Manchester United i jep fund krizës në kampionat me një fitore morali ndaj Tottenham në “Old Trafford”. 4 barazimet e javëve të fundit dhe 2 muaj pa fitore në shtëpi tashmë mund të konsiderohen histori për ekipin e Jose Mourinhos që rikthehet të buzëqeshë në Premier League. Mjaftoi një gol i armenit Henrikh Mkhitaryan për të thyer skuadrën e Pochetinos që bëri shumë pak për të dalë me të paktën një pikë nga teatri i ëndrrave. Dominim në lojë dhe disa raste të pastra për të dyfishuar, Manchester United tashmë duket në rrugën e duhur, ndërsa “Spurs”-at në krizë identiteti po vuajnë mungesën e efikasitetit në sulm dhe fantazinë në mesfushë. Ndeshja u ndez që në minutën e dytë me Pogba që testoi reflekset e Hugo Lloris, ndërsa Mkhitaryan u shfaq i rrezikshëm me një goditje të befasishme pa arritur të zhbllokojë rezultatin. Kur duhej edhe një minutë nga gjysma e parë e orës, Ander Herrera tregoi një vizion të madh loje me një top të pasuar në perfeksion për Henrikh Mkhitaryan, i cili u shfaq i ftohtë përballë Lloris, duke kaluar në avantazh “Djajtë e Kuq”.
5 minuta më vonë Zlatan Ibrahimoviç doli në skenë me një goditje që shënjestroi pjesën e majtë të portës së Tottenham, por Lloris priti pa shumë probleme. Gjatë minutave në vijim dy skuadrat u përgjumën. Tottenham nuk arriti të gjente hapësira në mbrojtjen e ekipit të Mourinhos dhe ishte sërish Pogba që në të 63-ën e stampoi topin në tranversë. I pafat sërish francezi pak sekonda më vonë vuri sërish në provë portierin francez të londinezëve. Shkëndijën e parë të vërtetë të ndeshjes Tottenham e dha në minutën e 70 kur Erikssen ishte shumë pranë golit të barazimit, por De Gea ngrohu dorezat me një pritje vendimtare. Kaq mjaftoi për të mbyllur skenarin e një ndeshjeje të dominuar nga Manchester United që ngjitet në kuotën e 24 pikëve, 3 më pak se Tottenham dhe 6 larg zonës Champions League.
Ish-mesfushori i Borussia Dortmund, Henrikh Mkhitaryan, nuk bënte shumë në planet e Jose Mourinhos në muajt e parë të Premierligës, duke mos u aktivizuar as si zëvendësues. Por, në ndeshjet e fundit, Mkhitaryan ka qenë titullar dhe përveç që është shpallur më i miri në ato ndeshje, ai arriti që t’ia sigurojë edhe tri pikë Manchester Unitedit kundër Tottenham, ku shënoi golin e vetëm dhe të fitores.
Legjenda e Liverpool, Jamie Redknapp, mendon se Mourinho ka gabuar me mosaktivizimin e Mkhitaryan, që i ka kushtuar “Djajve të Kuq” me humbje të disa pikëve.
“Nuk është argument se Mkhitaryan ka nevojë për kohë që të adaptohet në Premier Ligë”, tha fillimisht ai për “Daily Mail”. “Nëse ai do të startonte më parë, më besoni se Unitedi do të kishte gjashtë ose shtatë pikë më shumë”, shtoi Redknapp. “Ai është si Philippe Coutinho ose Mesut Ozil, sheh gjëra që të tjerat nuk i shohin dhe pason atje ku askush nuk mund ta imagjinojë”, theksoi mes të tjerash Redknapp.