtarëve, rrjedhja e informacionit bëhej në forma të ndryshme. Vetë anëtarët e Gjykatës në mënyrë “konfidenciale” jepnin të dhëna se për atë çfarë po ndodhte brenda sallave të mbyllura të saj.
Më 21 shkurt të vitit 1949, Gjykata Ndërkombëtare përfundoi diskutimin paraprak të pikës së parë të Kompromisit. Dhjetë gjykatës u shprehën se Shqipëria nuk mund të mos dinte mbi vendndodhjen e minave dhe e cilësuan mosveprimin si të qëllimshëm. Gjykatësit brazilianë e polakë mbrojtën mendimin e neglizhencës së Shqipërisë në ruajtjen e ujërave të saj territoriale, ndërsa gjykatësit sovjetikë, jugosllavë e çekosllovakë deklaruan se kishte mungesë provash për të mbështetur kërkesën britanike. Më 23 shkurt të vitit 1949, filloi diskutimi paraprak për pikën e dytë të Kompromisit, ku pothuajse në mënyrë unanime gjykatësit ishin të mendimit se Britania e Madhe kishte shkelur sovranitetin e Shqipërisë por në mbrojtje të saj u vunë avokatët më të mirë, të cilët e hodhën poshtë versionin. Pas këtyre diskutimeve plenare, Gjykata krijoi një Komitet redaktues për të formuluar me shkrim projekt – vendimin. Komiteti do t’i studionte vërejtjet dhe do t’i jepte formën përfundimtare vendimit të Gjykatës. E gjithë kjo procedurë u zhvillua gjatë muajit mars të vitit 1949.
RRJEDHA E NGJARJEVE
Qeveria shqiptare ishte e pafuqishme të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve, ndonëse avokatët e kishin kryer punën e tyre me shumë përkushtim e profesionalizëm të lartë për të mbrojtur edhe atë çfarë ishte e pamundur të mbrohej. Shpresa e vetme për të ndihmuar e për të marrë një informacion nga brenda Gjykatës, ishte gjykatësi sovjetik Krillov. Më 18 mars të vitit 1949 Behar Shtylla, me cilësinë si agjent i qeverisë shqiptare, bëri udhëtimin e tij të parë në Hagë, ku takoi Kryetarin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Gjykatës, si dhe mjaft gjykatës të tjerë. Por, siç shkruan ai në kujtimet e tij “Kronika diplomatike” ende të pabotuar, “të gjithë në atë Gjykatë ishin tepër të sjellshëm, ishin të gatshëm të diskutonin për çështje të përgjithshme kulturore e historike për Shqipërinë e vendet e tyre, por ata i largoheshin me takt bisedës për çështjen e Kanalit të Korfuzit”. Përmbajtjen e të gjitha bisedave, Behar Shtylla e dërgoi me radiogram në Tiranë më 21 mars të vitit 1949 dhe ditën tjetër me letër më të zgjeruar.
Gjyqtari sovjetik Krillov i tha diplomatit shqiptar se vendimi i Gjykatës ende nuk kishte marrë formë të prerë dhe se komiteti i redaktimit do të jepte variantin përfundimtar brenda dy-tri ditëve. Krillovi e informoi Behar Shtyllën se shumica e gjykatësve mbështesnin Britaninë e Madhe në akuzën e saj kundër Shqipërisë, në pikën e parë kundër Kompromisit dhe se ndër gabimet kryesore që ishin bërë, ishte letra e 17 majit e vitit 1946 e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare drejtuar trupit diplomatik në Tiranë, si dhe letra e 2 korrikut e vitit 1947. Ekspertizën e Gjykatës në Sarandë ai e quajti “”fatkeqe”, sepse ajo dha opinionin se nga postet e rojeve bregdetare shqiptare mund të shihej vendosja e minave”. Gjykatësi sovjetik premtoi të punonte për të ndryshuar togfjalëshin “Shqipëria ka ditur vendosjen e minave”, që ishte vendosur në projektvendim, duke e zëvendësuar me togfjalëshin “Shqipëria duhej të kishte ditur”. Sipas Krillovit, në variantin e parë akuza ishte e rëndë, përbënte faj e krim kundër njerëzimit, ndërsa në variantin e dytë kuptohej si neglizhencë, e cila mund t’u atribuohej rojeve bregdetare dhe jo qeverisë. në këtë rast qeveria shqiptare do t’i paguantedëmshpërblime Britanisë për dëmet në njerëz e në anije.
DËMSHPËRBLIMI
Në çështjen e dëmshpërblimeve, Krillovi kishte një pikëpamje të veçantë. “Gjykata ka të drejtë ta caktojë vetë sasinë e dëmeve, – i tha ai Behar Shtyllës, – por duhen bërë përpjekje që kjo çështje të mbetet për t’u vendosur nga të dyja palët në bisedime direkte. Ai tërhoqi vëmendjen e agjentit të qeverisë shqiptare për vendosmërinë që tregonin britanikët për të marrë dëmshpërblimet dhe paralajmëroi se ata do të mundoheshin të mbanin arin shqiptar të depozituar në një nga bankat e Londrës, ndaj dhe sugjeroi tërheqjen e tij. Informacioni që dërgoi Behar Shtylla u prit mirë në Tiranë. Shenjat se gjyqi nuk do fitohej ishin dhënë qysh më parë, por shpresohej që dënimi të përcaktohej me terma të buta dhe që nuk e bënin Shqipërinë fajtore për një krim ndërkombëtar, ndonëse avokatët e kishin kryer punën e tyre me shumë përkushtim e profesionalizëm të lartë për të mbrojtur edhe atë çfarë ishte e pamundur të mbrohej. Shpresa e vetme për të ndihmuar e për të marrë një informacion nga brenda Gjykatës, ishte gjykatësi sovjetik Krillov.
Më 18 mars të vitit 1949 Behar Shtylla, me cilësinë si agjent i qeverisë shqiptare, bëri udhëtimin e tij të parë në Hagë, ku takoi Kryetarin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Gjykatës, si dhe mjaft gjykatës të tjerë. Por, siç shkruan ai në kujtimet e tij “Kronika diplomatike” ende të pabotuar, “të gjithë në atë Gjykatë ishin tepër të sjellshëm, ishin të gatshëm të diskutonin për çështje të përgjithshme kulturore e historike për Shqipërinë e vendet e tyre, por ata i largoheshin me takt bisedës për çështjen e Kanalit të Korfuzit”. Përmbajtjen e të gjitha bisedave, Behar Shtylla e dërgoi me radiogram në Tiranë më 21 mars të vitit 1949 dhe ditën tjetër me letër më të zgjeruar. Gjyqtari sovjetik Krillov i tha diplomatit shqiptar se vendimi i Gjykatës ende nuk kishte marrë formë të prerë dhe se Komiteti i redaktimit do të jepte variantin përfundimtar brenda dytri ditëve. Krillovi e informoi Behar Shtyllën se shumica e gjykatësve mbështesnin Britaninë e Madhe në akuzën e saj kundër Shqipërisë, në pikën e parë kundër Kompromisit dhe se ndër gabimet kryesore që ishin bërë, ishte letra e 17 majit e vitit 1946 e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare drejtuar trupit diplomatik në Tiranë, si dhe letra e 2 korrikut e vitit 1947.
Ekspertizën e Gjykatës në Sarandë ai e quajti “”fatkeqe”, sepse ajo dha opinionin se nga postet e rojeve bregdetare shqiptare mund të shihej vendosja e minave”. Gjykatësi sovjetik premtoi të punonte për të ndryshuar togfjalëshin “Shqipëria ka ditur vendosjen e minave”, që ishte vendosur në projektvendim, duke e zëvendësuar me togfjalëshin “Shqipëria duhej të kishte ditur”. Sipas Krillovit, në variantin e parë akuza ishte e rëndë, përbënte faj e krim kundër njerëzimit, ndërsa në variantin e dytë kuptohej si neglizhencë, e cila mund t’u atribuohej rojeve bregdetare dhe jo qeverisë. Në këtë rast qeveria shqiptare do t’i paguante dëmshpërblime Britanisë për dëmet në njerëz e në anije. Në çështjen e dëmshpërblimeve, Krillovi kishte një pikëpamje të veçantë. “Gjykata ka të drejtë ta caktojë vetë sasinë e dëmeve, – i tha ai Behar Shtyllës, – por duhen bërë përpjekje që kjo çështje të mbetet për t’u vendosur nga të dyja palët në bisedime direkte. Ai tërhoqi vëmendjen e agjentit të qeverisë shqiptare për vendosmërinë që tregonin britanikët për të marrë dëmshpërblimet dhe paralajmëroi se ata do të mundoheshin të mbanin arin shqiptar të depozituar në një nga bankat e Londrës, ndaj dhe sugjeroi tërheqjen e tij. Informacioni që dërgoi Behar Shtylla u prit mirë në Tiranë. Shenjat se gjyqi nuk do fitohej ishin dhënë qysh më parë, por shpresohej që dënimi të përcaktohej me terma të buta dhe që nuk e bënin Shqipërinë fajtore për një krim ndërkombëtar.
/Gazeta Panorama