Këto janë kohë për përballje, bashkim qytetar
Lulzim BASHA
Partia Demokratike nuk është më vetëm në fazën e denoncimit dhe përballjes, por edhe në fazën e hartimit dhe programit të saj qeverisës. Së bashku kemi detyrimin, të drejtën morale dhe sigurinë për t’ju thënë qytetarëve të Fierit se e sotmja është e sotmja, por nuk mund të jetë e nesërmja. Për të nesërmen Partia Demokratike ka për Fierin, për banorët e Fierit, për të rinjtë e Fierit, për të papunët e Fierit, për tregtarët, për biznesin, për punëdhënësin, për fermerët, për të moshuarit, për të sëmurët, për nevojtarët, një vizion, një plan dhe mbi të gjitha vendosmërinë që këtë vizion dhe plan ta vërë në punë, ta vërë në jetë për t’i dhënë fund krizës ekonomike, krizës shpirtërore, depresionit që ka kapur Fierin e gjithë Shqipërinë. Dhe për të hapur një rrugë tjetër për vendin tonë me taksa më të ulëta, me fatura energjie të ulura, me një shtet, i cili qëndron në krah dhe jo mbi kokën e qytetarit. Me një shtet që ndihmon pra, e nuk godet si zuzar, e në veçanti më të pamundurin, atë që mezi e mbajnë këmbët. Ndërkohë që vetë qafa e zvergut, e vetë pushtetit trashet nga korrupsioni e nga luksi me paratë që u merren qyterarëve. Që të mbërrijmë deri aty na duhet patjetër mbështetja dhe besimi i qytetarëve fierakë, i banorëve të Fierit me votë përmes një procesi të lirë dhe të ndershëm, të garantuar në mënyrë të tillë me një reformë zgjedhore dhe me mbështetjen e plotë, ua përsëris mbështetjen e plotë të miqve tanë në Uashington dhe në Bruksel.
Kjo është qeverisja më e dështuar e të gjitha kohërave
Tamtamet e propagandës qeveritare, avazet dhe adetet e trushpëlarjes propagandistike të Edi Ramës, i cili tashmë e ka braktisur edhe në formë qeverisjen sipas normave demokratike dhe i është kthyer mentalitetit të sundimtarit, të pashait, të beut, në kuptimin negativ të fjalës dhe nuk do jo vetëm të dëgjojë e të shohë hallet e njerëzve po as të flasë për to.
E pra, keni dëgjuar e do të dëgjoni që jeni më mirë. Se gjërat po ecin në rrugën e duhur. Se Shqipëria dhe ekonomia e saj po shkojnë drejt ditëve më të mira. Se investimet e qeverisë po shtohen dhe se qytetarët janë gjithnjë e më të lumtur. Aq të lumtur sa pjesa më e madhe e qytetarëve duan të bëhen anëtarë të Partisë Socialiste, thotë ai.
Por në fakt pjesa më e madhe e qytetarëve të pyetur në anketa e sondazhe thonë se duan të ikin nga Shqipëria. Dhe ky që premtoi 300 mijë vende pune sot kryeson një qeveri që është përgjegjëse për largimin e 300 mijë shqiptarëve. 100 mijë prej të cilëve kanë ikur në Europë e 200 mijë kanë mbushur letrat për të ikur në Amerikë.
Qeverisje më të dështuar në të gjitha planet, ekonomike, sociale, që i thonë vetes qeveri e majtë, por siç e patë tani kanë ulur edhe më shumë pagesën e papunësisë, ndihmës sociale, KEMP-in apo luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Dy sëmundje që kanë shoqëruar gjithmonë Shqipërinë, por lufta ndaj të cilave, në kohët tona më të mira ka njohur përparim, ka njohur rezultate. Ndërsa sot rezultatet e vetme të kësaj lufte është që Koço Kokëdhima bëhet i plotfuqishmi i jugut dhe në veri, në Tiranë, por edhe në jug qeverisin e bashkëqeverisin bandat. Bandat, të cilat me leje qeveritare mbjellin drogë. Bandat, të cilat me leje dhe me bekim të Edi Ramës emërojnë doganierët, madje edhe komisarët e policisë.
Megjithatë kurrë nuk ka ndodhur që një qeverisje të dështojë kaq turpshëm para qytetarëve të saj. Kurrë nuk ka ndodhur që një qeveri të jetë përgjegjëse për t’i hequr bukën e gojës mijëra familjeve shqiptare në një kohë kaq të shkurtër, e prapëseprapë në vend që të ulin kokën, në vend që t’i vënë gishtin kokës, vazhdojnë të krenohen, vazhdojnë të rrahin gjoksin e të krekosen si kokoshër majë pasurive që kanë vënë duke futur duart në xhepat e qytetarëve shqiptarë.
Duke futur duart në xhepat e atyre që mjerimin, varfërinë, papunësinë e kanë refrenin e përditshëm, siç pashë edhe në tregun industrial të Fierit.
Këto janë kohë për të qëndruar fuqishëm
Kohët janë shumë të rënda. Këto nuk janë kohë për t’i shkuar mbrapa avazit propagandistik të piktorit të dështuar, as për t’u bërë sfond e as për t’i dhënë atij alibi për keqqeverisjen. Këto janë kohë për përballje. Këto janë kohë për të qëndruar fuqishëm, për t’u bashkuar me njëri-tjetrin, siç na bashkojnë hallet, siç na bashkojnë problemet e mëdha që kanë kapluar të madh e të vogël në jug e veri, demokratë e socialistë.
Por po kështu për të bashkuar shpresat sepse Shqipëria i ka të gjithë mundësitë t’ia dalë të ushqejë e të mirëmbajë, e madje të krijojë prosperitet për qytetarët e saj. Por njësoj si ajo familja ku kryefamiljari vjedh gjysmën e rrogës dhe e çon dëm në kumar apo e pi dhe fëmijët, prindërit, bashkëshortët, vuajnë konsekuencat edhe sot shqiptarët vuajnë konsekuencat e një qeverie, e një regjimi të korruptuar, kleptokrat, i cili vetëm vitin e kaluar mori 1 miliard nga lekët tona, nga lekët tuaja. 1/3-ën e shpenzimeve, 1.3 miliardë është një shifër e pakapshme nga mendja e njeriut. Pra, më lejoni t’ua përkthej me diçka që të gjithë e kuptojmë, është baras me 6 vite faturë kombëtare energjie.
Apo vjet nga kjo qeveri në dogana e në prokurorime është vjedhur një shumë e barabartë që do të mjaftonte që shqiptarët për 6 vite, të gjithë shqiptarëve pa përjashtim të mos paguanin energjinë.
Sigurisht nuk po e bëj këtë argument, nuk po them që nuk duhet paguar energjia, por këta që rrijnë me kërbaç mbi kokën e qytetarëve për të marrë edhe kacidhen e fundit në faturat e kripura dhe me aforfe janë po këta që kanë vjedhur vetëm në një vit, 6 vite të marra së bashku faturë energjie për shqiptarët.
A e imagjinoni se çfarë mund të bëhej me ekonominë kombëtare? Çfarë efekti do të kishte në ekonominë familjare? Çfarë efekti do të kishte për gjithsecilin prej jush këtu e mijëra, mijëra fierakë jashtë këtij bashkëbisedimi në qoftë se këto para nuk do të kishin përfunduar në xhepat e Edi Ramës e të Koço Kokëdhimës e të një grushti oligarkësh, por do të kishin përfunduar në investime, në rrugë, në ura, në shkolla, në spitale. Spitale të vërteta dhe jo nga këto siç keni këtu në Fier, ku siç më thanë sot mungojnë edhe garza dhe jodi. Po sigurisht mungon garza dhe jodi se si mund të pasurohet përndryshe brenda natës Ilir Beqaj. Sigurisht mungojnë garza dhe jodi sepse paratë tuaja shkojnë për check up-in, skemën më të poshtër, më dinake, më të ndyrë të vjedhjes në sektorin e shëndetësisë në 25 vite të marra së bashku. Të gjitha këto dhe probleme shumë më të rënda se këto ju i vuani sepse janë të shkruajtura në lëkurën tuaj. E unë i shoh në vështrimin tuaj, i prek kur iu shtrëngoj duart dhe i dëgjoj sa herë që ulemi e diskutojmë apo bashkëbisedojmë në qendrat tregtare apo në ferma, apo në tregjet e fermerëve kudo, jo vetëm në Fier.
Mjerimi është ulur këmbëkryq. Detyra jonë, detyra ime, detyra e ekipit tim, një pjesë e të cilit më shoqëron sot këtu, është jo vetëm të përballemi, por edhe t’i japim zgjidhje këtyre problemeve. T’i japim një zgjidhje, e cila funksionon për ju.
T’ju kthejmë Shqipërinë shqiptarëve sepse Shqipërinë e ka marrë peng një bandë që nuk ka lidhje as me demokratë, as me socialistë, por ka lidhje vetëm me hajdutërinë, madje jo me hajdutërinë, por me plaçkitjen sepse hajduti shikon kur nuk e ke mendjen të të vjedhë xhepin apo shtëpinë, kurse këta na plaçkisin ditën për diell para syve dhe kur i kapim me plaçkë në dorë, në vend që të ulin kokën, në vend që të turpërohen, që të kërkojnë ndjesë, përqeshin popullin, përqeshin opozitën, përqeshin drejtësinë që e kanë në xhep dhe prandaj nuk duan ta reformojnë. Cili hajdut i kapur me plaçkë në dorë do të reformojë drejtësinë?!
Programi i PD, ulje drastike të taksave
Shpresa jo vetëm vdes e fundit, por shpresa rikthehet edhe më e fuqishme aty kur zemrat bashkohen. Edhe sot ua them me përgjegjësi të madhe se në këtë bashkim zemrash nuk jemi vetëm, se kemi dhe do të kemi mbështetjen e fuqishme të atyre që na ndihmuan para 25 viteve të hapeshim si vend, t’i iknim skëterrës së mjerimit, të vuajtjeve, të persekutimit, të atyre që nuk mund të pranojnë dhe nuk mund të lejojnë që Shqipëria që e futën në NATO si sot 7 vite më parë, Shqipëria e cila ka burime njerëzore dhe pasurore për të mbajtur 2-fish këtë popullsi, të mbetet peng i një grushti hajdutësh dhe plaçkitësish, të cilët komprometojnë jo vetëm të ardhmen e popullit të tyre, por komprometojnë rëndë edhe interesat strategjikë të aleatëve tanë. Sepse aty ku ka korrupsion, aty ku ka krim, aty ka edhe ekstremizëm, aty ka edhe terrorizëm.
Dy javë u bënë që jam kthyer nga SHBA, vizioni ynë për Shqipërinë, vendosmëria jonë për ta kthyer në një plan për të punuar për shqiptarët dhe jo për politikanët, ka mbështetjen dhe aprovimin e plotë të aleatëve tanë strategjikë të SHBA-ve dhe të Bashkimit Europian. Por jemi demokracia apo duam të jemi demokraci dhe padyshim që zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themelet e kësaj dhe për këtë do të punojmë fort. Duam të shkojmë në çdo shtëpi, në çdo zemër e t’u themi që tani është koha jo për të braktisur Fierin, jo për të braktisur Shqipërinë, por për t’ju rikthyer edhe një herë vlerave më të mira që shqiptarët i demonstrojnë në kohërat më të vështira të besimit tek njëri-tjetri.
Dy gjëra ju propozon Partia Demokratike, dy gjëra u propozon sot opozita shqiptarëve: ulje drastike të taksave. Uljen e taksave që i kanë marrë frymën ekonomisë, që i kanë marrë frymën biznesit, që i kanë marrë frymën qytetarëve që do të thotë se që në pikën e fillimit, qytetarët do të kenë më shumë lekë në xhepat e tyre dhe aty lekë që gjoja qeveria i mbledh si taksa, por në fakt i vjedh dhe i shpërdoron deri në 400 milionë dollarë në vitin e kaluar. Ulje taksash për biznesin e vogël, për biznesin në tërësi, ulje e pagesës së sigurimeve shoqërore, ulje e çmimit të energjisë dhe kthimin e energjisë elektrike me çmim të ulët me një faktor të rëndësishëm të rritjes ekonomike të vendit, të rritjes së shanseve për punësim, për më shumë vende pune dhe punë me paga më të mira nga njëra anë dhe nga ana tjetër ulja e faturës sociale për ato mijëra e mijëra familje, ulje e çmimit të energjisë dhe falje totale të kamatëvonesave abuzive nga kjo qeverisje në këto dy vite e gjysmë dhe padyshim rikthimin e amnistisë që këta e kanë shkelur të vitit 2011.
1 miliard euro më shumë do të qarkullojnë në ekonominë shqiptare
Ulja e taksave është një kolonë e propozimit tonë. Nga ana tjetër janë investimet publike në ekonominë shqiptare, në infrastrukturën shqiptare. Pra, derdhja e lekut në projekte që funksionojnë për shqiptarët dhe jo për kokëdhimët. Në infrastrukturë, në ujësjellës, në kanalizim, në vaditje, në mbështetje për bujqësinë, në mbështetje që hap vende pune, në mbështetje të biznesit që prodhon rritje të konkurrueshmërisë së mallit dhe shërbimeve të shqiptarëve, pra të djersës së ballit të shqiptarëve. Dhe kjo vjen duke vendosur çdo lekë të buxhetit të shtetit jo në palma e rrush e kumbulla apo në projekte abuzive, por në projekte që sjellin impakt të menjëhershëm në cilësinë e jetës së qytetarëve, në impakt të menjëhershëm në rritjen ekonomike të shqiptarëve dhe mbi të gjitha të risjellë qarkullimin e lekut në xhepat e shqiptarëve. Leku është zhdukur sepse ka përfunduar në xhepat e oligarkisë dhe pika e vjedhjes janë dy: taksat e larta dhe tenderimet korruptive. Këto dy do t’i godasim ne dhe lekun do ta nxjerrim nga vrimat, nga xhepat e oligarkisë së korruptuar shqiptare. Kjo është e vetmja mënyrë që leku të rishfaqet përsëri në xhepat tuaja, në tregjet e shqiptarëve, në tavolinat e shqiptarëve. Sipas planit tonë, sipas paketës tonë fiskale dhe planit të investimeve, vetëm vitin e parë 1 miliard euro më shumë do të qarkullojnë në ekonominë shqiptare. Pra, një impakt i drejtpërdrejt sepse i bie afërsisht 280 euro për frymë më shumë në xhepat dhe në duart e shqiptarëve, në mallra, shërbime, rritje të fuqisë blerëse, qarkullim të lekut, në xhepat dhe në tavolinat e shqiptarëve. Dhe padyshim shqiptarët kanë treguar këto 25 vite se dinë që në kushtet e lirisë të ndërtojnë ekonomi për veten e tyre, për familjen e tyre, për qytetin e tyre. Nuk kërkojmë një hap më shumë, as kërkojmë që të heqim një kasë hajdutësh që të vijnë një kasë hajdutësh me dorë më të lehtë. Jo! Gjenerata ime, brezi im dhe shoh këtu që kam shumë anëtarë të brezit tim edhe shumë më të rinj, se ne i themi vetes të rinj, por ka shumë më të rinj, nuk mund të pranojë diçka më pak se standardi europian, standardi amerikan. Dhe kjo nuk është një ëndërr më. Kjo është një mundësi dhe këtë mundësi e pengon vetëm oligarkia. Ndaj unë ju kërkoj që të bashkohemi edhe një herë së bashku për ta hedhur, për ta përmbysur edhe një herë oligarkinë. Kur them së bashku, them demokratë dhe socialistë. Se e di që vuajtja nuk ka ngjyrë politike e në veçanti këtu në Fier është shpërndarë si njollë anembanë qytetit, anembanë fshatit. Të bashkohemi për të hedhur poshtë të keqen e t’i hapim rrugën vendit, t’i hapim rrugën edhe forcave të tjera politike. Të ndjekim një shembull europian, një shembull amerikan, të cilin Partia Demokratike, unë Lulzim Basha jam i vendosur ta ndjek me ndihmën dhe bekimin tuaj.
Revolta e banorëve të Fierit: Po harrojmë edhe bukën
Varfëria, papunësia dhe pamundësia për të mbyllur muajin janë shqetësimet kryesore të banorëve të Fierit. Tregu është thuajse i zbrazur. Tregtarët thonë se e nisin ditën me zero dhe e mbyllin me minus, duke llogaritur taksat që duhet të paguajnë. Ata tregojnë për gjobat abuzive që u vihen çdo muaj. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua dje me qytetarë dhe tregtarë të Fierit. Qytetarët thonë se gjendja e tyre është më keq se dy muaj më parë e po përkeqësohet me shpejtësi. “Kam kolauduar 2 herë kasën fiskale dhe më kanë vënë 600 mijë lekë gjobë për mungesë kase. Absurdi është se gjoba më është vënë nga i njëjti inspektor, i cili një ditë para se të më vendoste gjobën lëshoi aktkonstatimin se jam i pajisur me kasë. Më e keqja është se s’ke ku ankohesh”. Në dyqanin e mishit shitësi më thotë se njerëzit blejnë dy herë më pak mish se sa një vit më parë. “Kemi nja dy vjet s’e kemi parë fare mishin me sy, tani po harrojmë bukën”, ja pret një qytetar aty afër. Ndërsa një zonjë tregon se ka ardhur të lypë dhjamë e kocka për vajzën anemike që nuk del dot nga shtëpia. “S’kemi bukë të hamë, pa punë, pa ndihmë dhe në bashki askush s’të hap as derën. Si do të vejë halli ynë?!”. Shëndetësia është kthyer në makth. Falas as që bëhet fjalë, por dhe KEMP-i që u takon mund ta marrin vetëm pasi të japin ryshfetin e majmë. Ndërsa një zotëri që ka çuar nënën 80-vjeçare te urgjenca për një plagë në këmbë thotë se infermierët nuk kishin as jod, as garza për të mjekuar plagën. “Kemi fëmijë me të meta dhe këta u heqin bukën të sëmurëve vetëm për të marrë lekë nën dorë. Nuk u japin ndihmë, na sorollatin poshtë e lart vetëm që të marrin ryshfet”. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se ndryshimi duhet të nisë me largimin e kësaj klike të korruptuar, kësaj kuçedre të parave të shqiptarëve, e cila kërkon gjithçka për vete dhe asgjë për qytetarët. “Kam ardhur t’ju them qytetarëve të Fierit e prej Fierit mbarë Shqipërisë se largimi nga Shqipëria apo rënia në dëshpërim nuk janë rruga e vetme. Ka një shpresë dhe një rrugë tjetër, të cilën mund ta përshkojmë të gjithë së bashku dhe kjo është rruga e uljes së taksave, e uljes së faturave të energjisë me qëllim që qytetarët të kenë më shumë lekë në xhepat e tyre. Kjo është rruga e rritjes së investimeve publike, e një portofoli të madh të investimeve publike anembanë vendit që do të krijojë më shumë vende pune dhe vende pune me paga më të mira. Çelësi i programit tonë, kyçi i ofertës së Partisë Demokratike për të nesërmen është ky: paratë që sot përfundojnë në xhepat e oligarkëve t’ia kthejmë qytetarëve përmes investimeve publike, infrastrukturë, në shëndetësi, në arsim, në kopshte, në çerdhe, në ujësjellës, në vaditje, në subvencionime për bujqësinë. Dhe nga ana tjetër të ulim taksat me qëllim që qytetarët të kenë më shumë lekë për të shpenzuar për veten e tyre dhe familjet e tyre”. “Në raport me dy muaj më parë, katër muaj më parë, një vit më parë, dy vite më parë pa përjashtim qytetarët që kam takuar dhe pyetur kanë thënë me fakte nga jeta e tyre e përditshme se gjendja është përkeqësuar dhe vazhdon të përkeqësohet, se fuqia blerëse e fierakëve vazhdon të bjerë, se taksat janë rritur, fatura e energjisë është rritur. Shëndetësia nuk jep shërbimet minimale, nuk ka garza dhe jod, më tha një qytetare. Dyqani i mishit është kthyer në një dyqan ekzotik, ku xhiroja është 3-4 herë më e ulët se një apo dy vjet më parë. Pra, gjendja ekonomike e fierakëve, sikundër e të gjithë shqiptarëve është në përkeqësim të thellë”, tha Basha. Ai theksoi se, “e sotmja është më e keqe se e djeshmja dhe këto janë fakte, të cilat Lulzim Basha dhe Partia Demokratike nuk mund t’i fabrikojnë. Këto përcillen ditë për ditë nga jeta e qytetarëve pa truke, pa propagandë, pa trushpëlarje”. Këto, tha kreu i PD, janë faktet që Edi Rama duhet t’i njohë, por refuzon t’i njohë sepse ai jeton brenda një flluske ku gjërat ecin gjithnjë e më mirë. “Në fakt gjërat gjithnjë e më mirë ecin për Edi Ramën dhe për Koço Kokëdhimën dhe për një grusht oligarkësh, të cilët duke marrë, shpërdoruar, vjedhur miliarda, miliarda lekë në vit nga paratë e taksapaguesve shqiptarë janë përgjegjës për faktin që sot ka më pak lekë, ka taksa më të larta, rroga më të ulëta dhe papunësi më të madhe. Unë nuk kam ardhur vetëm të pyes se si është gjendja, sepse si është gjendja e shohim ditë për ditë. Por kam ardhur t’ju them qytetarëve të Fierit e prej Fierit mbarë Shqipërisë se largimi nga Shqipëria apo rënia në dëshpërim nuk janë rruga e vetme”, u shpreh Basha, ndërsa tha se alternativa e PD është sot shpresa për shqiptarët.