Parlamenti i Ukrainës është duke u përgatitur për të votuar për një qeveri të re dhe nëse do të miratojë dorëheqjen e kryeministrit Arseniy Yatsenyuk.
Kryeministri 41-vjeçar njoftoi të dielën se heq dorë nga posti, në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik të vendit, me shpresë t’i japë Ukrainës një mundësi për të miratuar reforma të reja zgjedhore, kushtetuese dhe gjyqësore, dhe për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Kabineti Yatsenyuk i shpëtoi një vote mosbesimi në shkurt, por dy parti u larguan nga koalicioni qeverisës. Ai është kritikuar për ekonominë e përkeqësuar dhe ritmin e ngadaltë të reformave.
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ia dha mbështetjen e tij të martën kryetarit të Parlamentit Volodimir Groysman, por është e paqartë nëse z. Groysman do të ketë vota të mjaftueshme.
Analistët kanë shprehur shqetësimin se emërimi i zotit Groysman mund të rezultojë që fuqia politike e Ukrainës të përqendrohet tek Presidenti Poroshenko dhe rrethi i tij i ngushtë.
Disa ligjvënës kanë thënë gjithashtu se një emërim i zotit Groysman si kryeministër do të nënkuptonte largimin e ministres së Financave Natalia Yaresko, e cila në një rast është parë si pasuese e zotit Yatsenyuk.
Ligjvënësit pritet të votojnë të martën mbi koalicionin dhe emërimin e kryeministrit të ri. Dështimi për të vendosur së shpejti mund të rezultojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presidenciale.