UNICEF kritikon planet për marrjen nën kontroll të shpërndarjes së ndihmave humanitare në Gazë!

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka kritikuar të premten planet për marrjen nën kontroll të shpërndarjes së ndihmave humanitare në Gazë – të cilat u propozuan të enjten nga Izraeli dhe nga Shtetet e Bashkuara – duke thënë se këto plane do t’i shtojnë vuajtjet e fëmijëve dhe familjeve.

Screenshot_22

Departamenti amerikan i Shtetit më herët propozoi një zgjidhje që do të lejonte dërgimin e ndihmave ushqimore në Gazë.

Një propozim po qarkullon në mesin e organizatave humanitare për krijimin e një Fondacioni Humanitar për Gazën, i cili do të shpërndante ushqime nga katër “Pika të Sigurta të Shpërndarjes”.

Ky u ngjan planeve të shpallura nga Izraeli më herët gjatë javës, për të cilat u tha se do ta përkeqësonin zhvendosjen e popullsisë në Gazë.

“Duket se plani i paraqitur nga Izraeli për komunitetin humanitar do t’i rrisë vuajtjet e vazhdueshme të fëmijëve dhe familjeve në Rripin e Gazës”, tha zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder.

Elder shtoi se komentet e tij vlejnë edhe për fondacionin e ri, të cilin e kupton si pjesë të së njëjtës strategji të gjerë.
Komuniteti humanitar tashmë ka refuzuar çdo plan që i jep pushtetit okupues, Izraelit, rol në shpërndarjen e ndihmave në Gazë.

Megjithatë, dokumenti i Fondacionit thotë se pikat e shpërndarjes do të jenë “neutrale” dhe ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, tha të premten se Izraeli nuk do të përfshihet në dorëzimin e ndihmës.

Sidoqoftë, Elder tha se përdorimi i këtyre pikave, të cilat parashikohet të shërbejnë fillimisht për 300.000 persona secila, do të krijonte rreziqe për fëmijët dhe familjet që shkojnë të marrin ndihma, dhe do të nxisnin zhvendosje të mëtejshme.

“Përdorimi i ndihmës humanitare si një ‘kurth’ për të detyruar zhvendosjen, veçanërisht nga veriu drejt jugut, do të krijojë këtë zgjedhje të pamundur: një zgjedhje mes zhvendosjes dhe vdekjes”, tha Elder, i cili ka marrë pjesë në disa misione në Gazë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit, 19 muaj më parë.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.

Ai bëri thirrje që Izraeli të heqë bllokadën tashmë dymujore ndaj hyrjes së ndihmave në enklavë, e cila po shkakton uri të përhapur dhe shqetësime për një rritje të vdekjeve nga kequshqyerja.

“Ka një alternativë të thjeshtë – hiqni bllokadën, lejoni ndihmën humanitare të hyjë për të shpëtuar jetë”, tha ai./REL/

Exit mobile version