Ulje taksash, vende të reja pune, rritje bizneseve dhe fuqisë blerëse

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka hapur dje fushatën elektorale në Berat, ku i ka kërkuar qytetarëve të votojnë për t’i dhënë fund katrahurës që ka shkaktuar pushteti i rilindjes në këto katër vjet. Basha tha se bashkimi i gjithë opozitës nën siglën e PD-së është i paprcedent në 27 vite pluralizëm. Basha premtoi se pas 25 qershorit ai do të jetë kryeministri i qytetarëve, i taksave të ulëta, i subvencioneve në bujqësi dhe i ngritjes së një ekonomie të fortë e të qëndrueshme. Basha tha se kryeministri i Republikës së re nuk do të jetë kryeministri i ekraneve televizive, por i qytetarëve. Basha tha se programi i tij ekonomik është hartuar nga ekspertët më të mirë të partisë së Angela Merkel. Basha premtoi se do të jetë kryeministër i taksave të ulëta. “Kryeministri i Republikës së re, nuk do të jem kryeministri i ekraneve televizive. Sa herë kam ardhur këtu në Berat, në fshatrat rreth e qark, këtu kam qenë si kryetar opozite. Më keni pyetur dhe ju kam premtuar këtu do të vij si kryeministër, unë do të jem kryeministri i njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. Unë do të jem kryeministri i beratasve të zakonshëm, i halleve tuaja, i shpresave tuaja, i projekteve tuaja. Unë do të jem kryeministri i ekonomisë, do të punoj ditë për ditë për ekonominë e Beratit dhe të mbarë Shqipërisë. Plani im ekonomik ka vulën e ekspertëve ekonomikë të Angela Merkel, me ekspertët e tyre më të mirë që do të kërkojë vendime të qarta, vendime të prera, vendime të forta. Vendimi i parë do të jetë ulja e taksave. Ulja e TVSH-së dhe ulja e taksave do të çlirojë miliona euro në ekonominë shqiptare që do të përkthehen në vende të reja pune, në biznese të reja në rritje të fuqisë blerëse, në më shumë qarkullim paraje dhe paratë nuk do të jenë më xhepat e katër-pesë njerëzve po do të rikthehen përmes sistemit të zinxhirit ekonomik në xhepat e sipërmarrësve, investitorëve, të punësuarve, konsumatorëve, pra qytetarëve”, tha ai.

Investimet

Ndërkohë investimet në bujqësi dhe arsim, tha Basha, do të jenë një tjetër fushë ku do të përqendrohet vëmendja e kryeministrit të ri. Duke folur në veçanti për Beratin, ai premtoi se ai do të ketë sërish universitetin e tij, kur përsëriti dhe një herë stazhin me pagesë për studentët. “Unë do të investoj fuqishëm tek bujqësia, fermerët shqiptarë do të ndjejnë drejtpërdrejt ndihmën financiare të shtetit për çdo familje fermere, pa NIPT, pa burokraci në mënyrë që bujqësia shqiptare që punëson sot apo mban gjallë me bukë po themi 47% të shqiptarëve, të jetë jo më një industri mbijetese. Por të jetë një pjesë e rëndësishme e rritjes së re ekonomike që na pret në Republikën e re. Unë do të investoj fuqishëm tek arsimi. Berati do ta ketë përsëri universitetin e tij dhe çdo i sapodiplomuar, 10 mijë të rinj shqiptarë në Republikën e re do të kenë të garantuar stazhin me 200 mijë lekë të vjetra pagesë në muaj për një vit. Kjo është ura që do të ndërtoj unë, nuk do të jetë fasadë, por ura për dhjetë mijë të rinj, nga bankat e shkollës në tregun e punës. Unë do të jem kryeministri i qytetarëve, do të jem gjithmonë pranë jush, në momente të mira dhe në veçanti në momente të vështira. Do të jem me ju aty ku ju vuani, aty do të jem unë për të ndihmuar dhe lehtësuar vuajtjen tuaj. Dhembjen tuaj e kam prekur, e kam ndjerë dhe do të vazhdoj ta ndjej duke qenë afër jush, duke ju parë në sy, duke ndjerë frymën tuaj. Unë do të jem kryeministri i taksave të ulëta, i investimeve për bujqësinë, i investimeve për veprimtaritë prodhuese. Prioriteti im i parë prej minutit të parë katër vjet me radhë do të jetë hapja e vendeve të punës, hapja e fabrikave në Berat, hapja e fabrikave në të gjithë Shqipërinë, me investime vendase dhe të huaja”, tha Basha

Asnjë premtim të mbajtur në katër vite qeverisje

Mosmbajtja e premtimeve nga ana e Edi Ramës ishte një tjetër pikë që lideri i opozitës preku gjatë fjalës së tij para të pranishmëve në Berat. Basha tha se Kryeministri krenohet se ka shtruar kalldrëm në Berat, duke harruar se kjo është një punë që i takon pushtetit vendor, ndërsa puna e tij është të rrisë rrogat e pensionet dhe të forcojë ekonominë. Basha u shpreh se kemi të bëjmë me një shef qeverie të papërgjegjshëm që në momentin, kur në Shqipëri ka një mijë halle ai mban në zyrën e tij vizatime dhe në kohë krizash dhe katastrofash natyrore bredh nga ekspozita në ekspozitë. Basha tha se vetëm një njeri i papërgjegjshëm mund të japë 600 milionë euro për shtrime pllakash, duke lënë pa ngritje pensionesh me mijëra njerëz dhe pa ndihmë ekonomike mijëra të tjerë. “Vetëm një njeri i papërgjegjshëm merr vendim që të harxhojë 600 milionë euro për palma dhe pllaka, dhe të lerë pensionistët me gisht në gojë, familjet ekonomike me gisht në gojë. T’i ulë ndihmën ekonomike, madje t’i heqë fare nga lista ekonomike kryefamiljarë dhe kryefamiljare me fëmijë të vegjël. Vetëm një i papërgjegjshëm zgjedh të japë 400 milionë euro shëndetësinë me koncesion dhe t’i lerë shqiptarët të dergjen në kushte mesjetare. Vetëm një i papërgjegjshëm rrit tarifat e universiteteve. Vetëm një i papërgjegjshëm bën kaos me maturantët siç e bëri, vjet dhe në vend që të mundësojë studimet për çdo fëmijë. Vetëm një njeri i papërgjegjshëm, rrit taksat për biznesin në një kohë që në të gjithë botën po ulen. Si mund të jetë mbledhja e taksës prioritet i një kryeministri kur nuk krijon vende pune? Vetëm një kryeministër i papërgjegjshëm, një njeri i papërgjegjshëm që jeton në flluskën e tij, në zyrën e mbushur me vizatime, si mund të jetë zyra e kryeministrit të një Shqipërie me një mijë halle me vizatime? Si mund të shkojë nga ekspozita në ekspozitë kur një herë vendi përmbytet, një herë kriza e dëborës, herë tjetër thatësira”, tha Basha.

Bashkimi i opozitës, më i madhi në 27 vite pluralizëm

Bashkimi i opozitës në këto zgjedhje, sipas Bashës, është më i madhi në 27 vitet e pluralizmit. Kreu i opozitës tha se më 25 qershor ajo marshon e sigurt drejt fitores, duke i bërë thirrje të pranishmëve të votojnë numrin 6 në fletën e votimit. “Më 18 shkurt nuk lindi thjesht vetëm një protestë. Më 18 shkurt dhe 90 ditë me radhë nuk nisi thjesht një bashkim opozitar. E vërteta është se, opozita është e bashkuar si asnjëherë në 27 vite, si asnjëherë në 27 vite, opozita është e bashkuar nën siglën e PD, e cila marshon drejt 25 qershorit me numrin 6 në fletën e votimit. Një sigël një parti, por në fakt një bashkim i paprecedent në 27 vite i të gjitha partive opozitare, por shumë më shumë se kaq. Një bashkim zemrash të çdo opozitari, të djathtë e të majtë që kërkon më në fund ndryshimin e vet, ndryshimin që do të funksionojë për familjen e vet. Vëllezër e motra, 27 vjet demokraci, 27 vjet pluralizëm. Pritshmëritë tona për demokracinë, për ekonominë e tregut, shpresat, ëndrrat tona janë bllokuar dhe marrë peng nga një klasë e papërgjegjshme politikanësh të korruptuar, të cilët kanë marrë peng të ardhmen e Shqipërisë dhe duke e përdorur vetëm në interes të tyre. Kjo është e vërteta dhe kjo ka ngjallur një mosbesim të jashtëzakonshëm tek njerëzit dhe tek politika”, tha ai. Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës nuk la pa përmendur dhe vendimet që i janë dashur të marrë në kohë të ndryshme, qoftë në rastin e Rrugës së Kombit apo liberalizimit të vizave, qoftë dhe në ngritjen e ekipit të ri. “Këto kërkojnë vendime të qarta, të prera dhe të forta. Unë i kam marrë këto vendime në të kaluarën pavarësisht kundërshtimeve dhe vështirësive dhe ju keni gëzuar benefitet e vendimeve të mia. Rrugën e Kombit, heqjen e vizave. Asgjë nuk erdhi dhuratë, të gjitha ishin punë e lodhshme dhe vendime të vështira që unë i mora për ju, për shqiptarët, për interesin tuaj. Para dy ditësh më është dashur të marr të tjera vendime, të vështira, por të domosdoshme për ekipin fitues të Republikës së re. Ishte koha për t’i marrë këto vendime, unë i kam marrë këto vendime dhe nuk i heq as presjen. Një ekip i ri, me frymëzim të ri për Republikën e re, ku do ta gjejë veten çdo shqiptar e çdo shqiptare. Ndaj merrni vendimin tuaj, bashkohuni të gjithë me projektin e lëvizjes popullore, e bashkimit më të madh për Republikën e re. Merrni vendimin tuaj për të mos ua lënë më Beratin dallkaukëve, mashtruesve, hajdutëve që ju shtrydhën, vodhën e ju mashtruan. Më 25 qershor, merrni Beratin në dorë me votën tuaj. Merreni Beratin në dorë, merrni vendimet tuaja dhe unë ju premtoj se do të marr vendimet e mia për mirëqenien tuaj, për ekonominë e fortë, për të nesërmen e sigurtë, për gjithsecilin prej jush dhe familjet tuaja”, tha Basha.

Zyrtarë të PS-LSI po mbledhin kartat e identitetit në Berat

Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë për Qarkun e Beratit, Eduard Halimi, denoncoi përfshirjen e administratës në zgjedhje. Ai tha se zyrtarë të PS dhe LSI kanë nisur mbledhjen e kartave të identitetit për të blerë votat me metodat e vjetra. “Unë e di gjatë këtyre tri ditëve që kemi filluar fushatën këtu se zyrtarët e administratës këtu të LSI dhe PS, të Edi Ramës dhe Ilir Metës po vijnë dhe po mbledhin karta identiteti dhe po shkojnë për të përdorur metodat e vjetra për t’ua blerë sërish votën me paratë e drogës, duke u mbledhur kartat, duke u bërë presion. Nga ky shesh po u them të gjithëve se ajo kohë ka marrë fund njëherë e mirë. Republika e vjetër ka rënë. Metodat e vjetra kanë rënë, kush do të guxojë nga administrata që të përfshihet në fushatë elektorale me hyrjen në fuqi të Kodit Penal që u bë i mundur pas marrëveshjes së Lulzim Bashës, pas kalimit në Parlament të kësaj marrëveshje, ata njerëz do të përballen me forcën e ligjit”. Halimi shprehu bindjen se Basha ka zgjedhur ekipin fitues për 25 qershorin. “Sot e fillojmë këtë betejë dhe më 25 qershor nuk mbyllet kjo betejë, fillon beteja për Lulzim Bashën për të ndërtuar Republikën e re. Atë ditë fillon puna e madhe e Lulzim Bashës dhe ne të gjithë kemi besim sepse Lulzim Basha ka arritur me forcat e veta të jetë studenti i shkëlqyer i jurisprudencës në Holandë, e ka arritur me forcat e veta të ishte një nga njerëzit më të talentuar më 2005 kur erdhi në PD. Ka qenë me forcat e veta ministri më i suksesshëm që bëri liberalizimin e vizave, ndërtoi kryeveprën infrastrukturore Rrugën e Kombit, është Lulzim Basha që arriti me forcat e veta që të ishte dhe të jetë kryetari i PD, të ndërtojë ekipin e ri fituese të 25 qershorit që do të ndërtojë Republikën e re duke shembur Republikën e vjetër me Lulzim Bashën”.

Artikulli paraprakJo më tepër se marrëdhënie pune
Artikulli tjetërKush janë kandidatët e opozitës së bashkuar në gjithë Shqipërinë