Ujkani “lobon” për Manajn te Pisa

Rey Manaj është vetëm një hap larg skuadrës së Pisas. Sulmuesi shqiptar do të bashkohet me skuadrën e drejtuar nga Genaro Gatuzo. Sipas “Corriere dello Sport” është portieri Samir Ujkani ai që i ka kërkuar trajnerit të afrojë sulmuesin e lindur në Lushnjë. Sipas të përditshmes italiane, Manaj është goditja më e madhe e skuadrës toskane në merkaton e dimrit, por aktualisht po diskutohen detajet e fundit me Interin që zotëron kartonin e 20-vjeçarit që pjesën e parë të sezonit e kaloi në radhët e Pescaras ku nuk arriti ta bindte trajnerin, Massimo Oddo.
“Vendimtar ishte takimi që pati Ujkani me Gatuzon. Portieri e bindi trajnerin të ndizte dritën jeshile të transferimit të shqiptarit në Toskanë. Ai konsiderohet më shumë se një premtim”, thekson “Corriere dello Sport”. Aktualisht Pisa lufton për mbijetesën në Serie B. Skuadra toskane mban vendin e 20 në klasifikim me 21 pikë. Në radhët e skuadrës së Gatuzos aktivizohen edhe dy shqiptarë të tjerë, portieri Samir Ujkani që është titullari i portës dhe sulmuesi Edgar Çani, i cili numëron 19 ndeshje gjatë këtij sezoni.
Ndërkohë, Ansi Agolli mund të kalojë tek Skënderbeu. Pas deklaratave të presidentit Ardjan Takaj se nëse Ansi Agolli në përfundim të këtij sezoni do të rikthehet në kampionatin shqiptar, Skënderbeu është zgjedhja e tij e parë, nga Antalya vjen një tjetër sinjal inkurajues për tifozët korçarë, të cilët ëndërrojnë të shohin kapitenin e kombëtares kuqezi të mbajë veshur fanellën e skuadrës së tyre. Pjesën më të madhe të 45 minutave të dyta të sfidës mes Skënderbeut dhe Qarabagut në Turqi, Agolli i ndoqi në praninë e presidentit të korçarëve Ardjan Takaj.

Exit mobile version