Unë besoj në Fitoren e Madhe të Ndryshimit!

Nga Agim BAÇI

Unë besoj se bashkëqytetarët e mi nuk do votojnë më 25 Prill për njeriun që ka promovuar, në tetë vite si kryeministër, vetëm kulturën e rrezikshme të vlerësimit të “të fortëve”, duke refuzuar prej kohësh njeriun e ndershëm, duke refuzuar njeriun që zbaton ligjin, duke refuzuar njeriun që kërkon të drejtën për veten dhe shoqërinë.

Unë besoj se bashkëqytetarët e mi nuk do votojnë më 25 Prill për njeriun që ka vendosur talljen si programin e vetëm për shqiptarët.

Unë besoj se bashkëqytetarët e mi nuk do votojnë më 25 Prill për njeriun që promovon dhe mbron ata që u kapën duke mashtruar qytetarët shqiptarë me legalizimet e shtëpive.

Unë besoj se bashkëqytetarët e mi nuk do votojnë më 25 Prill për njeriun që mbron dhe promovon publikisht këdo që, në kundërshtim me çdo ligj e moral, ka survejuar jetët tona.

Unë jam shpresëplotë se bashkëqytetarët e mi do ta refuzojnë talljen dhe dhunën dhe se do të mbrojnë votën e tyre, që më pas të kenë moralin për të kërkuar llogari dhe zbatim ligji nga të zgjedhurit prej tyre!

Unë jam shpresëplotë se bashkëqytetarët e mi nuk mund të tolerojnë më asnjë të zgjedhur prej tij që kërkon të sillet si pronar i jetëve tona dhe që nuk mban përgjegjësi për veprimet dhe vendimet e tij.

Unë jam shpresëplotë se çdo qytetar i përgjegjshëm e kupton se shitja- blerja e votës është përçmim për vetveten, ndaj nuk do të lejojë të nëpërkëmbet e të trajtohet thjesht si një numër.

Ndaj unë besoj se Edi Rama e ka humbur Durrësin dhe gjithë Shqipërinë, sepse ai ka humbur mundësinë t’i bëjë bashkëqytetarët tanë të besojnë se ai mund t’i respektojë si qenie me dinjitet, se mund t’u thotë të vërtetën, se mund t’i çojë përpara në rrugëtimin drejt vlerave!

Ndaj, i nderuar bashkëqytetar, voto këtë të dielë Për Ndryshimin e mos lejo që të mëpërkëmbesh nga askush! Sepse, kushdo që kërkon të të blejë votën është një person që nuk meriton të jetë vendimarrës për jetën tënde, për të ardhmen e fëmijëve të tu, sepse ai që blen votën, shet më pas edhe dinjitetin e tij, duke u bëra streha e së keqes dhe e së padrejtës!

Ne duhet ta mbrojmë veten tonë, shtëpitë tona dhe flamurin që na mbledh drejt një udhëtimi për një jetë me dinjitet, për një shtet ku njerëzit trajtohen si të barabartë përpara ligjit.

Me kurajon tonë dhe me ndihmën e Zotit ne, të gjithë së bashku, mundemi për një Shqipëri më të mirë!

Me Ndryshimin Shqipëria Fiton!

Artikulli paraprakReagon Xhelal Mziu: Mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme, jam kundër dhunës!
Artikulli tjetërIsh-zv/ministrja e PS, e shokuar nga deklarata e kandidates së Ramës