Uniteti shtet-krim shkatërroi zgjedhjet

Ministrat teknikë të PD kanë bërë diagnozën e rënies së zgjedhjeve të lira me 25 Qershor, duke evidentuar të gjithë faktorët që ndikuan tek zhvillimet e zgjedhjeve farsë.
Pas përfundimit të raportit, dje, ministrat teknikë u dorëhoqën. Ato u emëruan në qeveri pas marrëveshjes së 18 majit ndërmjet Kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe Kryeministrit Edi Rama. Ministrat teknikë duhet të garantonin mospjesëmarrjen e administratës në fushatë zgjedhore, mospërdorimin e burimeve të shtetit dhe të monitoronin situatën e drogës.
Ndonëse raporti nuk është bërë akoma publik i plotë pjesë nga ky raport japin detaje dëshpëruese për rënien e votës së lirë në Shqipëri, duke përcaktuar edhe shkaktarët. Nga informacionet e Ministrisë se Brendshme rezulton, se në zgjedhje janë angazhuar grupe të njohura kriminale në mbështetje të subjekteve politike, kryesisht në Dibër, Elbasan, Lezhë dhe Shkodër.

Nëntë pikat kryesore të Raportit të zgjedhjeve

• Shitblerje e votës me burime të dyshimta financiare, me favore të ndryshme si pajisja me çertifikatë pronësie, legalizim i pronës, premtimi i vendeve të punës, premtimi i notës kaluese në provimet e maturës etj.
• Favorizim në tendera, vlera e të cilëve e tejkalojnë disa herë buxhetin e një ministrie të caktuar.
• Grupe kriminale të njohura, kanë mbështetur partitë politike gjatë fushatës elektorale në qytetet e Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Dibrës, Elbasanit, Tiranës, Beratit, Fierit etj.
• Punonjës të policisë, kanë bashkëpunuar me elementë kriminalë dhe kanë mbështetur partitë politike në fushatën zgjedhore. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk ka marrë asnjë masë për rastet e denoncuara.
• Shpërndarje e ftesave për të votuar një subjekt elektoral ditën e heshtjes zgjedhore në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
Punësimeve, largimeve, transferimeve të ndryshme në administratën shtetërore-nga sistemi elektronik i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, rezulton se gjatë fushatës zgjedhore janë kryer rreth 3600 lëvizje të burimeve njerëzore në administratën publike.
• Institucionet publike që kanë kryer këto lëvizje kanë fshehur informacionin ndaj është e pamundur të mësohet nëse këto punësime janë kryer në përputhje me strukturat e institucioneve apo janë punësime me kontrata të përkohshme jashtë organikës së miratuar. Kjo çështje është adresuar në Prokurori nga zëvendës/kryeministri, ndërkohë që është penguar nga protokolli i Kryeministrisë për veprime të mëtejshme.
• Janë angazhuar në mënyrë masive burime të dyshimta financiare në shitblerjen e votës nga subjekte politike të mazhorancës ose persona të lidhur me këto subjekte, e raportuar kjo nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërkohë që Drejtoria e Paranadalimit dhe Pastrimit të Parave nuk ka raportuar raste të tilla.
• Punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbështetur subjekte elektorale të mazhorancës në bashkëpunim me elementë kriminalë. Pavarësisht kërkesave të njëpasnjëshme të ministrit të Punëve të Brendshme, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka refuzuar marrjen e masave ndaj punonjësve të implikuar.
• Kursi i këmbimit i monedhës euro kundrejt asaj lek, referuar Bankës së Shqipërisë, duke filluar nga data 19.05.2017 ka pësuar rënie domethënëse deri në datë 27.06.2017 pas të cilës ka nisur përsëri rivlerësimi i euros, duke arritur kështu nivelin më të ulët prej shumë vitesh.

Policia e Shtetit jo efektive në parandalimin e grupeve kriminale dhe korrupsionit zgjedhor

Raporti vlerëson se në procesin e shitblerjes së votës janë përfshirë punonjës të lartë të administratës, grupe kriminale si dhe drejtues të policisë. Kjo dëshmon edhe për unitetin shtet-krim në kapjen e votës së lirë të shqiptarëve. Pikërisht aleanca mes krimit dhe strukturave të larta të pushtetit kanë bërë të mundur fitoren e PS në zgjedhje dhe ky raport është një diagnozë mjaft e qartë se përse këto zgjedhje nuk kanë legjitimitet. Raporti i ministave teknikë të PD është i detajuar dhe pason raportin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR, të cilët u shprehën të zhgënjyer nga zgjedhjet dhe deklaruan se zgjedhjet i karakterizuan nga shitblerja e votës dhe kërcënimet.
Ministrat teknikë të Partisë Demokratike zyrtarizuan dje aktin formal të largimit nga Qeveria “Rama”, në të cilën u përfshinë si pjesë e marrëveshjes Rama-Basha para tre muajsh me qëllim monitorimin nga afër të sjelljes së administratës në zgjedhje dhe për të garantuar standardin e tyre.
Nga informacionet e Ministrisë së Brendshme rezulton se në zgjedhje janë angazhuar grupe të njohura kriminale në mbështetje të subjekteve politike, kryesisht në Dibër, Elbasan, Lezhë dhe Shkodër. Policia e Shtetit jo efektive në parandalimin e grupeve kriminale dhe korrupsionit zgjedhor.
Koordinimi mes Policisë së Shtetit dhe ministrive dhe instutucioneve të varësisë nuk ka qenë në nivelin e duhur sa i takon monitorimit të sjelljes së administratës gjatë fushatës elektorale.

Shitblerja e votës fenomen i përhapur

Punonjës të nivelit të lartë të administratës dhe punonjës të policisë të përfshirë në shitblerjen e votës.
Rekomandohet të merren masa për të gjetur përgjegjësit në strukturat e policisë, të cilat nuk kanë mundësuar zbatimin e masave operacionale të dakorduara nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Ministri i Brendshëm ka raportuar punonjësit e policisë që kanë mbështetur subjektet elektorale apo kanë bashkëpunuar me elementë kriminalë. Ministri i ka kërkuar Drejtorisë së Policisë largimin nga detyra të këtyre punonjësve, por drejtori i Përgjithshëm Policisë nuk ka marrë masat e kërkuara.
Nga institucionet shtetërore, kryesisht zv/kryeministri dhe ministrat teknik si dhe Policia e Shtetit janë dërguar në Prokurori rreth 110 të dyshuar për kryerje të veprave penale në fushën e zgjedhjeve, të cilat janë në proces hetimi. Kërkohet fuqimisht një hetim eficent dhe inkurajohet Prokuroria të procedojë sa më parë në hetim të plotë të çështjeve të adresuara dhe të realizojë ndjekjen deri në fazën finale të gjykimit.
Ështe konstatuar përdorimi i aseteve në mbështetje të subjekteve elektorale nga ninistri, institucione varësie dhe bashkitë. Janë përdorur aktivitete në kopshte, shkolla, inaugurimin e shesheve dhe rrugëve për fushatë elektorale të subjekteve elektorale në qeverisje si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore janë shpërndarë ftesa për të votuar një subjekt elektoral në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor. Nga ana tjetër shkolla, kopshte, ambiente të instutucioneve janë vënë në dispozicion të subjekteve elektorale.
Rekomandohet që në të ardhmen të jetë e ndaluar me ligj mundësia që aktivitete të tilla të jenë në shërbim të një subjekti elektoral si dhe të ndalohet me ligj shpëndarja e ftesave për të votuar një subjekt elektoral të caktuar në ditën e heshtjes zgjedhore.
Gjithashtu rekomandohet të hetohet nga organet e Prokurorisë apo edhe të auditohet nga KLSH në lidhje me përdorimin e fondeve publike në drejtim të realizimet e ftesave, materialeve të tjera të propagandës dhe shpërndarjes së tyre nga Bashkia e Tiranës.
Ështe konstatuar dhënia e privilegjeve të ndryshme gjatë fushatës elektorale si çertifikatë pronësie, legalizime, premtim i vendeve të punës, premtim i vlerësimit kalues ose më të lartë gjatë procesit të Maturës Shtetërore.

Pengesat për ndalimin e abuzimeve të pushtetit

Koha e shkurtër pamundësoi një monitorim efektiv, duke penguar në këtë mënyrë parandalimin e abuzimeve me pushtetin dhe pasojave të tjera negative në zgjedhje”.
Po ashtu edhe mosvënia në dispozicion e mjeteve të nevojshme financiare apo logjistike, për të kryer një proces real monitorimi “e bënë të vështirë, deri në pamundësi, përmbushjen e misionit të ngarkuar”, thuhet më tej.
Evidentohet fakti se në mbledhjet e Task-Forcës nuk kanë marrë pjesë ministrat e mazhorancës anëtarë të Task-Forcës, përfaqësuesi i Prokurorisë dhe KQZ, në cilësinë e subjekteve të ftuara.
Informacioni është penguar ose ka ardhur i pasaktë, sipas raportit në të cilin theksohen disa raste të monitorimit të drejtpërdrejtë të Task Forcës informacione, të cilat më pas u referuan nga ministritë ishin të pavërteta, duke e bërë të dyshimtë edhe besueshmërinë e të dhënave të tjera të raportuara prej tyre.
Ministrat teknikë janë përballur me mungesë të vullnetit politik të demonstruar nga pengesa artificiale në ushtrimin e detyrës së tyre në funksion të monitorimit, të krijuar nga nëpunës civil apo funksionarë politikë, të cilët kishin si qëllim të pengonin punën e ministrave në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave. Departamenti i Administratës Publike dhe veçanërisht Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil si një organ i pavarur, kanë mbajtur një qëndrim tërësisht të njëanshëm dhe mbështetës për sjellje të tilla penguese nga nëpunës civilë të nivelit të lartë.

Rekomandimet

Rekomandohet që rastet e dhënies së privilegjeve në rastin e Maturës Shtetërore bursave të ekselencës, rastet e denoncimit të kontrabandës së kafesë, të rimbursimit të tvsh apo të subjektivitetit gjatë vlerësimit tatimor si dhe listat e ndihmës ekonomike duhet të jenë subjekt i auditit nga KLSH apo edhe e hetimit të mëtejshëm nga Prokuroria me përfundime konkrete.
Përfshirja e opozitës në qeverisje gjatë vitit elektoral, në funksion të garantimit dhe monitorimit të procesit zgjedhor është një praktikë shumë e mirë në kushtet e një demokracie të brishtë në Shqipëri, shpesh e shoqëruar me tensione politike, megjithëse kjo përfshirje për të qenë efektive duhet të ndodhë më parë, konkretisht nga 1 janari i vitit zgjedhor dhe jo pak javë para zgjedhjeve për Kuvendin. Rekomandohet, 3-6 muaj para zgjedhjeve. Në këtë mënyrë procesi i monitorimit dhe masat e marra apo rekomandimet e dhëna nga Task Forca do të mund të kryehen me një ritëm normal pune. Njëkohësisht institucionet dhe entet apo shoqëritë shtetërore do të kenë më shumë kohë në dispozicion për të mbledhur apo për të përpunuar informacionin dhe për tia referuar atë Task Forcës të plotë e të saktë për çka kërkohet.
Gjithashtu nisja e punës më herët nga Task Forca do të mundësonte edhe një monitorim më të mirë dhe më të hollësishëm të enteve publike dhe shoqërive shtetërore në drejtim të mospërdorimit të aseteve të tyre në funksion të fushatës politike apo moslidhjes së kontratave të reja të punës si mekanizëm për të shtuar zgjedhësit që votojnë për një subjekt të caktuar politik, dhe deformuar vullnetin e lirë të zgjedhësve.
Nëpunësit e administratës shtetërore janë përfshirë në fushatë elektorale për subjekte të caktura në kundërshtim me ligjin.
Rekomandohet që KLSH të auditojë të gjitha punësimet apo shkarkimet të kryera gjatë periudhës zgjedhore, në pushtetin qendror dhe vendor.

315 raste të denoncuara për shitblerje vote

Në raport renditen rastet e denoncuara kryesisht për shitblerjen e votës. 315 raste janë denoncuar pranë Ministrisë së Brendshme.
“Rezulton fenomen i përhapur shitblerja e votës. Nga 484 denoncimet e mbërritura në Ministrinë e Brendshme, 315 raste i përkasin ‘Korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje’, për të cilat Policia e Shtetit nuk ka dhënë informacion lidhur me masat e marra për verifikimin e tyre. Policia ka dështuar të japë një shifër të saktë të çështjeve të adresuara në Prokurori për shitblerjen e votës gjatë fushatës elektorale, por ka raportuar vetëm 10 raste të verifikuara dhe të dërguara për veprime të mëtejshme në Prokurori në ditën e zgjedhjeve.
Sipas raportit në procesin e shitblerjes së votës janë përfshirë punonjës të administratës të nivelit të lartë dhe punonjës të policisë, për të cilët pavarësisht denoncimeve nuk është arritur të vihen para përgjegjësisë dhe puna e Policisë së Shtetit konsiderohet jo efektive.

Pengesat nga Kryeministria gjatë fushatës zgjedhore

“Gjatë fushatës zgjedhore sipas të dhënave zyrtare nga ana e organeve tatimore janë kryer rreth 3600 lëvizje të burimeve njerëzore në administratë publike në kundërshtim me nenin 88 të Kodit Zgjedhor. Në të gjitha rastet e verifikuara nga Task Forca ka rezultuar që vetdeklarimet nga institucionet e monitoruara kanë qenë të rreme. Kjo çështje është adresuar në Prokurori nga zv/Kryeministri, ndërkohë që është penguar nga Protokolli i Kryeministrisë për veprime të mëtejshme”.
Rastet e përfshirjes së administratës në fushatë të jenë evidentuar vetëm në ministritë apo drejtoritë e kryesuara nga ministra/drejtorë teknikë dhe pothuajse nuk ka pasur asnjë raportim për raste të tilla nga ministritë apo institucionet e tjera. Raporti flet gjithashtu për tenderime gjatë vitit elektoral, të cilat tejkalojnë disa herë buxhetin e miratuar të një ministrie të caktuar. Më pas denoncimet në raport shoqërohen dhe me rekomandime për zgjidhje të problematikave. Taska-Forca e mbylli punën e saj me mbylljen zyrtare të procesit zgjedhor, ministrat dhanë dorëheqje rreth një muaj mbrapa, duke argumentuar qëndrimin e tyre në qeveri me hartimin e këtij raporti.

 

Artikulli paraprakTerrorizmi trondit sërish, përgjaket Barcelona
Artikulli tjetërAtentat në Kurbin, qëllohet me armë zjarri një person