Udhëtimi i studiuesit italian dhe përballja e parë me viset shqiptare më 1794! Në vendin ku u nis Pirroja i Epirit për pushtimin e Korfuzit dhe Sicilisë, projekt që e bëri realitet

ILIR CENOLLARI/ Studiuesi sicilian Saverio Skrofani në vitin 1794 ndërmori një udhëtim në brigjet e Shqipërisë Jugore dhe Greqisë. Përshtypjet e këtij udhëtimi i mblodhi në librin “Udhëtime në Greqi”. Përballjen e parë me viset shqiptare e pati me brigjet e Sarandës. Përballë Kasopesë, shkruan Saverio, vura re një kodër të hapur shkëmbore, si zemra bujare e shqiptarëve që banojnë në fshatin e Dyzet Shenjtorëve, Sarandën e stome. Pak më tej është ndërtuar Kasopeja e Epirit, në të majtë ndodhet Butrinti, Buthroti i lashtë, i ndërtuar në rrjedhën e një lumi të vogël, në fund të gjirit, që shërbente dhe si port. Përreth qytetit shtrihen kodrina të begata dhe një pyll i madh me pisha dhe dushqe.

Saverio Scrofani

Nga ky vend u nis Pirrua i Epirit për pushtimin e Korfuzit dhe Sicilisë, projekt që e bëri realitet brenda njëzet ditëve. Po në këtë vend pushoi Virgjili gjatë udhëtimit për në Athinë, ky vend i dha poetit idenë gjeniale për shkrimin e epopesë madhështore të heroit trojan, Enesë. Me këto përshtypje e mbyll përshkrimin e kësaj pjese të Shqipërisë Saverio për të vazhduar me historitë helenike. Po lëmë mënjanë përshkrimin e bregdetit Jonian, ishujt që shtrihen përgjatë detit Jasonian, për t’u ndalur në Zantë (Zanqitho), ishull përballë gadishullit të Peloponezit.

Për fat këtë ishull e kam vizituar dhe e njoh mirë, por nuk do përshkruaj përshtypjet e mia, por ato të Saverio Skrofanit të ditur dy shekuj më parë. Kam njohur, thotë autori, dy kontë nga Zanta (Zanqitho) në Venecie, me të cilët takohesha shpesh me shumë dëshirë. Por duke u afruar pranë këtij ishulli më erdhi në mend një histori e lashtë që lidhet me këtë vend dhe dëshira për ta vizituar m’u prish papritur aq sa desha të kthehesha pas. M’u kujtua se një njeri nga ky ishull, Dioni, vrau të atin e vet dhe tribunin e Sirakuzës, që ishte dishepull i Platonit, por dhe bashkëqytetari im. Kësaj përshtypje të pakëndshme iu shtua dhe vlerësimi i Plutarkut, që thotë: banorët e Zantës e kalojnë kohën duke u lutur dhe falur, se ata janë hakmarrës dhe të poshtër, se e presin armikun tinëz nëpër prita, e vrasin dhe zhduken nëpër errësirë.

Plini i Vjetër, duket sikur i zhvlerëson gjykimet tona kur shprehet se ishulli i Zantës është i begatë, se maja e malit Shkopo është e mahnitshme, etj. Zanqithotët bëjnë verë të përzierë me pluhur gëlqere, si në kohën e Pausanias, që është helm për stomakun. Në ishull ka shumë kamina gëlqereje. Gratë rrinë të mbuluara dhe të mbyllura nëpër shtëpi, nuk presin vizitorë, s’dinë se ç’është teatri, ndërsa në kishë shkojnë shumë rrallë. Burrat janë tepër xhelozë. Mua nuk më bëri përshtypje të madhe kjo pjesë e vlerësimeve të Saverios për banorët e Zantës se sa historia e mëposhtme. Jemi të bindur, thotë studiuesi sicilian, se gratë më të ndjeshme janë dhe më supersticioze. Bukuria e grave në çdo vend të botës, i tregon udhëtarit se ai vend është mikpritës.

Nuk është rastësi se në portat e qyteteve grekët e lashtë vendosnin statujat e Venusit, hyjnisë së dashurisë. Për të njohur qytetërimin e një populli, në radhë të parë duhet të vështrojmë gratë dhe vajzat e atij populli. Nëse ato janë të hijshme dhe të bukura, duhet të jenë dhe humane, për pasojë do të kenë zbutur dhe egërsinë natyrale të burrave. Ne admirojmë guximin e Safos që u hodh në det, trimërinë e Klelias, që kaloi lumin e Tibrit me not dhe themi se sot s’ka gra të tilla. Por mësoni një histori dashurie, mësoni se çfarë ka barë një vashë e re nga Zanta, e zonja për veprat më të mëdha, nëse do të kishte jetuar në kohën e grekëve dhe romakëve të dikurshëm. Vasha quhet Helena Mataranga. Në moshën njëzet vjeçare përjetoi një tragjedi dashurie. Një djalë nga fshati i vet, të cilin ajo e donte shumë, u sëmurë rëndë dhe brenda një kohe të shkurtër vdiq. Vasha donte të martohej me djaloshin, por prindërit nuk e lejuan dhe për interes e martuan me dikë tjetër. Nata e parë pas varrimit të djalit që dashuronte qe një ferr i vërtetë për vajzën e re. Djaloshi dergjej në këmbë tek fundi i shtratit të vashës dhe s’bëzante. Ky vegim e torturoi gjithë natën.

Të nesërmen, e njëjta histori, djaloshi qëndronte buzë shtratit të vashës dhe e vështronte në heshtje. Kaloi nata e parë, e dytë, e tretë, vegimi s’shqitej. Helena mendoi se shpirti i djaloshit kishte kaluar në purgator dhe kërkonte ndihmë! Prandaj organizon dy mesha për shpirtin e tij, u fal të varfërve bukë dhe të holla, bën fli një dash të majmë në manastirin e Panajasë. Shpresonte se tashmë shpirtrat e tyre do të binin në paqe, por nuk ndodhi kështu. Vegimi i djalit vazhdonte të vinte rregullisht, jo më në mesnatë, por sapo e kaplonte gjumi. Si të çlirohej prej tij? Çfarë të bënte? Supersticioni e ndihmoi dhe ja se si:

Një ditazi, kur i shoqi ndodhej për punë në fshatin tjetër, Helena zgjohet herët, merr me vete një çekiç dhe disa gozhdë të mëdha dhe këmbëzbathur niset për në varrezë. Zhvarros trupin e të dashurit, e përqafon me afsh disa herë radhazi, e qan dhe e lan me lot, më në fund i ngul nga katër gozhdë të mëdha në duar dhe në këmbë, e kryqëzon mirë e mirë në tokë dhe kthehet në shtëpi e qetë. Nga kjo ditë, spektri i të dashurit reshti së shfaquri…Ç’përzierje guximi, dashurie dhe supersticioni! Por këtë sekret të shenjtë, Helena e çiltër ia rrëfeu shoqes së ngushtë. Kjo prindërve të djalit të vdekur. Këta, sipas ligjit të lashtë se i vdekuri nuk preket, u revoltuan dhe e paditën vashën e re për sakrilegj.

Bembo, qeveritari i ishullit, duke ditur çmimin e ndjeshmërisë dhe fuqinë e dashurisë, e zbuti çështjen, i dha mbrojtje Helenës dhe i caktoi një avokat. Këtu përfundon historia e Helenës dhe e Saverios. Ajo që nuk ka ditur shkrimtari dhe studiuesi sicilian është fakti se Helena Mataranga është një vajzë arbëreshe, arbëreshe e Greqisë. Matarangat përfaqësojnë një familje fisnike të Bregut të Myzeqesë, që shfaqen në burimet historike, të paktën që në shekullin e XIII. Anëtarë të këtij fisi kanë emigruar herët në drejtim të viseve të Greqisë së sotme, në Atikë, Meseni, More, Zanqintho. Madje, në kohën që Saverio ka lënë këto shënime, Matarangat gjendeshin dhe në Sicilinë e tij. E pra, shqiptarët dëshmojnë një shpirt të thellë dhe një zemër të bukur, të denjë për veprat më të larta dhe më madhështore! Historia e Helenës është një histori arbëreshe. Vasha nuk është Helena e Trojës, as Safua e Lesbosit, ajo është thjesht Helena Mataranga, arbëreshja me zemër të madhe.

Exit mobile version