UKT, 21 miliardë lekë tendera luksi, makina e bileta avioni

E ndërsa Bashkia po përpiqet të justifikojë rritjen e çmimit të ujit për shkak të mungesës së parave për garantimin e tij, UKT Tiranë, kjo kompani me aksioner publik bashkinë rezulton të jetë një nga institucionet me shpenzime marramendëse, jo për investime në furnizimin me ujë, por për shërbime luksi.
Në një vëzhgim të gazetës në portalin e të dhënave Open Data rezulton se në një vit, UKT ka tenderuar 21 miliardë lekë  (2,175,092,646) kontrata publike, qindra prej të cilave nuk kanë asnjë lidhje me funksionimin e këtij institucioni siç është garantimi me ujë të pijshëm, sistemi i kanalizimeve apo rikonstruksionet e nevojshme në lidhje me garantimin e furnizimit me ujë. Ka disa qindra tendera dhe kontrata publike ku shumica nuk janë investime dhe nuk sjellin cilësi dhe dobishmëri për qytetarët. Monitoroni tendera të ujësjellësit për të kuptuar si shpenzohen paratë e qytetarëve.
Blerje e automjeteve, brandime mbi përmirësimin e imazhit të institucionit, bileta avioni nga një kontinent në tjetrin, blerje orendish për zyra, rikonstruksione zyrash dhe krijimi i kushteve komode në ambjentet e punës, blerje aparatësh fotografikë, printera e fotokopje, roje godine e një sërë tenderash të tjerë, të cilët kushtojnë miliona euro, por nuk i shërbejnë asapk konsumatorëve të kryeqytetit.
Nëse sheh listën e objekteve të prokuruara nga UKT përgjatë një viti sheh tendera të çuditshëm, të cilët, duke u nisur nga shifrat e shpallura dukshëm vihet re rëndësia që UKT i ka kushtuar imazhit të institucionit, ku janë shpallur tendera të veçantë 100 milionësh për të prodhuar postera e banera mbi punën e UKT, shifra me të cilat ky institucion fare mund të ndihmonte në përmirësimin e dhjetëra problemeve që has kryeqyteti sot në lidhje me kanalizimet apo furnizimin me ujë. Por jo. Për UKT ka të tjera prioritete.

Bileta avioni nga Kina në Majami

Një pjesë e mirë e fondeve, qindra milionë janë shpenzuar për udhëtime të çuditshme, disa herë në Kinë, e pastaj në Majami në SHBA. Dyshimet bien mbi faktin nëse këto udhëtime luksoze që nuk limitohen vetëm me SHBA dhe Kinën, por vijojnë edhe me shtete të tjera të Europë janë zhvilluar për çështje pune apo jo.
Në faqen zyrtare të UKT nuk ekziston asnjë njoftim për mediat mbi këto vizita, ndërkohë që biletat kapin shifra marramendëse. Udhëtimet janë të shpeshta në kohë dhe vihet re blerja e tyre me destinacion Kinën e largët. Nuk dihen arsyet e këtyre udhëtimeve, pasi UKT nuk ka bërë asnjë transparencë apo lajmërim mbi ndonjë vizitë zyrtare në shtetet e lartpërmendura.

Reklama për t’u mbyllur gojën mediave

Jo vetëm Veliaj ushtron pushtetin e tij për të censuruar çdo lajm që bie në kundërshtim me vendimin e tij për rritjen e çmimit të ujit, por vet UKT kujdeset posaçërisht për mediat. Pak para nisjes së debatit për rritjen e çmimit të ujit, UKT nisi një fushatë mediatike ku përmes reklamave lajmëronte konsumatorët që të kursenin ujin e pijshëm.
Një metodë e njohur kjo për të paguar mediat e për t’i detyruar ato të mos publikojnë asnjë lajm kundër institucionit që paguan e për rrjedhojë asnjë lajm në shërbim të qytetarëve. Që prej rritjes së çmimit të ujit, mediat e kapura nuk po guxojnë të denoncojnë këtë akt korruptiv dhe abuziv në kurriz të qytetarëve, pikërisht se në një mënyrë apo në tjetrën janë bërë palë e pazareve të Bashkisë Tiranë.

5 milionë lekë për një aparat fotografik

Nëse kërkon për në motorin e kërkimit Google për aparat fotografik profesional që zakonisht përdorin institucionet zyrtare, vlera maksimale nuk i kalon 1.5 milionë lekë të vjetra. Por për UKT me sa duket ka prodhime edhe më të sofistikuara se kaq.
Një tender i shpallur për blerjen e një aparati fotografik specifikon vlerën prej 5 milionë lekësh të vjetra, pra, sa katër fishi gati i një aparati profesional që zakonisht blejnë institucionet zyrtare. Shpallja e këtij tenderi dhe blerja e këtij aparati është paksa me pikëpyetje në një kohë që UKT është një ndër institucionet më pak vizibël mediatikisht në aktivitete apo takime me qytetarët.

Arredime dhe orendi zyrash

Komoditet dhe rehati. Dhjetëra tendera qindra milionë lekësh janë shpallur nga UKT për rikonstruksion godinash ku ndodhen zyra pune, mobilim zyrash, karrige, tavolina, kompjutera, orendi të ndryshme renditen në tenderat e listuar nga Open Data për Ujësjellësin e Tiranës. Duket gati si një hambar parash pafund që kanë shkuar në drejtim të shërbimeve që ofrojnë komoditet e aspak ndihmë ndaj qytetarëve apo investime në përmirësimin e furnizimit me ujë. Për shkak të këtyre abuzimeve, Veliaj deklaron sot se UKT nuk ka para mjaftueshëm e se qytetarët duhet të paguajnë më shumë për të mbuluar vjedhjet masive që ky institucion ka bërë në vetëm një vit.

Vjedhjet masive, arka e UKT e boshatisur

Ujësjellësi i Tiranës prodhon 3 herë më shumë sesa faturon! Mungesa e parave në arkë nuk zgjidhet duke rritur çmimin e vënë gjoba, por duke arkëtuar sasinë e prodhimit. Me këto shifra, duhet që çmimi të ulet dhe prapë ujësjellësi del me më shumë të ardhura se zakonisht sikur të mos abuzonte po vetë ky institucion së bashku me Bashkinë e Tiranës. Ujësjellësi dhe qyteti kanë nevojë për administrim e jo për gjobaxhinj e taksidarë. Rritja e çmimit të ujit nga Bashkia Tiranë u paralajmërua një javë më parë, teksa UKT bashkë me Veliajn u bëri një thirrje të beftë të gjithë konsumatorëve e bizneseve të kursenin ujin në çdo pikë, pasi përndryshe do të kishte pasoja. E gjithë lëvizja e UKT, e orkestruar nga Veliaj u bë si qëllim për propozimin e rritjes së tarifave të planifikuar qysh kohë më parë. Çmimi i ujit në Tiranë do të rritet nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset. Rritja e çmimit do të prekë edhe tarifën fikse mujore. Aktualisht, çdo familje paguan 100 lekë në muaj si tarifë fikse dhe propozohet që kjo tarifë të dyfishohet në 200 lekë në muaj. Relacioni i Bashkisë flet për rritje të investimeve dhe sigurimin e ujit 24 orë për Tiranën. Në vendim, parashikohet që të mos ndryshojë tarifa për ujërat e ndotura. Që pas zgjedhjeve, Bashkia ka nisur një fushatë agresive kundër lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm dhe kjo jo pa qëllim. Duket se kjo po i paraprin vendimit të ri. Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e mërkurë, ku pritet të ketë debate të gjata për tarifën e re. Bashkia argumenton se, “bazuar tek nevoja totale për të ardhura, UKT sha., ka zhvilluar një strategji të tarifave dhe çmimeve për periudhën 5-vjeçare. Tarifat propozohen të ndryshojnë në të gjithë komponentët e secilës kategori konsumatori duke u bazuar në shitjet e ujit dhe normat e arkëtimit, të cilat rriten nga 90% në vitin 2017 në 91% në vitin 2018″. Tarifat rriten edhe për furrat e bukës apo buxhetorët. Sipas projektvendimit, furrat e bukës do të paguajnë nga 95 lekë/m3 që është tarifa aktuale në 130 lekë/m3. Mediat kanë botuar tabelën e plotë të tarifave ekzistuese dhe sa do të bëhen. Çmimet e reja parashikohet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2018. Kompania ka një kapital neto prej 7.1 miliardë lekë, ndërsa detyrimet në total arrijnë në 9.7 miliardë lekë, nga të cilat 5.2 miliardë lekë është një huamarrje afatgjatë. Kredia afatgjatë është me kushte të buta dhe e marrrë nga qeveria italiane, gjatë periudhës 1993-2001 përmes BKT-së. Ujësjellësi ka dhe një kredi direkte nga BKT të marrë në vitin 2015 prej 1 miliard lekësh, e cila do të përdoret për rikonceptimin e shfrytëzimit të burimeve të Shën Mërisë.

Artikulli paraprakTirana, apel Zagrebit: Mos ekstradoni ballist Morinën
Artikulli tjetërPaligjshmëria e vendimit të Këshillit Bashkiak