Uashingtoni shton presionin ndaj Iranit

Shtetet e Bashkuara të hënën thanë se po i japin fund shtyrjes së sanksioneve për pesë vende që importojnë naftë iraniane, me shpresën se do ta detyrojnë Teheranin të frenojë agresionin ushtarak në Lindjen e Mesme duke i shkurtuar burimin kryesor të të ardhurave kombëtare.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Donald Trump ka vendosur të përfundojë shtyrjen e sanksioneve më 2 maj për tre aleatë – Japoninë, Korenë e Jugut dhe Turqinë – si dhe Kinën dhe Indinë. Tre vende të tjera – Italia, Greqia dhe Tajvani – kishin pranuar tashmë kërkesat amerikane për t’i dhënë fund blerjeve të naftës iraniane.

Në një koment në Twitter, presidenti Trump tha se Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës “do të bëjnë më shumë për të tejkaluar ndryshimet në rrjedhën e naftës nga sanksionet tona tani të plota mbi naftën iraniane”.

Shtetet e Bashkuara thanë se së bashku me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe “kanë rënë dakord të ndërmarrin veprime në kohë për të siguruar përmbushjen e kërkesave globale, pasi e gjithë nafta iraniane të bllokohet nga tregu”, duke rritur prodhimin e tyre të naftës.

Në faqen e të dhënave të industrisë së naftës TankerTrackers.com thuhet se heqja e shtyrjes së sanksioneve ka të ngjarë të frenojë eksportet e Iranit në më pak se 1 milion fuçi në ditë, nga 1.9 milion në mars.

Ministri saudit i energjisë Khalid a-Falih thotë se vendi i tij “do të koordinojë me vendet prodhuese të naftës për të siguruar furnizime shtesë për konsumatorët dhe që tregu global i naftës të mos çbalancohet”.

Ndërsa njoftimet për t’i dhënë fund shtyrjes së sanksioneve qarkulluan të dielën, çmimi u rrit me 2.6 përqind duke shkuar në 73.87 dollarë për fuçi. Shtëpia e Bardhë tha se vendimi për t’i dhënë fund shtyrjes së sanksioneve “synon të bllokojë eksportet e naftës iraniane, duke i mohuar regjimit burimin kryesor të të ardhurave”.

Nëse ndonjë nga vendet që më parë kishin hequr dorë nga shtyrja e sanksioneve amerikane për tregtinë e naftës me Iranin, vazhdojnë të bëjnë blerje, mund të pengojnë tregtinë e fortë me Shtetet e Bashkuara dhe ndoshta të komplikojnë bisedimet tregtare të Shteteve të Bashkuara me Kinën.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u tha gazetarëve menjëherë pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë se duke i dhënë fund shtyrjes së sanksioneve, Shtetet e Bashkuara “e kanë bërë të qartë seriozitetin e qëllimit të tyre”.

Artikulli paraprakBesa Petriti, vajza korçare refuzon mandatin e deputetit, nuk u tundua as nga paratë, as nga ofiqet…
Artikulli tjetërPDIU bashkohet me koalicionin opozitar, Idrizi: Zgjidhje politike, jo farsë elektorale