Xheni Lekaj, një nga studentet që ishte pjesë e protestës përpara Ministrisë së Arsimit ka skanuar për gazetaren e Fax News Mirilda Tili gjendjen ekonomike me të cilën përballen sot studentët.
Ajo ka komentuar dhe deklaratën e kryeministrit Rama që i quante protestuesit ngelës, teksa tha se kjo është njësoj si të ndodhë fundi i botës.
‘’Unë nuk jetoj në konvikt por pagesa mesa di nga shoqet e mia është 400 mijë lekë të vjetra, dhe kushtet janë skandaloze. Të jetosh tetë veta me një dhomë është skandaloze, pse Tirana të mos ketë një zonë ku jepen shtëpia me qera vetëm për studentët dhe me çmime më të lira? Kërkesat tona janë shumë të qarta, dhe ato janë bërë publike.
Unë Xheni Lekaj kam një mesatare mbi 8.5 dhe të më thojë tjetri që jam ngelëse se kam dy teta që dua të përmirësoj në vjeshtë, është fundi i botës. Ka studentë që bëjnë nga dy punë dhe nuk kanë mundësi që të mësojnë, pyll pa derra nuk ka, por nuk mund të na përfshish të gjithëve në një thes.
Tarifa 400 mijë lekë e shkollës është shumë e lartë, në biblioteka nuk ka libra, kanë mbetur ato të Marksit. Shkolla jonë ka nevojë për literaturë, nuk duhet të diskutojmë akoma xhamat dhe dyert. Paratë që paguajmë ne dalin edhe për dyer të blinduara”, u shpreh studentja që ishte sot në protestë.
“Shpenzime si studente, unë vetëm leksione të martën kam harxhuar 2600 lekë të vjetra . Unë pesë mijë lekë në ditë kam, aq më japin prindërit se nuk kanë mundësi, ça do të harxhoj unë për të ngrënë, apo për t’u veshur?!
Ata që janë në këto zyra pesë mijë lekë japin për një pije me fruta të shtrydhura, se e duan orgjinale. Për librat unë minimalisht ble një libër 8 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që na duhen nga dy tre për një lëndë. Çdo ditë kemi fotokopje nga 2 mijë e 500 lekë, që janë përtej literaturës bazë”, u shpreh Lekaj.