Qyetarët e Tiranës në faturën e ujit përveçse paguajnë detyrimin që ju takon për ujin e pijshëm që konsumojnë, detyrimin për largimin e ujrave të përdorura e një sërë taksash të tjera, paguajnë edhe një tarifë shërbimi prej 100 lekë. Në fakt në faturën e marsit edhe kjo tarifë tani vjen me Tatim Mbi Vlerën e Shtuar duke e çuar vlerën 120 lekë. Problemi në fakt më shumë sesa pagesa e një vlere modeste prej 20 lekësh në çdo faturë qëndron në dy pika. E para bie ndesh me parimet që renditen në Udhëzimin e Ministrisë së Financave datë 30.01.2015 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” ku pjesa më e madhe e tarifave janë të përjashtuara dhe mbeten fikse flasim këtu për tarifa mbi dokumentat që tërhiqen nga institucionet si hipoteka apo regjistimet e çështjeve në gjykatë. Madje në faturën tip që ujësjellësi përdorte më parë nuk është aplikuar TVSH mbi këtë tarifë. E dyta kjo faturë është miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në datën 7 Mars të këtij viti dhe mbetet e paqartë nëse këtë 20 për qindsh do ta tërheqin Tatimet apo do ta mbajë ujësjellësi siç bëhet përgjithësisht me tarifën e shërbimit që mbahet nga institucionet dhe menaxhohet prej tyre. Me një llogari të thjeshtë “lëvizja” me TVSH¬në tek tarifa i jep ujësjellësit rreth 4 milionë lekë më shumë çdo muaj kjo po të llogarisim se lëshohen afërsisht 200 mijë fatura. Sot ajo që shohim me faturën e ujit është një listë e gjatë me detyrime që shtohet çdo ditë.
Konkretisht për marsin qytetarët do paguajnë:
Detyrimi për ujin e pijshëm
Detyrimi për largimin e ujit të përdorur
Tarifë shërbimi plus TVSH mbi këtë tarifë
Taksë për ndërtesën
Tarifë pastrimi mbi të cilën çuditërisht nuk po aplikohet TVSH
Dhe taksë e përkohshme për infrastrukturën arsimore.