UEFA, 1 milion euro për Shqipërinë dhe Kosovën

Një milion euro dhuratë për të gjitha federatat europiane. Një fond shtesë solidariteti, nga i cili do të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe Shqipëria dhe Kosova. Ky është vendimi i UEFA-s, pas rezultateve të shkëlqyera financiare të konfederatës kontinentale të futbollit, pas raportit të përfitimeve nga organizimi i Kampionatit Europian Francë 2016.
Shifra prej një milion eurosh do të lëvrohet menjëherë për 55 federatat europiane anëtare, ndërsa presidenti Ceferin deklaroi se fondi i solidaritetit do të vazhdojë të shpërndahet edhe në të ardhmen. Fondi është mjaft i rëndësishëm për të ardhurat e federatave më të vogla, si janë Shqipëria dhe Kosova, për të zhvilluar futbollin kombëtar në të gjitha nivelet, duke përfshirë këtu edhe kompeticionet e fëmijëve dhe të femrave.
“UEFA nuk ka për qëllim të akumulojë pasuri. Në një kohë që federatat vuajnë për zhvillimin e futbollit në territorin e tyre dhe në një shoqëri individualiste, solidariteti mbetet një tipar i pandryshueshëm i ADN-së së UEFA-s”, tha Ceferin në fjalimin e tij gjatë Kongresit të zakonshëm në Helsinki.
Presidenti i UEFA-s deklaroi gjithashtu se do të mbrohen vlerat e futbollit, kundër cinikëve, sepse ky është një sport që duhet t’i bashkojë njerëzit dhe jo t’i ndajë. “Në një botë të trazuar, futbolli u jep njerëzve arsye të ëndërrojnë. Ëndrra e futbollit është e gjallë”, deklaroi ndër të tjera Ceferin, që theksoi se me dhjetëra miliona lojtarë të regjistruar dhe qindra milionë tifozë, futbolli është lëvizja më e madhe sociale në Europë.

Artikulli paraprakBerisha: Na duhej një fitore jashtë
Artikulli tjetërIbra: Skuadër kotele