Lulzim Basha paraqet programin ekonomik në Mallakastër. Do të hiqet taksa e naftës, 100 milionë euro në vit për fermerët, 10 mijë stazhe të paguara, pensioni minimal 250 mijë lekë. Statusi i naftëtarit, sipas kërkesave të tyre.
Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpalosën programin ekonomik në Mallakastër. Basha u shpreh se programi i tij ekonomik do të hapë vende pune për shqiptarët. Puna e tij do të nisë me uljen e taksave, me TVSH-në dhe me taksën e sheshtë, e cila do të jetë 9%, duke u kthyer në xhepa shqiptarëve, qindra milionë euro. Për të rinjtë, do të ketë 10 mijë stazhe në vit, ndërsa për fermerët 100 milionë euro mbështetje direkte me para në dorë. Familjet në nevojë nuk do të paguajnë faturën e energjisë dhe të ujit të pijshëm, ndërsa pensioni minimal do të shkojë 250 mijë lekë në muaj.
“Do ta nis punën time me uljen e TVSH-së, me taksën e sheshtë 9%, e cila do të çlirojë qindra milionë euro që janë përpirë këto vite nga kuçedra e korruptuar e rilindjes, që janë kthyer për tendera zyrash e makinash luksoze. Këto para, do u kthehen xhepave tuaj. Ulja e TVSH-së, do të thotë, ulja e taksës që ju e paguani çdo ditë kur blini një mall. 400 milionë euro më shumë do të keni në xhepin tuaj. Do të ulim çmimin e naftës me eliminimin e taksës Rama 240 lekë për litër, kjo do të eliminohet që javën time të parë si kryeministër i Republikës së re. Çmimi i energjisë do të jetë më konkurruesi në Ballkan. Vendimi im tjetër, do të jetë 10 mijë stazhe për të sapodiplomuarit shqiptarë, për ju të rinj e të reja që mbaroni shkollën e lartë, 1 vit stash, me 200 mijë lekë në muaj. 100 milionë euro në vit subvencione të drejtpërdrejta për fermerët shqiptarë, pa sekserë, pa NIPT, drejtpërdrejtë për ata që punojnë tokën, që mbarështojnë bagëtitë”, tha Basha.
Kryedemokrati tha se do të ketë një vlerësim për naftëtarët e zonës duke hartuar një status, duke marrë parasysh kërkesat e tyre legjitime.
Lideri demokrat, Lulzim Basha u takua me banorë të Njësisë 9 në Tiranë, ku theksoi se Republika e re vjen për shqiptarët, për të krijuar shtet me një ekonomi të fortë.
“Pika e parë e këtij plani është ulja e taksave, ulja e TVSH-së nga 20 në 15%, do të kthejë në xhepat tuaja dhe në konsumin e ekonomisë shqiptare, 400 milionë euro në vit. Taksa e sheshtë 9% do të çlirojë miliarda euro të tjera. Plani im fiskal, ulja e taksave, ulja e TVSH-së, do të bëjë që paraja të vërshojë në tregjet tona, të rrisë ekonominë, të krijojë vende pune, të rrisë rrogat. 10 mijë stazhe nga Republika e re për më të mirët që mbarojnë shkollën e lartë. E dini se sa kushton ky program që unë do të vë në lëvizje që në muajin e parë si Kryeministër, për 10 mijë të rinj me 200 mijë lekë të vjetër në muaj, stazh për 12 muaj me radhë? A e dini se sa do i kushtojë Republikës së re? 25 milionë euro në vit”.
Në Farkë, ku shpalosi programin e Republikës së re, Basha tha se prioriteti numër një është ekonomia e familjeve shqiptare, punësimi i të rinjve, mirëqenia e fshatit.
“Ekipi im fitues ka një plan ekonomik me vulat e ekspertëve më të mirë të Europës, këshilltarëve ekonomikë të Anxhela Merkel, që erdhën këtu dhe e çertifikuan publikisht para kamerave si një program realist, ambicioz dhe të zbatueshëm”.
Basha tha se të gjitha familjet në nevojë do të kenë ndihmë ekonomike. Fatura deri 300 klv dhe fatura e ujit për konsum familjar do e marrë përsipër buxheti i Republikës së re, tha Basha. Nga qyteti i Mallakastrës ku hapi fushatën elektorale, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu përgjigj kryeministrit Edi Rama, i cili deklaron se marrëveshja e 18 majit kishte për qëllim të shpëtonte Partinë Demokratike. Sipas kryetarit të opozitës, Republika e vjetër, nënshkroi aktin e kapitullimit të saj, ndërsa sipas tij marrëveshja Ramës iu imponua nga bashkimi i qytetarëve. Me këtë rast, kryetari i opozitës, paralajmëroi shkarkime të tjera në administratë. Duke folur për programin ekonomik, kryetari i opozitës, tha se është realist dhe do të hapë vende pune për shqiptarët. Punën e parë si kryeministër, ai premtoi se do ta nisë me uljen e taksave.
Rishikim statusit të naftëtarit
Në Mallakastër Basha, premtoi heqjen e taksës së naftës, ndërsa tha se do të rishikohet statusi i naftëtarit duke marrë parasysh kërkesat e drejta të tyre. “Sot vijmë tek ju me një betejë të fituar nga bashkimi popullor qytetar për demokraci të vërtetë, me gjysmën e kabinetit të Republikës së vjetër të rrëzuar, me 7 gardianë ministra teknikë, të cilët kanë për detyrë të zbatojnë një Kod të ndryshuar Penal që do të çojë prapa hekurave këdo që guxon të prekë votën dhe vullnetin e qytetarëve. Ankohen se kanë ikur 20 apo 30 drejtorë, do të ikën edhe 300 të tjerë nëse guxojnë të prekin dhe shantazhojnë qytetarët. Koha e zullumqarëve po merr fund, koha e maskarenjve po merr fund, koha e matrapazëve po merr fund, koha e mashtruesve po merr fund, po vjen koha e njerëzve të thjeshtë punëtorë të Mallakastrës dhe gjithë Shqipërisë. Republika e vjetër nënshkroi më 18 maj paktin e kapitullimit të saj. Kapitulloi duke nënshkruar reformën kushtetuese, reformën zgjedhore, votimin elektronik, numërimin elektronik. Kushtet që ne dhe bashkimi qytetar shpallën në çadrën e lirisë. Sot përfaqësuesit e Republikës së vjetër me në krye Ramën po bëjnë gjithçka që ta shesin këtë si një koncesion dashamirës ndaj PD apo ndaj meje duke ngritur gishtat lart, duke folur për kryengritje kundër Republikës së vjetër. Kjo nuk ishte dhuratë, ju e dini fare mirë se çfarë e shtyu Republikën e vjetër të dorëzohej dhe të pranonte kapitullimin. Këtë betejë nuk e fitoi askush tjetër përveç qytetarëve të bashkuar dhe të vendosur. Ky është mësimi i 90 ditëve të lëvizjes më të madhe popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mallakastra e ka ndjerë në palcë thikën e tradhtisë të premtimeve të Edi Ramës. E ka ndjerë në palcë lojën e Edi Ramës dhe Ilir Metës. Puna dhe punësimi juaj, ekonomia janë programi im, prioriteti im. Unë nuk vij këtu për shfaqje dhe poza”, tha Basha.
Programi i PD për vende të reja pune
Në një takim me qytetarët në Roskovec, lideri demokrat Lulzim Basha tha se ditën e parë të Republikës së Re, si kryeministër i shqiptarëve, do e nisë me planin ekonomik të çertifikuar nga ekspertët e kancelares Angel Merkel të dërguar posaçërisht pranë Partisë Demokratike. “Unë nuk do të jem kryeministri i oligarkëve, unë nuk do të jem kryeministri i bankave, unë do të jem kryeministri juaj, i qytetarëve të thjeshtë. Do të jem kryeministri i ekonomisë dhe i punësimit ndaj do ta nis ditën time të parë të punës dhe çdo ditë për realizimin e planit ekonomik të Republikës së Re, hartuar nga ekspertët më të mirë, çertifikuar nga këshilltarët ekonomikë të lokomotivës europiane të ekonomisë, kancelares gjermane Angela Merkel që u dërguan posaçërisht pranë meje dhe Partisë Demokratike për programin tonë ekonomik që siç u shprehën publikisht ata, është realist, ambicioz dhe i zbatueshëm. Do ta nis me uljen e taksave, me uljen e TVSH-së që i merr çdo fëmije, çdo prindi, çdo të riu, 20% për çdo mall dhe shërbim. TVSH-ja do të ulet dhe 400 mln euro më shumë do të rrisin xhiron dhe konsumin, do të rrisin podhimin, do të rrisin kërkesën për më shumë vende pune, investime kapitale, kreditim, ulja e TVSH-së, taksa e sheshtë 9%, do të çlirojë qindra milionë euro në ekonomi. Rritja ekonomike do të sigurojë vende pune. Ky është një model europian. Ka funksionuar atje, funskionon edhe këtu. 75 deri në 90% e të rinjve që ndjekin praktika punësimi gjejnë një vend pune pas kësaj praktike. Nuk është karamele elektorale, nuk është as politikë sociale por është politikë e pastër ekonomike për punësimin e të rinjve dhe të rejave”, tha Basha nga Roskoveci.