UEFA zbardh lëvizjet taktike të Shqipërisë

UEFA ka zbardhur lëvizjet taktike të Shqipërisë në takimin e parë. Trajneri De Biazi e nisi lojën me modulin 4-1-4-1, me Kukelin që qëndronte para repartit të mbrojtjes. Xhaka e Abrashi në qendër të mesfushës, me Lenjanin e Roshin nga krahët në mbështetje të Sadikut. Zviceranët e nisën sfidën me skemën 4-2-3-1, por me lojtarë që synuan më tepër qendrën sesa lojën e krahëve.
Pas 15 minutash lojë, Xhaka dhe Abrashi ndryshuan vendet duke mbështetur më tepër krahët e kundërt me fillimin e takimit, për shkak të markimit të lojtarëve respektivë që kishin si detyrë nga trajneri italian. Gjithsesi, planet u prishën me daljen e Canës me karton të kuq.
Edhe pse mbrojtësi i qendrës la skuadrën me 10 futbollistë në të 36-n, De Biazi i dha detyrë më mbrojtëse Kukelit, duke kaluar në modulin 4-4-1. Me këtë skemë kanë luajtur deri në të 82-n kur u fut Shkëlzen Gashi. Duke qenë në disavantazh të një goli, atëherë ekipi kaloi disi më ofensiv, me 4-2-2-1, me Cikalleshin që mbështetej prej Gashit dhe Lenjanit, që qëndronin më tepër në afërsi të qendrës.

Exit mobile version