Yulia Tymoshenko përpara, por nuk ka asnjë favorit
Zgjedhjet presidenciale të 31 marsit 2019 në Ukrainë do të influencohen nga kriza me Rusinë dhe nga pakënaqësia e elektoratit me situatën ekonomike, por edhe prej menaxhimit politik, pas vitit të trazuar 2014, kur protestat e Euromaidanit çuan në rrëzimin e Presidentit legjitim Viktor Yanukoviç e më pas në aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe në luftën, që vazhdon akoma, në Donbass.
Sondazhet e fundit tregojnë se rreth 15% e atyre me të të drejtë vote nuk ka ndërmend të shkojë të votojë, të zhgnëjyer nga panorama e vendit, ndërsa rreth 1/5 është ende e pavendosur. Në mungesë për momentin e një favoriti, mund të individualizohen tashmë protagonistët e këtyre zgjedhjeve, sipas renditjes preferenciale në sondazhe.
Yulia Tymoshenko
Liderja e revolucionit portokalli të vitit 2004 dhe ish Kryeministre është një anomali elektorale: nga njëra anë është qëndrueshëm në krye të sondazheve, nga ana tjetër është jashtëzakonisht jopopullore. Kohët e fundit, në bazë të një analize të deklaratave të bëra nga politikanë ukrainas, think tank Vox Ukraine e ka identifikuar si kandidaten që gënjen më shumë. në vitin 2011 shkaktoi bujë procesi në ngarkim të saj për shkelje të detyrës, i kritikuar ashpër nga institucionet europiane dhe i konsideruar si një proces politik. Është liruar nga burgu më 22 shkurt të 2014, ditën kur Yanukoviç u strehua në Rusi pas ngjarjeve të Euromaidanit. Themeluese bashkë me të shoqin e një kompanie nafte në fillimvitet ’90, është në Parlament qysh nga viti 1996. Në një Ukrainë që duket se shpreh më zë të lartë dëshirën e fytyrave të reja në pushtet, po bën çfarë është e mundur që ta paraqitet si forcë modernizuese, pavarësisht karrierës mbi 20 vjeçare të saj. Gjithmonë proBashkimit Europian, është treguar e gatshme që të gjejë një ekuilibër me Rusinë për stabilizimin e vendit.
Petro Poroshenko
Presidenti aktual është në fakt në një moment jopopullor: 80% e popullsisë nuk beson tek ai, ka një konesnsus elektoral prej rreth 8%. Me origjinë nga Donjecku në Donbass, falë industrisë së ëmbëlsirave, ka pasur fatin në vitet ’90 që të fitojë nofkën “Mbreti i çokollatës”. Fillimisht ndër themeluesit e proruses Parti të Rajoneve të Yanukoviç, qysh nga viti 2002 është në anën e europeistit Viktor Yushchenko dhe fiton një popullaritet të madh në 2014, kur mbështet – edhe ekonomikisht – Euromaidanin. Për të siguruar një rezultat të mirë elektoral do t’i duhet të tregohet fuqimisht antirus, duke synuar mbi kujtimin e Maidanit si zgjim të dinjitetit dhe të pavarësisë të popullit ukrainas, si edhe duke kërkuar që të fitojë një pjesë të madhe të votës patriotike dhe konservatore. Nga kjo pikëpamje, kriza e Detit Azov i ka shtuar shanset e tij për të shkuar në balotazh, në pikën që shumë ia kanë atribuar përgjegjësinë, edhe pse shumë do të varet nga gjendja ekonomike e vendit në mars.
Volodymyr Zelensky
Fytyra e re e këtyre zgjedhjeve nuk është politikan profesionist, por aktor që ka interpretuar një të tillë në television. Në serialin televiziv “Shërbëtor i kombit”, Volodymyr Zelensky është një professor që gjendet i katapultuar nga gjimnazi në presidencën e vendit, pasi që një video e hedhur në YouTube nga nxënësit e tij, ku ankohet për korrupsionin në Ukrainë, bëhet virale. Frustrimi i ukrainasve ndaj klasës së tyre drejtuese nuk ekziston vetëm në ekranin e vogël, por është goxha e pranishme në jetën reale: për këtë arsye, Zelensky ka arritur që të jetë në vendet e para në sondazhe, praktikisht baraz me Poroshenko, dhe të bëhet favorit për kalimin në turin e dytë, më përpara se zyrtarizimi i kandidaturës së tij, e bërë më 31 dhjetor.
Anatoly Hrytsenko
Pas 25 vitesh në forcat e armatosura, Gjenerali Anatoly Hrytsenko ka pasur funksionin e Ministrit të Mbrojtjes si në qeverinë Tymoshenko, ashtu edhe në atë Yanukoviç, deri më 2006. Shumë kritik ndaj Poroshenko, ka kërkuar me zë të lartë arrestimin e tij për korrupsion. Paraqitet në zgjedhjet presidenciale për herën e tretë radhazi dhe, për momentin, në sondazhe është prapa Poroshenko dhe Zelensky me 7%. Hrytsenko prezantohet si një kandidat i fortë dhe në gjendje që t’i japë stabilitet Ukrainës: “Në këtë vend nuk ekzistojnë probleme që të mos jemi në gjendje t’i zgjidhim”, ka deklaruar gjatë një conference në shtator. Është idhtar i nbjë sistemi suprepresidencial, një “autoritarizmi illuminist” që do të nënkuptonte një ndalim në procesin e afrimit me Europën.
Yury Boyko
Me origjinë nga Donenjecku, ish Ministër Energjie dhe ish President i kompanisë shtetërore Naftogaz, Yury Boyko është lideri i Bllokut Opozitar. Partia është krijuar pas Euromaidanit nga gërmadhat e Partisë së Rajoneve të Yanukoviç. Ai që ka drejtuar procesin e rinovimit të partisë ka qenë Paul Manafort, më pas në 2016 shef i fushatës elektorale të Donald Trump e më pas i gjykuar në Shtetet e Bahskuara për aktivitetin e konsulencës ndaj Yanukoviç i zhvilluar në shkelje të ligjeve federale. Boyko u ka shpëtuar shumë herë proceseve për korrupsion dhe është një prej kandidatëve më të hapur prorusë. Megjithatë, është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj kritikave që e tregojnë në shërbim të Moskës: në vitin 2016, i denoncuar për bashkëpunim me rusët gjatë një seance parlamentare, reagoi duke e goditur me grusht akuzuesin e tij. Për shumë njerëz, një fitore e tij do të krijonte tensione të mëtejshme midis nacionalistëve ukrainas dhe mbështetësve të një marrëveshjeje me Rusinë, në pikën që do t’i bënte të pamundur të qeveriseshin: një skenar gjithsesi që pak të ngjarë, duke parë që ka një tregues konsensusi prej 4%.
Oleg Lyashko
Oleg Lyashko është i njohur për mënyrat e tij pak konvencionale në politikë: gjatë aneksimit të Krimesë nga Rusia, ka krijuar banda të armatosura që u përkushtoheshin rrëmbimeve të separatistëve prorusë, duke i filmuar dhe duke i postuar videot online. Po atë vit ka marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale, duke siguruar mbi 8% të votave. Lider i Partisë Radikale, një formacion populist dhe nacionalist, Lyashko dëshiron të “pastrojë” Ukrainën nga kanceri i oligarkëve. Një pastrim dukshëm prej fasade, duke parë kontaktet e tij me manjatin nga Donbassi Rinat Akhmetov. Për momentin sondazhet e nxjerrin në 5%: shanset për kalimin e raundit të parë janë të pakta, por mund t’u marrë vota Tymoshenko dhe Hrytsenko, duke favorizuar kështu Poroshenko.
Një vend i përçarë dhe një rezultat i paqartë
Për momentin është e vështirë të bëhen parashikime konkrete lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, por mund të diskutohet se kush do të kalojë në raundin e dytë, pasi është praktikisht e sigurtë që asnjë kandidat nuk do ta kalojë 50%. Shumë do të varet nga zhvillimet në krizën me Rusinë dhe nga pakënaqësia elektoratit për situatën ekonomike dhe politike të vendit.
Përgatiti
ARMIN TIRANA