“Para se Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë, të keqpërdorë autoritetin duke u bërë presion banorëve të Mirditës për bllokim të fondeve të qeverisë e buxhetit në Këshill bashkiak, duhet të sjellë ndërmend se është vetëm njëri nga personazhet e Dosjes penale 184 të Dibrës, askush më shumë!” – kështu shprehet në një reagim në profilin e saj në rrjetin social facebook anëtarja e kryesisë së PD-së, njëkohësisht kryetare e degës së PD Lezhë, Alfrida Marku.
Zyrtarja demokrate shkruan më tej se “gjithçka e thënë prej tij, mbetet një deklaratë mjerane, e ndikuar nga nisja e fushatës si kandidat për deputet në Qarkun Lezhë. Askush nuk i beson ! Nuk kanë çfarë premtojnë! Kanë vetëm një detyrë: të japin llogari e mbajnë përgjegjësi para Drejtësisë! Shërbetori i kryeministrit, shërbetori i abuzimeve, nuk mund të bëhet shërbëtor i qytetarëve”.
Sipas Markut, këto deklarata të ministrit të Drejtësisë vijnë në një kohë kur ai dëshiron të jetë kandidat për deputet në qarkun Lezhë.
“Kandidati për kandidat për deputet në Lezhë, sa kohë ishte deputet në Dibër e më vonë, nuk reagoi kurrë e nuk mori asnjë masë për gjendjen e mjeruar të Dibrës, Bulqizës, Klosit e Matit. Nuk reagoi kurrë për abuzimet në Rrugën e Arbrit apo Urën e Vashës. Nuk reagoi kurrë për abuzimet e shpërdorimet në Minierën e Bulqizës. Dibranët e njohin vetëm për “lidhjet” me bizneset atje e jo për angazhimin për të zgjidhur hallet e përditshme të banorëve. Jo më kot, një fjalë e urtë në Dibër thotë “Llafe madhi, punë pa bami.” – përfundon reagimin e saj anëtarja e kryesisë së PD-së, Alfrida Marku.