Uashingtoni kundër Berlinit

Kur më 1682 anglezi William Penn, pronar i provincës me emrin Pennsylvania, shkoi në Vestfali dhe në Palatinat, nuk e imagjinonte se me këtë rast do të takonte kërthizën e Amerikës. Në kërkim emigrantësh për të populluar territorin e tij dhe të bashkëfetarëve për t’u shpëtuar persekutimeve, trashëgimtari kuejkër arriti që t’i bindte banorët ta kalonin Atlantikun. Anabaptistëve, menonitëve dhe pietistëve iu premtua tokë për ta punuar, liri fetare absolute dhe një panoramë që të sillte ndërmend peizazhet e Aifelit. Apeli u mirëprit nga Abraham op den Graeff dhe nga 12 banorë të tjerë të Krefeldit në Vestfali, që më 6 tetor 1683 në bordin e anijes “Concord” zbarkuan në Pennsylvania. Qe fillimi i eksodit më imponues drejt Botës së Re. 13 fillestarët themeluan qytetin Germantown, sot zemra e Philadelphia dhe 5 vite më pas frymëzuan lëvizjen kundër skllavërisë. Mbi të gjitha inauguruan një rrugë që gjatë shekujve do të çonte në kontinentin veriamerikan mbi 7 milionë bashkëkombas, të çdo feje dhe besimi. Renanë, vestfalianë, saksonë, bavarezë, pomeranë, turingas, zviceranë, habsurgas, gjermanë të Vollgës, që pothuajse për inerci kanë plazmuar kulturën amerikane dhe futur kombin gjerman në fatin e Shteteve të Bashkuara. Prandaj Gjermania ka qenë për një kohë të gjatë fuqia e vetme njëherazi në gjendje të dominojë Eurazinë dhe të copëtojë Amerikën nga brenda. Më e rrezikshme se Japonia dhe Bashkimi Sovjetik, pasi e pajisur me një kolonë të pestë (potenciale) të ngulitur mirë përtej oqeanit. Për t’i anuluar pretendimet hegjemoniste dhe për t’i penguar lidhjen me Rusinë, në shekullin XX Shtetet e Bashkuara kanë luftuar dy konflikte botërore dhe e kanë vendosur Bonin në qendër të strategjisë së tyre për pjesën tjetër të Luftës së Ftohtë. Duke sanksionuar forcën asimiluese të Deutschamerikaner dhe duke i shndërruar në një fakt fushatat e Europës në luftëra civile “gjermane”. As përfundimi i erës bipolare nuk e ka zhdukur marrëdhënien konfliktuale dhe kontradiktore midis dy vendeve.
Eksportuesi i dytë botëror dhe që tenton fiziologjikisht nga Lindja, Gjermania është për Shtetet e Bashkuara njëherazi një partner historik dhe një kundërshtar strategjik. Me Uashingtonin akoma sot të impenjuar që ta prishë lidhjen midis Berlinit e Moskës dhe ta shtrëngojë Republikën Federale në frontin perëndimor. Në kuadër të një manovre të lidhur me ruajtjen e supremacisë amerikane.
Gjermanët përbëjnë etninë më të përhapur të Amerikës. Sot 55 milionë qytetarë amerikanë gëzojnë një prejardhje të drejtpërdrejtë teutone dhe rreth 100 milionë kanë të paktën një të afërm të ardhur nga Gjermania. Shumë më tepër se anglezët, irlandezët apo meksikanët. Nën shabllonin anglishtfolës që ngatërron vëzhguesit e huaj, përtej oqeani pulson një shpirt thellësisht gjerman. Me kalimin e kohës, miliona Deutschamerikaner e kanë anglishtizuar mbiemrin e tyre për t’ju shmangur paragjykimeve dhe për t’u integruar në shoqërinë e adoptimit, por po t’i përmbahesh censusit të 2010 përfaqësojnë grupin e parë ose të dytë demografik në 32 nga 50 shtete: nga California në Texas; nga Illinois në Pennsylvania; nga Florida në Alaska. Ekziston një rrip gjerman që, pa zgjidhje vijueshmërie, e përshkon të gjithë kontinentin duke u shtrirë nga Delaware në Oregon.
Kështu që nuk habit aspak fakti që janë gjermanë simbolet dhe artefica të kulturës dhe industrisë amerikane, duke filluar nga kuzhina. I famshmi hamburger u prezantua për herë të parë në Ohio nga saksonët Frank dhe Robert Menches; hot dog u tregtua në New York nga frankfurtasi Charles Feltman (për këtë arsye i quajtur edhe “frank”); pretzel u shit për herë të parë në Philadelphia nga emigrantë zviceranë; Pepsi-Cola u lançua në nivel kombëtar nga “gjermanët” Charles Guth e Walter Mack. Në mënyrë të ngjashme janë të shenjës teutonike disa prej markave më të famshme të Amerikës (dhe të botës). Midis tyre: Levi Strauss e themeluar nga bavarezi Löb Strauss; Apple e siriano–gjermanit Steve Jobs (mbiemri i vërtetë: Jandali–Schieble); IBM-ja e renanit Herman Hollerith; DELL e krijuar nga Michael Dell (në gjendje civile: Thal-Langfan); Chrysler e Walter Greisler, autokton nga Palatinati; kompania e hotelerisë Waldorf Astoria e renanit Jacob Astor; salsa Heinz e John Heinz të ardhur nga Kallstadt; Boeing u themelua nga William Boeing, me origjinë nga Hagen-Hohenlimburg i Vestfalisë; Kraft e menonitit James Kraft; Rockfeller e familjes Rockenfeller, edhe ajo me prejardhje nga Palatinati. Qenë (hebrenj) gjermanë ata që krijuan industrinë e kinemasë amerikane, duke zgjedhur dritën e Hollywood si vendndodhjen e filmave të tyre dhe duke e transformuar në nënshtresën e soft power amerikan. Në mënyrë të veçantë, Karl Lammle themeloi Universal; Marcus Löw themeloi Metro-Goldwyn-Mayer; Joe Brandt dhe Harry Cohn themeluan Columbia Pictures. Emigrantë të tjerë gjermanë kanë shënuar evenimentet epokale të historisë amerikane. Peter Minuit, vestafalian nga Wesel, ua mori ishullin e Manhattan indianëve lanape për 60 fiorina; baroni prusian Friedrich Wilhelm von Steuben, më parë në shërbim të shtëpisë Hohenzollern, qe strateg dhe mik personal i George Washington gjatë revolucionit antibritanik dhe atij i dedikohet parada vjetore e gjermano–amerikanëve; turingasit John e Washington Röbling projektuan dhe ndërtuan urën e famshme të Brooklyn; George Custer, gjeneral nga Palatinati, mbiemri fillestar i të cilit ishte Küster, qe një prej heronjve të Gettysburg; shtetasit nga Dukati Brunswick, Henry Hammel dhe Andrew Denker, deri më 1900 qenë pronarët e vetëm të qytetit Beverly Hills, shembulli maksimal i salltanetit amerikan; prusiani George Herman “Babe” Ruth konsiderohet kampioni më i madh në historinë e bejsbollit amerikan, loja kombëtare e superfuqisë. Në shekullin XX janë zgjedhur presidentë Deutschamerikaner të ndryshëm: nga kuejkëri vurtembergas Herbert Hoover (Hüber-Burkhart në formën fillestare) tek saarasi Dwight “Ike” Eisenhower (Eisenhauer); nga po aq kuejkëri Richard Milhous Nixon (Melhausen Nixon) tek Bushi baba dhe bir (kryesisht anglezë dhe gjermanë nga Palatinati). Deri tek Obama që posedon origjinë gjermane nga ana e nënës, që janë nga Besigheim-i në Baden-Württemberg. Veç kësaj, në dekadat e fundit janë emëruar sekretarë Shteti sidomos qytetarë me origjinë gjermanike, pothuajse sikur t’u takonte vetëm atyre të përfaqësonin Shtetet e Bashkuara në botë. Në pasLuftën e Dytë, në renditje kronologjike: Christian Herter; David Rusk (Clotfelter Rusk); bavarezi Heinz (Henry) Kissinger; George P. Shultz (Schultz); Lawrence Eagleburger; Warren Lemen Christopher; Madeleine Albright (Korbel); John Kerry (Kohn).
Tashmë krejtësisht të asimiluar, “gjermanët” përbëjnë palcën e shoqërisë amerikane. Theksi i Midwest, territor pothuajse ekskluziv i kolonizuar gjermanik, konsiderohet standard dhe përditë amerikanët përdorin shprehje të ndryshuara nga gjuha gjermane, si mox nix (macht nichts, “nuk bën asgjë”). Zgjedhjet presidenciale, rit popullor në të cilin Amerika pyet vetveten, hapen më shumë gjermanë në Iowa (pothuajse 40 për qind e qytetarëve me origjinë nga Gjermania, kundrejt 13 për qind të irlandezëve, grupi i dytë epokal) për t’u vendosur më pas zakonisht në Ohio, shtetin ku rreth 300 mijë njerëz flasin ende renanishten e menonitëve. Siç duket logjike që në këtë fazë Donald Trump, mbiemri i vërtetë i të cilit Drumpf vjen nga Paltanitai, është mbrojtësi i old stock ndaj çdo infektimi halogjen.
Megjithatë, në fillim të nëntëqindës gjendja e Deutschamerikaner ishte shumë e ndryshme. Të ardhur nga Europa në shekullin e mëparshëm, ata regjistroheshin sidomos në shoqata etnike (Vereine) dhe i refuzonin zakonet amerikane. Akoma më 1917 të rinjtë e Indianapolis e këndonin himnin kombëtar në gjermanisht dhe në kishat luterane mesha mbahej ekskluzivisht në gjuhën e Kant. Kështu që kur më 1914 shpërtheu konflikti i parë botëror, me Gjermaninë wilhelmiane që sulmonte hegjemoninë anglosaksone, Shtetet e Bashkuara u gjetën papritmas të kalonin një rrezik ekzistencial të natyrës bashkëkohore endogjene dhe ekzogjene. Nga njëra anë rreziku që Rajhu mund të dominonte masën euraziatike dhe oqeanet dhe nga ana tjetër mundësia që Deutschamerikaner të rreshtoheshin në krah të atdheut të tyre, duke e copëtuar indin social amerikan dhe duke minuar projektimin ushtarak të Uashingtonit. Kishte shpërthyer çështja gjermane, që qysh atëherë do ta vendoste fatalisht historinë amerikane. Duke parë izolacionizmin e opinionit publik, dobësia e forcave të armatosura dhe ndryshimi i gjermano–amerikanëve, në agimin e Luftës së Madhe administrata Wilson u detyrua që të zgjedhë neutralitetin. Nga ana tjetër më 1914 nënsekretari i Shtetit gjerman, Arthur Zimmermann kishte paralajmëruar James Gerard, ambasadorin në Berlin, se 500000 rezervistë me origjinë gjermanike qenë gati ta linin Botën e Re për të luftuar në radhët e Rajhut. Më 27 janar 1916, mijëra gjermanë u derdhën në rrugët e Chicagos për të festuar ditëlindjen e Kajzerit, deri kur paaftësia e franko–britanikëve për ta fituar luftën, sulmet e nëndetëseve gjermane kundër anijeve amerikane dhe dalja nga skena e Rusisë cariste, nuk e bindën Wilson lidhur me nevojën e Amerikës për t’u ndeshur me “armikun” e jashtëm dhe të brendshëm. Me objektivin e prishjes në favorin e vet të impasit etnik, Shtëpia e Bardhë e transformoi konfliktin në një luftë civile “gjermane” të pjesshme, duke dërguar në llogoret europiane mijëra gjermano–amerikanë dhe duke ua besuar operacionet komandantëve me origjinë të pastër teutone.
Nëpërmjet represionit dhe sakrificës së luftës, Deutschamerikaner iu imponua asmilimit. Duke filluar nga 6 prilli 1917, dita në të cilën Kongresi i shpalli luftë perandorive të Boshtit, banorët e lindur në Gjermani u detyruan që t’u njoftojnë çdo spostim të tyre forcave të policisë dhe mbi 2000 u mbyllën në kampet e përqendrimit e Fort Douglas në Utah dhe Fort Oglethorpe në Georgia. Për t’iu shpëtuar dyshimeve dhe linçimeve, shumë qytetarë e anglizuan mbiemrin e tyre: Schmidt, Braun, Müller, Rauh apo Schneider (rrobaqepës në gjermanisht) u bënë respektivisht Smith, Brown, Miller, Row dhe Taylor (rrobaqepës në anglisht). Fjala von u zhduk nga regjistrat e gjendjeve civile. Ndërkaq arritën në Europë rreth 2 milionë e 500 mijë ushtarë amerikanë (doughboys), prej të cilëve rreth 1 milion me origjinë gjermane dhe 177 mijë të lindur në Rajh. Në udhëheqje të tyre u vendos shkencërisht Gjenerali John “Black Jack” Pershing, nga një familje vestfaliane e zbarkuar si Persching. Pikërisht ardhja e përforcimeve nga përtej oqeani e pengoi Perandorinë wilhelmiane të absorbonte forcat dhe brenda pak muajve e detyroi të dorëzohej. Megjithëse fitimtare, në përfundim të luftës së madhe Amerika u kthye në izolacionizëm. Nuk e imagjinonte se dyfishtësia (e perceptuar) e popullsisë gjermane do të shfaqej qartë akoma. Midis viteve 1929 dhe 1933, qe Presidenti Herbert Hoover dhe masat e adoptuara gjatë konfliktit të mëparshëm, ato që përcaktuan asimilimin e pjesshëm të emigrantëve, por ardhja e nazizmit dhe militarizmi i tij e kërcënuan sërish qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. Në vitet ‘30, rreth 200000 Deutschamerikaner u regjistruan në German American Bund (Amerikadeutscher Volksbund), organizatën vendore aderuese në Partinë Naziste e drejtuar nga Fritz Julius Kuhn. Në momentin e ekspansionit maksimal, Bund mund të mbështetej mbi kampe stërvitjeje të shumta të shpërndarë nëpër Shtetet e Bashkuara: në New Jersey (Camp Nordland dhe Camp Bergwald); në shtetin e New York-ut (Camp Siegfried dhe Camp Highland); në Wisconsin (Camp Hindenburg); në Pennsylvania (Camp Deutschhorst). Biles më 20 shkurt 1939 rreth 50000 njujorkezë morën pjesë në paradën e Bund në afërsitë e Madison Square Garden. Për arsye të qarta të natyrës etnike, edhe në fillim të Luftës së Dytë Uashingtoni zgjodhi mosndërhyrjen. Për të marrë më pas pjesë në luftime pas sulmit ndaj Pearl Harbor dhe shpalljes së luftës gjermane më 11 dhjetor 1941. Fuqi me shtrirje globale, Shtetet e Bashkuara ju përgjigjën tentativës japoneze për të dominuar Paqësorin dhe pushtimit nazist të Bashkimit Sovjetik që mund t’i garantonte Hitlerit dominimin e Eurazisë. Siç ndodhi më 1917, administrata federale e shtypi diversitetin e gjermanëve dhe i transformoi armiqësitë në një konflikt “pangjerman”.
Më 1942, 11507 qytetarë amerikanë me prejardhje teutonike u internuan në kampet e përqendrimit të Crystal City, Kenedy e Seagoville në Texas; Camp Blanding në Florida, Stringtown në Oklahoma; Fort Lincoln në North Dakota; Camp Forrest në Tennessee. Në fjalët e Roosevelt të referuara ministrit të Drejtësisë, Francis Biddle thuhet: “Nuk e vras mendjen për italo–amerikanët. Janë këngëtarë operash. Kurse gjermanët janë të rrezikshëm”. 3 milionë gjermano–amerikanë u dërguan në front për të luftuar nazistët, në një lloj lufte civile gjermane. Disa raste janë të mahnitshme. Werner Göring, i lindur në Salt Lake City dhe djali i vëllait të Hermann Göring, qe pilot i Aviacionit amerikan në bazën angleze Molesworth. Sipas bashkëpilotit Jack Rencher, Göring nuk i mbajti lotët në momentin e bombardimit të Kölnit, qyteti i lindjes së gjyshes së tij. Patrick Hitler, nipi i Führer i emigruar në Shtetet e Bashkuara, u rekrutua në Marinën amerikane falë një autorizimi special të Shtëpisë së Bardhë dhe i plagosur gjatë operacioneve ushtarake, siguroi një Purple Heart. Në të njëjtën mënyrë në krye të fushatës aleate u vendosën sidomos amerikanë me origjinë gjermane. Gjenerali Dwight Eisenhower u emërua Komandant Suprem i Forcave Aleate; Gjenerali “sakson” Carl “Tooey” Spaatz qe Komandant i Forcave Ajrore; Chester W. Nimitz, admiral teksan nga një familje me prejardhje nga Bremeni, qe Komandant i Forcave Detare; Gjenerali Henry “Hap” Arnold qe shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Ajrore amerikane.
Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore iu dha fund përfundimisht rrezikut endogjen Deutschamerikaner. Heronj të luftës, tashmë të arritur në gjeneratën e 4-ët ose të 5-të, gjermanët e Amerikës i zhveshën përgjithmonë kostumet e alienëve për të mishëruar zakonet e përtej oqeanit. Megjithatë, Gjermania mbeti prioritet i strategjisë amerikane. Në llogaritjet e Uashingtonit, dominimi i mundshëm i Moskës mbi Europën Perëndimore dhe lidhja midis industrisë së Republikës Federale dhe hidrokarbureve siberiane do t’i mundësonin Bashkimit Sovjetik që ta mundte Amerikën. Ishte i nevojshëm të mbrohej kufiri midis dy Gjermanive dhe njëkohësisht të stimulohej ekonomia vendore për të favorizuar riarmatimin e Bonit dhe të kontinentit. Nga nevoja të tilla specifike gjeopolitike lindën Plani Marshall dhe proteksionizmi me të cilat amerikanët shpërndanë në mënyrë të racionuar eksportin e prodhimeve të tyre.
Në vitet e pasLuftës së Dytë, Uashingtoni hodhi themelet e shtetit të ri gjerman, duke i bërë funksionale me interesat e tij. Në vitin 1955 u krijuan Forcat e Armatosura Federale (Bundeswehr), ndihmëse të atyre amerikane dhe një vit më vonë lindi shërbimi i inteligjencës (Bundesnachrichtendienst, me akronimin BND), të cilit ju imponua që t’i përgjigjej drejtpërsëdrejti CIA-s. Për të mbrojtur Bonin, Pentagoni ndërtoi 251 instalime ushtarake në territorin gjerman dhe deri gjatë viteve më dramatike të luftës në Vietnam refuzoi që të transferojë mjete dhe njerëz nga Europa në Indokinë. Kështu, për ta mbajtur Republikën Federale në bllokun perëndimor, në vitin 1970 Kissinger e pranoi me gjysmë zemre Ostpolitikën e ndjekur nga Egon Bahr, sekretar i Shtetit, megjithëse frikësohej se një qasje e tillë përfaqësonte teutonin që rrëshqiste drejt Lindjes dhe mund të rezultonte në finlandizimin e Gjermanisë. Dimensioni stratregjik i dhënë nga amerikanët dosjes gjermane gjeti kështu konfirmim në rënien e Murit të Berlinit, ngjarja që i dha fund epokës bipolare. Shtetet e Bashkuara nuk e kishin braktisur kurrë synimin për ta “rifituar” Gjermaninë Lindore dhe në vitin 1989 administrata Bush u rreshtua menjëherë në favor të ribashkimit. Britania e Madhe dhe Franca qenë kundër – sidomos Thatcher i frikësohej faktit se mos një Gjermani e bashkuar do ta prishte ekuilibrin kontinental dhe shikonte me dyshim pikërisht ndaj influencës së Deutschamerinaker në politikën e jashtme amerikane – por Uashingtoni imponoi aneksimin e RDGJ-së, pasi kështu do të dominonte të gjithë kontinentin duke u projektuar në ish-hapësirën sovjetike. Në bindjen se kontrolli mbi aparatet gjermane do ta shtynte Gjermaninë e ribashkuar të konformohej me lëvizjet e superfuqisë, duke hequr dorë nga një qasje realisht e pavarur. Për më tepër, me Moskën në pragun e shembjes, binomi ruso–teutonik dukej jo i praktikueshëm. Në realitet, gjatë viteve nëntëdhjetë, industria e madhe gjermane nisi ta influencojë masivisht strategjinë e Republikës Federale, duke i përcaktuar një ngadalësim të pandalshëm të atlantizmit të saj. Në dehjen e plotë prej fundi historie, administratat e ndryshme amerikane nuk e vranë mendjen. As kundërshtimi i qeverisë Schröder ndaj luftës irakene të 2003 nuk shkaktoi tension. Në një përplasje të re ndërgjermanike, Donald Rumsfeld, shefi i Pentagonit dhe pinjoll i një familjeje nga Saksonia e Poshtme, e damkosi Republikën Federale si “Europë e vjetër”, por shteti i thellë gjerman mori pjesë aktivisht në pushtimin e Irakut dhe kjo e bindi Uashingtonin për besnikërinë e aleatit. Specifikisht, Deutsche Marine mbrojti rrugën e përdorur nga anijet amerikane për të arritur Gjirin Persik; BND-ja i dha CIA-s deklaratat e burimit iraken Curveball lidhur me praninë (e supozuar) të armëve të shkatërrimit në masë dhe dy agjentë të tij në Bagdad i vunë në shërbim të Gjeneralit amerikan, Tommy Franks.
Qe më shumë nga fundi i viteve 2000 që Shtetet e Bashkuara nisën ta konsiderojnë Gjermaninë një kundërshtare strategjike. Në përputhje me shpërthimin e krizës financiare të 2008, daljen nga binarët pasuese të projektit komunitar, invadimin rus të Gjeorgjisë dhe realizimin e gazsjellësit Nord Stream. I pajisur me stabilitet ekonomik, atëherë Berlini e refuzonte hapur qasjen anglosaksone ndaj kapitalizmit, duke refuzuar që të pranonte kërkesat amerikane për një politikë fiskale ekspansive. Moskokëçarëse për efektet negative që një recesion i zgjatur europian do të kishte ndaj Shteteve të Bashkuara. Jo vetëm. Qeveria Merkel tregohej tejet e ftohtë ndaj marrëveshjes për tregtinë e lirë të konceptuar nga Obama për ta lidhur mirëqenien amerikane me atë të Kontinentit të Vjetër (TTIP) dhe mbante një neutralitet rigoroz në aspektin ndërkombëtar, duke abstenuar nga ndërhyrja në Libi. Ndërsa vënia në funksionim e gazsjellësit Vyborg-Greifswald i sinjalizonte simbiozën e gjetur me Federatën ruse dhe efektin tashmë të papërmbajtshëm të manifakutës kombëtare. Gjermania kish pastruar nga pluhuri Mittellage-n, pozicion i ndërmjetëm midis Lindjes dhe Perëndimit, që kishte karakterizuar politikën e jashtme të shekullin të mëparshëm. Shumë për Uashingtonin, që duke qenë përgjegjës për sigurinë e kontinentit, e reklamon Berlinin në kampin perëndimor, mundësisht të ndarë nga Moska. Në fillim të viteve 2010, administrata amerikane përpiqet fort ta dobësojë aleatin teuton. Kthesa ndodh me krizën ukrainase, e përgatitur nga balltikasit dhe gjermanët për ta tërhequr nga Perëndimi. Në këtë rast, përveçse penetron fqinjin e jashtëm rus, Obama demaskon iniciativën akrobatike me të cilën Merkel synonte ta zgjeronte influencën e saj mbi vend dhe të ruante raporte të mira me Kremlinin. Në mars të 2014 aksioni amerikan eliminon Vitalij Klitschko, kandidat i ndërtuar në laborator nga Fondacioni Adenauer për të qeverisur Ukrainën. Dhe kur Kancelarja arrin një kompromis me Presidentin ukrainas, Viktor Janukovych, e dërguara Victoria Nuland shqipton shprehjen e lezetshme “Fuck the EU!”, domethënë “Fuck Germany!”. E befasuar nga vendosmëria amerikane, në javët në vazhdim qeveria gjermane është e detyruar që të miratojë sanksione efektive në dëm të Rusisë dhe të refuzojë programet e bashkëpunimit ushtarak të dakorduara me Kremlinin. E goditur para syve të botës dhe e nxitur nga industrialistët, Merkel provon të tregojë muskujt. Në muajin korrik një agjent i BND-së dhe një punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes arrestohen me akuzën e kundërspiunazhit në favor të Shteteve të Bashkuara, ndërsa shefi i stacionit të CIA-s në Berlin ftohet që të largohet nga vendi.
Është nadiri i marrëdhënieve bilaterale. Për herë të parë nga Lufta e Dytë Botërore, qeveria gjermane rivendikon sovranitetin e plotë. Sërish, administrata Obama reagon në formë të kamufluar. Fillimisht shmanget nga menaxhimi i fluksit të refugjatëve që nga Lindja e Mesme në flakë arrijnë Europën, pastaj e sulmon pikërisht industrinë e madhe gjermane dhe kompleksin teuton të superioritetit kulturor. Në shtator të 2015 agjencia amerikane për Mbrojtjen Mjedisore (EPA) njofton se Volkswagen ka shkelur rregullin në fushën e emetimeve falë një softueri të trukuar të instaluar në rreth 600 mijë makina të komercializuara përtej oqeanit. Përveç se është një prej industrive më të rëndësishme të vendit në termat e të ardhurave dhe të punësimit, Volkswagen është thellësisht e lidhur me nënkancelarin dhe liderin e socialdemokratëve Sigmar Gabriel, që ka qenë këshilltar administrativ i kompanisë dhe President i Saksonisë së Poshtme, landit në të cilin ka selinë kompania automobilistike. Edhe kësaj radhe janë sidomos dy gjermano–amerikanë në krye të ofensivës amerikane. Bëhet fjalë për gjykatësin e shtetit Michigan, Gerald Rosen dhe kryeprokurorin e shtetit të New York, Eric Schneiderman, që drejtojnë praktikisht aksionin ligjor në dëm të kompanisë. Në synimet e amerikanëve ajo çka ka ndodhur duhet të rrëzojë perfeksionin e presupozuar të rregullave gjermane dhe t’i sugjerojë Berlinit që të mbështesë TTIP-në. Shumë e dobësuar nga kriza e emigrantëve, kohët e fundit Merkel duket se e ka zbutur pozicionin e saj – në mes të janarit befasisht i ka quajtur shumë të larta standardet sociale të marrëveshjes për tregtinë e lirë – por ndeshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë është ende e gjitha për t’u luajtur.
Të përfunduara vitet e pasLuftës së Ftohtë, në këtë fazë superfuqia pretendon nga partneri gjerman një zgjedhje anësie të saktë dhe një kontribut më të madh në ruajtjen e rendit ndërkombëtar. Anëtar i NATO-s dhe interlokutor strategjik i Rusisë, Berlini duhet të përqafojë përfundimisht West-bindung, besnikërinë ndaj Perëndimit. Jo më fuqi mbi dy botë, që përfiton nga ombrella ushtarake amerikane, por ortak i përgjegjshëm i pax amerikana. Republika Federale thirret që të tregohet më shumë aktive në teatrot luftarake dhe të reduktojë suficitin tregtar për të shmangur shpërbërjen e Europës, gadishull i përfshirë në sferën e influencës amerikane. Sikur të mos ishte që klasa drejtuese gjermane të duket deri diku ngurruese për t’u vendosur qëndrueshëm në kampin perëndimor. (Super)fuqi tregtare, destinatare e hidrokarbureve ruse dhe nyje e Rrugës së re të Mëndafshit kinez, Gjermania shikon nga Lindja dhe preferon që t’u shmanget impenjimeve ushtarake. Kështu, në regjim të plotë sanksionues, Gabriel nënshkruan me Kremlinin lindjen e gazsjellësit të ri Nord Stream 2. Dhe Presidenti i Bavarisë e lideri i CSU-së, Horst Seehofer, fluturon drejt Putinit që të diskutojë për emigrantë dhe perspektiva ekonomike, pikërisht në ditët ku Merkel deklarohet e tmerruar nga bombardimet ruse në Siri. Për më tepër, qeveria aktuale nuk ka ndërmend aspak që të zgjidhë asimetritë makroekonomike që po përcaktojnë shembjen e arkitekturës komunitare, me turpin e rëndë të Shteteve të Bashkuara që sigurojnë mbrojtjen e kontinentit dhe i kërkojnë unitet.
Derivon një gjendje konfliktualiteti endemik midis Uashingtonit dhe Berlinit, e destinuar të qëndrojë konstante vitet e ardhshme. Sidomos sepse është e lidhur me presionin jetëgjatë të superfuqisë në dëm të Rusisë. Amerikanët do të vazhdojnë ta shfrytëzojnë dedikimin e aparateve për të influencuar qasjen e qeverisë teutone dhe të shtypin rezistencën e sektorit ekonomik. Ndërsa gjermanët, që nuk synojnë ta mohojnë sistemin e zhvillimit të tyre, do të kërkojnë të fitojnë hapësirë manovre të mëtejshme, ndoshta duke xhiruar sanksionet antiruse dhe duke ju hapur më shumë Azisë. Deri kur të arrijë një pikë këputjeje. Kur, i sfilitur nga presioni amerikan dhe nga ashpërsimi i krizës europiane, Berlini mund të jetë i shtrënguar ta rimendojë rolin e tij në kontinent dhe në skakierën ndërkombëtare. Në kapitullin e radhës e luftës civile “gjermane”. Me Deutschamerikaner edhe një herë akoma të rreshtuar kundër stërgjyshërve të tyre në Gjermani.
(Nga Limes)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakAxhenda e Ivanka Trump
Artikulli tjetërSi po përgatitet Rusia për presidencën Trump