Britania i ka dhënë Kremlinit afat deri të martën në mesnatë për të shpjeguar pse një agjent nervor i prodhuar nga ushtria ruse u përdor për të helmuar një ish agjent të dyfishtë rus dhe vajzën e tij në një qytet të vogël në Anglinë jugore.
Askush në qeverinë britanike nuk ka shpresë për një përgjigje të duhur ruse, që do të ishte e kënaqshme për Londrën.
Ndërsa afati po afron, zyrtarët britanikë po përpiqen të marrin mbështetjen e aleatëve perëndimorë dhe duket se jani gati të aktivizojnë nenin 5 të Natos mbi mbrojtjen kolektive, nëse është e nevojshme. Kjo do të ishte hera e parë në historinë 59-vjeçare të Aleancës Perëndimore.
Në deklaratën e saj në parlament të hënën, ku tha se ishte “shumë e mundshme” që Kremlini të ketë autorizuar helmimin e 4 marsit të Sergei Skripalit, një ish oficer i zbulimit ushtarak rus i rekrutuar nga shërbimi britanik i zbulimit, MI6 dhe vajzës së tij 33-vjeçare, Kryeministrja britanike Theresa May i zgjodhi me kujdes fjalët e saj.
Ajo i përshtati fjalët, thanë ndihmësit e saj, në mënyrë që të jetë në gjendje të zgjerojë dimensionin ndërkombëtar të krizës politike dhe diplomatike që po zhyt marrëdhëniet anglo-ruse në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.
“Nëse nuk do të ketë një përgjigje të besueshme, ne do të arrijmë në përfundimin, se ky veprim përbën një përdorim të paligjshëm të forcës nga ana e shtetit rus kundër Britanisë së Madhe”, tha zonja në deklaratën e saj.
Sipas ligjit ndërkombëtar, një vend që është viktimë e përdorimit të paligjshëm të forcës nga një vend tjetër, ka të drejtë të përgjigjet. Duke zgjedhur me kujdes fjalët e saj, May tha se ajo po e trajton tentativën e vrasjes së Skripalëve jo si një veprim kriminal, por si një sulm të sponsorizuar nga një shtet kundër të gjithë Britanisë së Madhe.
Kjo gjithashtu përgatit bazën që Britania të ndjekë shembullin e Amerikës pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe në Uashington dhe të mbështetet në nenin 5 të traktatit të NATO-s të vitit 1949, i cili thotë: “Palët bien dakord që një sulm i armatosur ndaj një ose më shumë vendeve anëtare në Evropë, ose në Amerikën e Veriut, do të konsiderohej si sulm kundër të gjitha vendeve dhe se ata duhet të punojnë së bashku për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.
Gjuha që Kryeministrja May përdori, ka një dallim të theksuar me reagimin britanik ndaj helmimit fatal të vitit 2006 të një tjetër ish-spiuni rus, disidentit Aleksandër Litvinenko, i cili vdiq pasi piu çaj ku ishte hedhur substanca polonium. Në atë kohë nuk u fol për një përdorim të paligjshëm të forcës nga Rusia.
Kryeministrja May ka marrë mbështetje të përgjithshme nga aleatët ndërkombëtarë, por asnjë vend nuk përmendi nenin 5 të Natos.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha: “Përdorimi i një agjenti nervor është i tmerrshëm dhe plotësisht i papranueshëm. Britania e Madhe është një aleat shumë i vlefshëm dhe ky incident është një shqetësim i madh për Naton.”
Pas bisedës telefonike me Kryeministren May, presidenti francez Emmanuel Macron tha se Parisi mbështet me solidaritet Britaninë e Madhe.
Por zyrtarët britanikë privatisht pranojnë ankthin në lidhje me mbështetjen praktike që ata do të jenë në gjendje të sigurojnë dhe mbi atë se si do të pritet kerkesa e tyre për një përgjigje të koordinuar perëndimore ndaj Rusisë. Zyrtarët përshëndetën dënimin të hënën për helmimin e Skripalit nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, por mbetën të shqetësuar kur ajo nuk përmendi në mënyrë specifike Rusinë si përgjegjëse të sulmit.
“Çfarëdo masa që Britania merr kundër Rusisë, ajo që është më e rëndësishme, është bindja e Uashingtonit, Brukselit, Berlinit, se një strategji e plotë e Perëndimit është e nevojshme për të treguar forcën dhe vendosmërinë e tyre përballë sjelljeve të papranueshme”, tha ish-sekretari i jashtëm britanik William Hague në një shkrim në të përditshmen britanike të Daily Telegraph të martën.
Ish-drejtori i planifikimit të politikave në NATO, Fabrice Pothier, thotë se ka pak oreks në mesin e evropianëve për të intensifikuar sanksionet ekonomike dhe financiare të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për aneksimin nga ana e saj të Krimesë në vitin 2014 dhe përfshirjes në konfliktin në Ukrainë. Marrëdhëniet mes Britanisë dhe aleatëve të saj evropianë po dëmtohen edhe nga negociatat e tensionuara për Brexit-in.
Martin McCauley, një ish-profesor i Universitetit të Londrës dhe anëtar i Grupit të Analistëve Limehouse, vë në dukje se vendet evropiane hodhën poshtë kërkesat britanike për një dënim të koordinuar të Rusisë për helmimin e Litvinenkos.
“Kryeministrja është duke u përballur me një problem të vështirë,” thotë ai. Putini mund të presë dhe të shtyjë kohën, shton ai. “Ai po shpreson se do të ndodhë e njëjta gjë si ajo me çështjen e Litvinenkos. BE në thelb nuk donte të merrej me atë çështje. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe tani. Shikoni vendet si Gjermania dhe Italia; ato dëshirojnë të zbusin sanksionet [aktuale] në mënyrë që ata të mund të kthehen në marrëdhëniet normale të biznesit me Rusinë. Ato nuk duan konflikt, nuk duan një mosmarrëveshje me Moskën”, thotë analisti McCauley.