Uniteti Rama-Veliaj përballë drejtësisë dhe një mandat i dytë për prokurorët e SPAK-ut

Nga Namir Lapardhaja

Deklaratat e fundit të Edi Rama në mbrojtje të Erion Veliajt përballë hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, kanë nxjerrë zbuluar presionin e mazhorancës ndaj drejtësisë.

Ndërkohë, nga ana tjetër, i dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, në 5-vjetorin e krijimit të SPAK-ut jo vetëm që shprehu vlerësim maksimal të shtetit të tij për punën e deritashme, por, në mënyrë eksplicite, kërkoi një mandatë të dytë për këtë trupë prokurorësh.

Përgjigjja e Ramës se do të flasë për këtë çështje në kohën e duhur, duket açik se atij nuk i intereson një gjë e tillë. Për këtë do të sillja në vëmendje Ramën e vitit 2016, i cili deklaronte se për Reformë në Drejtësi është i gatshëm të votojë çdo propozim që vjen nga SHBA-të. Madje, ai atëherë shkonte edhe më tej, kur thoshte se jam gati të firmosë çdo letër të bardhë të shkruar prej tyre.

Prokuroria e Posaçme, veçanërisht në drejtimin e Altin Dumanit, ka dëshmuar se është një shtyllë e rëndësishëme e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndaj, nëse trupës aktuale të prokurorëve nuk u garantohet mundësia për një mandat të dytë, rrezikohet jo vetëm humbja e ekspertizës dhe e vazhdimësisë së çështjeve komplekse të trajtuara prej tyre, por edhe e pavarësisë, sigurisë dhe besimit të madh që publiku ka krijuar përgjatë kësaj kohe.

Dyshja Berisha-Rama përfaqësojnë kërcënime të kundërta, por po aq serioze, për pavarësinë e SPAK-ut. Nga njëra anë, ish-kryeministri Berisha ka premtuar shkrirje të këtij institucioni, ndërsa Rama, përmes mbrojtjes publike të Veliajt dhe përpjekjes për të ndikuar mbi institucionin, sinjalizon dëshirën për ta vënë atë nën kontroll, njëjtë sikurse u përpoq për të mbështetur të parapëlqyerin e tij përballë Dumanit.

Për këtë arsye, është e domosdoshme që mbështetja për SPAK-un të formalizohet si një premtim elektoral nga partitë politike që synojnë të përfaqësojnë një ndryshim të vërtetë në politikën shqiptare. Mundësia për rikandidim të prokurorëve dhe garantimi i pavarësisë së këtij institucioni duhet të jenë në qendër të çdo programi elektoral që synon të fitojë besimin e publikut.

Shqipëria ka nevojë për një drejtësi të pavarur dhe për liderë që angazhohen për të garantuar këtë pavarësi. SPAK-u, me rezultatet konkrete që ka arritur, është një simbol i reformës që qytetarët kanë pritur prej kohësh. Shndërrimi i mbështetjes ndaj tij në një premtim elektoral do të dërgonte një mesazh të qartë: drejtësia është mbi politikën dhe mbi çdo interes të ngushtë partiak.

Exit mobile version