Manchester United zhytet akoma më shumë krizë teksa është mposhtur nga Tottenham në Old Trafford me rezultatin 3-0. Ishte një ndeshje fantastike nën atmosferën magjike të Teatrit të Ëndrrave megjithëse ishte e hënë.
Ndeshja filloi me ritëm të lartë dhe United mund të kishte kaluar në avantazh nëse Lukaku nuk do të humbiste atë rast me portën e boshatisur, dhe mbase gjërat do kishin shkuar ndryshe. Por pas pushimit ishte Tottenham që zhbllokoi rezultatin me goline Harry Kane me kokë pas krosit të Tripper nga këndi.
Vetëm dy minuta më pas ishte Lucas Moura ai që dyfishoi rezultatin dhe që pas atij momenti ndeshja mund të quhej e mbyllur. Në fund të takimit, Moura me një tjetër gol fantastik trefishon rezultatin duke bërë që tani Jose Mourinho të rrezikojë seriozisht postin e tij.
Mou braktis konferencën: Unë fitoj 3 me 2
Manchester United ka marrë një tjetër rezultat zhgënjyes në kampionat të hënën në nbrëmje, teksa Tottenham ka fituar 3-0 në “Old Trafford”.
Siç mund të kuptohet, humori i Jose Mourinho nuk ka qenë shumë i mirë dhe kjo është dukur qartë në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
I acaruar nga pyetjet e gazetarëve, Mou ka braktisur konferencën pasi ka bërë këtë deklaratë: “Ne humbëm 3 me 0, por unë kam fituar 3 Premier League, më shumë se 19 trajnerët e tjerë të këtij kampionati.
Unë fitoj 3 me 2”. (Guardiola dhe Pellegrini janë dy trajnerët e tjerë që kanë fituar Premier).
Portugezi ka befasuar akoma më shumë në intervistën e dhënë për “Sky Sport”, ku ka thënë: “Nuk kemi humbur në aspektin taktik dhe as në atë strategjik, por kemi humbur ndeshjen”.
Pochettino me këmbë në tokë: Titulli nuk fitohet me një ndeshje
Trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino i ka kërkuar skuadrës dhe tifozëve që të mos jenë euforikë pas fitores 3-0 që arritën ndaj Manchester United. Dy gola të Lucas Moura dhe një gol i Harry Kane i dhanë fitores skuadrës së Tottenham, që kryeson renditjen me 9 pikë të plota pas tri javëve të para. “Janë vetëm 3 pikë edhe pse gëzimi për këtë fitore është i madh. Kam 4 vjet që kam luajtur në “Old Trafford” dhe skuadra ime nuk ka realizar asnjë gol, ndaj tani kjo 3-0 është një fitore e madhe”, u shpreh Pochettino.
Megjithatë, trajneri argjentinas kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë: “Rruga është e gjatë edhe pse kjo fitore na jep më shumë besim, pasi mposhtëm një ekip të madh dhe pretendent ashtu si ne për titull. Duhet të vazhdojmë të luajmë në këtë mënyrë, të japim maksimumin në çdo ndeshje. Duhet të jemi të qetë dhe të punojmë fort, kjo është këshilla ime për skuadrën. Ata e merituan këtë fitore, jemi në një pozicion të mirë në renditje dhe të shohim se si do të rrjedhin ngjarjet”, tha Pochettino.