“UEFA shpreson me zemër që Reali ta eliminojë Cityn”

Ish-mbrojtësi legjendar i Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se UEFA do të shpresojë me gjithë zemër që Real Madridi ta eliminojë Manchester Cityn nga Liga e Kampionëve, pas dënimit që iu dha klubit anglez.

Manchester City u dënua më 14 shkurt nga UEFA me pezullim nga garat evropiane për dy sezonet e ardhshme, 2020/21 dhe 2021/22, si dhe u ndëshkua me 30 milionë euro gjobë, pasi që i shkeli rregullat e UEFA-s për ndershmëri financiare (FFP).

Dhoma Hetuese e UEFA-s gjeti dëshmi se klubi kishte gënjyer në raporte financiare për paratë e dhuruara nga sponsorët nga viti 2012 deri në vitin 2016, duke thënë se sponsorët kishin dhuruar më shumë para sesa që kishin dhuruar në të vërtetë vetëm sa për t’i mbuluar shpenzimet.

Skuadra e Pep Guardiolës do të përballet me Real Madridin këtë muaj në Ligën e Kampionëve dhe sipas legjendës së Liverpoolit, Jamie Carragherit, UEFA do të shpresojë që Real Madridi të fitojë.

“Unë s’mund ta besoj se Manchester City është në garë momentalisht. Nuk e them këtë si tifoz i Liverpoolit, por çfarë do të ndodhte nëse City e fiton garën këtë sezon? Ata janë favoritë për ta fituar. Janë ndër skuadrat më të mira në Evropë”, ka thënë Carragher.

“Do ta bënte këtë garë për t’u tallur me të. UEFA do të shpresojë që City të mposhtet nga Real Madridi – do shpresojë me gjithë zemrën të ndodhë kjo gjë. A mund t’i imagjinoni zyrtarët e UEFA-s duke ia dhënë në fund trofeun një lojtari të Man Cityt?”

“Gjëja e parë që Pep Guardiola do të pyetej pas ndeshjes në konferencë do të ishte: “A është kjo fitore e rreme?” Do të viheshin në dyshim meritat e kupës – a duhet të jenë ata në garë? Ata tani janë në garë që nëse e fitojnë titullin, do të jetë i njollosur trofeu”.

“Mendoj se UEFA duhej ose ta kishte larguar Manchester City nga gara menjëherë ose duhet ta kishte lënë këtë vendim për në fund të sezonit”.

Artikulli paraprakEkspertët kërkojnë transparencë, Malaj: Kreditë janë borxh që i shtohen ekonomisë shqiptare
Artikulli tjetërLajm i mirë për Sarrin dhe Juventusin