Organizata “Transparency International” thotë se fatkeqësisht, këtë vit “Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit”, një raport vjetor që publikohet nga organizata, nuk paraqet një pamje të mirë në mbarë botën.
Nga 190 vende ku ka mbledhur të dhëna, vetëm 19 vende kanë shënuar përmirësime apo vetëm 10% e vendeve të botës.
Artan Haraqija bisedoi me eksperten e “Transparency International, Lidija Prokiç, e cila thotë se në Ballkan, ndërsa Serbia, Bosnia dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar përkeqësim, Shqipëria dhe Kosova, sipas saj kanë shënuar përmirësim.
Zëri i Amerikës: Shqipëria është vlerësuar 42 pikë sivjet, një ngritje prej pesë pikësh nga viti 2023. Ky është vlerësimi më i mirë që ka marrë Shqipëria që nga viti 2012. Cili është konteksti i këtij vlerësimi, si erdhët deri te ky vlerësim?
Lidija Prokiç: Në rastin e Shqipërisë është e rëndësishme të përmendim se Indeksi për Perceptimin e Korrupsionit mbështetet tek tetë vlerësime të pavarura, mbi të cilat llogaritet indeksi, si një vlerë që bën përmbledhjen e këtyre vlerësimeve në një rezultat të vetëm. Ky përmirësim është i dukshëm në disa nga këto burime. Por dëshiroj të them se, ekziston një burim, një bazë e të dhënave nga Forumi Ekonomik Botëror që ka nxitur këtë përmirësim. Sa i përket zhvillimeve në Shqipëri dhe luftës kundër korrupsionit, do të thoja se po shohim një efekt paksa të vonuar të reformës në sektorin e drejtësisë dhe sipas vlerësimit tonë, reflektohet më së shumti, pavarësia dhe integriteti i përmirësuar i institucioneve të drejtësisë, në veçanti SPAK-u dhe gjykata speciale kundër korrupsionit.
Shqipëria po ashtu ka marr disa hapa vitin e kaluar për t’i dhënë përparësi masave parandaluese kundër korrupsionit. Strategjia e re kundër korrupsionit përcakton synime shumë ambicioze, por vë theksin në të gjitha çështjet kyçe për të adaptuar një qasje sistematike dhe qasje efektive për të luftuar korrupsionin. Ajo që do të dëshironim të shihnim është që këto qëllime ambicioze të përmbushen dhe shpresojmë që në veçanti legjislacioni në fushën e parandalimit të futet në fuqi dhe ligjet ekzistuese të bëhen më të fuqishme. Dhe pastaj çështja më e rëndësishme është që kjo kornizë të zbatohet efektivisht.
Zëri i Amerikës: Zonja Prokiç, në raportin tuaj ju përmendni ndikimin poziotiv të SPAK-ut. Është SPAK-u arsyeja kryesore e përmirësimit, apo keni vërejtur edhe përmirësime të tjera?
Lidija Prokiç: Puna e SPAK-ut ka qenë shtytësi kryesor. Sa i përket ndëshkimit të korrupsionit është shumë e rëndësishme të theksojmë se Shqipëria po kryeson edhe në kontekstin rajonal përsa i përket hetimeve të pavarura, përfshirë edhe rastet kur janë të implikuar zyrtarë të lartë dhe kemi filluar të shohim disa rezultate. Është e rëndësishme që kjo prirje të vazhdojë dhe që të mund të shohim vendime. Një fushë që mendoj se meriton vëmendje të veçantë gjithashtu është se, tani që këto institucione janë duke funksionuar dhe po tregojnë se mund të merren me korrupsionin, në kapacitetin e tyre të plotë, është shumë e rëndësishme që të vazhdojnë të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të lirë. Është e rëndësishme që të jenë në gjendje të trajtojnë çdo çështje me pavarësi të plotë, në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin.
Zëri i Amerikës: Megjithatë Shqipëria renditet në vendin e 80 në listën me 190 vende. Ku i shihni sfidat me të cilat ende përballet Shqipëria?
Lidija Prokiç: Një nga fushat që është veçanërisht shqetësuese është se ne ende po shohim që kontratat publike me vlerë të lartë negociohen drejtpërdrejt dhe pa asnjë proces konkurrues dhe pa transparencë të mjaftueshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak të vlerës së saktë të këtyre kontratave dhe gjithashtu, faktit që në këtë mënyrë, shpesh anashkalohet interesi publik.
Zëri i Amerikës: Mund të na jepni një vlerësim të përgjithshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, si qëndrojnë ato në përgjithësi?
Lidija Prokiç: Mesatarja në rajon është ende mjaft e ulët, 50 pikë ose më poshtë, po ta krahasojmë me mesataren e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që është 64. Pra edhe shteti në pozitën më të mirë dhe shteti me vlerësimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor është ende prapa. Sipas vlerësimit tonë, arsyeja për këtë është natyra sistemike e korrupsionit në rajon si dhe mungesa e angazhimit të qeverive për t’u përballur me korrupsionin në mënyrë përmbajtësore. Po shohim disa përmirësime siç e përmenda në rastin e Shqipërisë, por në shumë shtete ky përmirësim është ende i pamjaftueshëm. Kur flas për korrupsionin sistemik dhe nevojën për një qasje përmbajtësore, dua të theksoj nevojën për transparencë, shqyrtimin e financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore, në mënyrë që të kemi procese zgjedhore të besueshme, pastaj integritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë, që paraqet ndoshta edhe sfidën më të madhe në shumicën e shteteve të rajonit. Do të shtoja edhe nevojën për të përkrahur dhe krijuar një mjedis ku shoqëria civile dhe mediat e pavarura mund të luajnë rolin e tyre në luftën kundër korrupsionit, gjë që është gjithashtu shumë e rëndësishme dhe fatkeqësisht ende mbetet një sfidë në mbarë rajonin./VOA