Korça, Durrësi dhe Tirana janë 3 qytetet që tarifojnë më shtrenjtë abonentët familjarë për ujin e pijshëm. Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Ujit, në Korçë kjo tarifë është 72 lekë/m3, për Durrësin 70 lekë/m3 dhe për Tiranën 65 lekë/m3. Në të tre këto qytete u bënë ndryshime tarifash përgjatë vitit 2017, pavarësisht se Korça kryesonte listën edhe më herët si qyteti më i shtrenjtë.
Pas tyre renditen kompanitë e Ujësjellës Kanalizime Lushnjë fshat, Lushnjë dhe Lezhë, me 60 dhe 58 lekë/m3. Por pavarësisht se tarifojnë më shtrenjtë abonentët, këto kompani nuk kryesojnë listën në drejtim të mbulimit të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes. Korça dhe Tirana lihen pas nga Kamza në këtë drejtim, duke u renditur në vend të dytë e tretë, ndërsa Durrësi zë vendin e 27-të, me 78% të mbulimit të kostove.
Kompanitë e Ujësjellësit në Lushnjë dhe Lushnjë fshat renditen në vend 30-të dhe të 44-t, ndërsa Lezha është ndjeshëm më mirë, duke u listuar në vend të 4. Ndërkaq, një tregues tjetër i performancës, që është uji pa të ardhura, e rendit Lushnjën në vendin e fundit me 80.54%, në krahasim me gjithë kompanitë e ujësjellës kanalizime.
Edhe Durrësi performon keq në këtë drejtim, duke regjistruar një nivel prej 70.87%, ndonëse lë pas disa kompani të tjera. Po ashtu, Tirana regjistron një nivel të lartë të ujit pa të ardhura, me 64.06%, ndërkohë që Korça, si qyteti me tarifat më të shtrenjta paraqet të dhëna më të mira në këtë drejtim, me 30.26%. Treguesi i tretë i përformancë së ujësjellësve, që është norma e arkëtimit pozicionon shumë mirë Tiranën, e cila renditet e treta në të gjithë vendin, me 94.99%, duke u lënë pas vetëm nga Fieri dhe Berati.
Edhe ujësjellësit e tjerë, pavarësisht se aplikojnë tarifat më të shtrenjta në vend, regjistrojnë norma të larta arkëtimi. Sipas treguesve, Lushnja fshat ka një normë arkëtimi prej 80.13%, Lushnja qytet 63.09%, Korça me 72.94%, Durrësi 73.63% dhe Lezha me 81.32%.
Pas Tiranës e Durrësit, fatura e ujit do të rritet edhe për 7 bashki të tjera
Enti Rregullator i Ujit po shqyrton 7 aplikime nga shoqëritë e ujësjellësit për rritjen e tarifave të ujit. Konkretisht, bëhet fjalë për UK Maliq, UK Gramsh, UK Krujë, UK Malësi e Madhe, UK Skrapar, UK Shkodër dhe UK Fier.
Pritet që ky ent të miratojë rritjen e kërkuar të tarifave, për shkak se kriteri ku bazohet vlerësimi i çmimit të ujit për metër kub e justifikon tarifën e kërkuar.
ERRU bazohet se, fatura e ujit duhet të jetë deri në 5% të të ardhurave mesatare të familjeve shqiptare, të cilat sipas INSTAT janë 70 mijë lekë në muaj. Kjo i takon një niveli të përballueshmërisë së tarifave prej rreth 300 lekë për metër kub dhe tarifat aktuale të UJ janë akoma më të ulëta se kjo vlerë.
Këto aplikime ndjekin 7 shoqëri të tjera të ujësjellësit, të cilave iu miratua kërkesa për rritjen e tarifave, përkatësisht: UK Durrës, UK Tiranë, UK Gjirokastër, UK Berat-Kuçovë, UK Lushnjë, UK Ura Vajgurore, UK Korçë.
Me miratimin e rritjes së çmimit të ujit për Tiranën dhe Durrësit u rrit efektivisht fatura e ujit për gjysmën e popullsisë në vend. Këto dy ujësjellës e bazuar kërkesën për rritjen e çmimit në investimet që do të bëhen në rrjet, përmes kredive që do të merren nga Banka Botërore dhe BERZH.
Ndryshimi i tarifave vjen në një kohë kur në vend po zbatohet reforma në ujësjellës, ku kompanitë duhet të arrijnë kriteret e performancës për të përfituar subvencionin nga shteti.
Performanca e Ujësjellësave, në 2017 mblodhën 8% më pak për shkak të zgjedhjeve
Arkëtimet në sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve gjatë 2017 kanë pësuar një ulje me 168 milionë lekë në krahasim me një vit më parë, ndërsa problem mbetet edhe uji i pafaturuar. Kryetari i ERRU gjatë raportimit në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese bëri me dije se ulja e arkëtimeve ka ardhur si rezultat i situatës zgjedhore dhe shthurjes së institucioneve. Ndërkohë në lidhje me rritjen e çmimit të ujit në Tiranë, kreu i ERRU sqaroi se vendimi është marrë duke vlerësuar nevojat e mëdha për investime.
Gjatë vitit 2017, shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve kanë arkëtuar 168 milionë lekë më pak se një vit më parë.
Kryetari i Entit Rregullator të Ujit, Ndriçim Shani, tha se kjo situatë ka ardhur e ndikuar prej faktit se 2017 ishte vit elektoral, por edhe prej ristrukturimit të ndërmarrjeve si rezultat i reformës territoriale.
Ndriçim Shani: U duk sikur i mëshova shumë asaj pjesë elektorale, mund të ketë, mund të mos ketë. Menduam që është një faktor. Faktor tjetër është dhe reforma, 24 ndërmarrje janë ristrukturuar. Kanë futur në zonën e vet shërbimin e gjithë zonës rurale, zona rurale është ajo që është, ne e dimë.
Vetëm një ditë para se të startojë aksioni për reformën e ujit për familjarët, kreu i ERRU e vlerësoi këtë nismë për të përmirësuar gjendjen e Ujësjellësave si dhe tha se, tarifimi i puseve është i domosdoshëm për të pasur më shumë kontroll mbi ujin që përdoret.
Ndriçim Shani: Duhet patjetër të jenë të kontrolluara. Problemet që mund të sjellin nga mos kontrollimi i hapjes së puseve për përdorim familjar apo edhe për përdorim biznesi po që po.
Referuar rritjes së çmimit të ujit në kryeqytet, kreu i ERRU tha se, tarifa ishte e fortë, por e justifikuar me nevojën për më shumë investime.
Ndriçim Shani: Për rritjen e cilësisë së shërbimit, edhe si kryeqytet që është me 1 milion banorë, ka nevoja të jashtëzakonshme për investime.
Si rezultat i reformës, vetëm gjatë muajit shkurt të këtij viti janë arkëtuar rreth 227 milionë lekë dhe janë verifikuar mbi 20 mijë biznese.
Tarifat e ujit për abonentë familjarë
Korçë 72 lekë/m3
Durrës 70 lekë/m3
Tiranë 65 lekë/m3
Lushnjë fshat 60 lekë/m3
Lushnjë 58 lekë/m3
Lezhë 58 lekë/m3
Mbulim i kostove O&M
Korçë 174%
Tiranë 174%
Lezhë 161%
Durrës 78%
Lushnjë 75%
Lushnjë fshat 61%
Uji pa të ardhura
Korçë 30.26%
Tiranë 64.06%
Lezhë 39.93%
Durrës 70.87%
Lushnje 80.54%
Lushnjë fshat 51.31%
Norma e arkëtimit
Korçë 72.94%
Tiranë 94.99%
Lezhë 81.32%
Durrës 73.63%
Lushnjë 63.09%
Lushnjë fshat 80.13%