Uau, Shqipëria ul çmimet!

Nga Lutfi Dervishi

Tiranë. Me një akt që ka tronditur themelet e ekonomisë së tregut dhe emocionet e konsumatoreve, qeveria shqiptare ka njoftuar uljen e çmimeve për 70 produkte bazë, përfshirë bukën, qumështin, makaronat dhe, për habinë e të gjithëve, edhe qepën, pa sqaruar te njomen ose te thaten.

Ky vendim historik erdhi pas një bojkoti masiv, deri në kufijtë e mosbindjes civile,  të organizuar nga qytetarët të cilët, për herë të parë në historinë e tranzicionit, nuk u morën me njëri-tjetrin nëpër komente në Facebook, por u bashkuan për kauzën 2B –  “bojkot blerjeve!”

Pronarët  e marketeve dhe supermarketeve, të mësuar të shesin domate dhe qepë me çmime si të ishin investim në Bitcoin, i bënë thirrje qeverisë për ndihmë. Ndihma erdhi.

Qeveria reagoi pa humbur kohë.

Kryeministri, me një pamje serioze, shtroi një pyetje asgjësuese:

“Nëse njerëzit nuk blejnë,.. si do të vazhdojmë të rrisim çmimet?” Zbulim, thjeshte, po si nuk i shkoi nder mend askujt!

Një anëtar i kabinetit  propozoi zgjidhje ligjore: “Le t’i detyrojmë njerëzit të blejnë! E bëjmë me ligj. Pse ligjet tona do të na pengojne ne të rrisim çmimet?

Një ministre e re në moshë dhe ide kërkoi të zbuloheshin rrënjët e kësaj revolte që duket se është frymëzuar nga protesta e suksesshme në Kroaci.

“Nuk e kuptoj! Deri dje, të gjithë ishin të lumtur të blenin domate me 5 euro kilogrami! Nuk u ankua njeri. Mos vallë kjo situate eshte ngaqe po udhëtojnë shumë jashtë? Duhet të ndalojmë këtë epidemi të rrezikshme të krahasimeve të çmimeve me Italinë dhe Gjermaninë!”

Bashkimi Europian u shpreh i shqetësuar për këtë zhvillim të papritur, duke nënvizuar se “ulja e çmimeve mund të krijojë precedent të rrezikshëm për vendet e tjera të rajonit”. Një burim diplomatik i BE-së, që refuzoi të identifikohej, tha:

“Nëse kjo ndodh në Shqipëri, atëherë ne jemi të detyruar të rishikojmë negociatat për hapjen e grup kapitujve të integrimit.”

Për të qetësuar situatën e ndezur nga bojkoti masiv qeveria vendosi heqjen e TVSH-së për qepën (me kusht që bleresit të deklarojnë në formularin e dy punësimit se nuk do ta përdorin qepën për t’u qarë për çmimet e tjera).

Po ashtu, buka nga 120 lekë do të shitet me çmimin tavan 119.99 lekë, ndërsa vaji nga 800 lekë litri në 799.99  lekë!

Me këto masa qeveria u shpreh e bindur se shqiptarët nuk do të bëjnë atë që bënë konsumatorët kroate: bojkot blerjeve deri në uljen e çmimeve!

P.S. Çdo krahasim me çmimin e energjisë është krejt i rastësishëm…

Exit mobile version