Universitetet publike në kolaps, 20 për qind më pak studentë këtë vit, privati rritet me 34 për qind

Nga Aranit Muraçi

Gati gjysma e programeve në universitetet publike drejt mbylljes, për shkak të mungesës së studentëve

Me përfundimin e procesit të regjistrimit të dy raundeve të para në universitete, dhe me nisjen e vitit të ri akademik, del në pah ulja e ndjeshme e numrit të studentëve të regjistruar në universitetet publike dhe orientimi i tyre drejt universiteteve private.

Cilësia e dobët në mësimdhënie, korrikulat e vjetëruara, burokracitë nga profesorë të cilët karrierën e kanë ngritur sipas parimeve të marksizëm dhe leninizëm, standardi i munguar në vlerësim dhe shumë faktorë të tjerë po i çojnë universitet publike drejt kolapsit. Të dhënat zyrtare tregojnë se këtë vit akademik janë regjistruar 20% më pak studentë në 10 universitetet publike kryesore të vendit, ndërsa në ato private janë regjistruar 34 më shumë. Kjo tendencë tregon se arsimi i lartë në sektorin privat është duke performuar më mirë, ndërsa ai publik vijon të mburret me “suksesin” e rritjes dhe të shpërdorimit pa përgjegjësi të  fondeve publike. Kujtojmë se 75 për qind e fondeve të universiteteve publike vijnë nga taksapaguesit, ndërsa 25 për qind nga xhepat e studentëve. Të ardhura të tjera si për shembull, kërkimi shkencor, kanë mbetur prej vitesh në kuotën zero.

Të dhënat e portalit studentor tregojnë se gjysma e programeve në universitetet publike janë drejt mbylljes. Edhe pse qeveria i ka shpallur shumë prej tyre prioritare dhe madje ka vendosur një pagë minimale, që të joshen studentët për ti ndjekur, degë që lidhen me Shkencat Ekzakte, degë të mësuesisë, apo profesionale si veterinaria dhe agronomia janë drejt kolapsit.

Me përfundimin e procesit të regjistrimit në universitet dhe nisjes së “raundit të lirë”,  është kjo një panoramë e qartë e regjistrimeve në institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë.

Në total deri më tani, janë regjistruar 15.111 studentë ndërkohë që totali i kuotave në të gjitha programet e studimit të IAL-ve në Shqipëri është 30.805, pra aktualisht mbeten edhe 15.694 kuota të lira.

Në grafikun më poshtë paraqiten regjistrimet vitin e kaluar (2023) si edhe këtë vit (2024). Ajo çfarë vihet re është një tkurrje e numrit të studentëve të regjistruar në të gjitha universitetet publike, ku rënien më të theksuar e ka Universiteti Bujqësor i Tiranës, me gati 2-fish studentë më pak se një vit më parë.

Në total, në vitin 2023 ka pasur 12.241 regjistrime në universitetet kryesore publike të vendit ndërsa në vitin 2024 ky numër është ulur me më shumë se 2000, ose 19 për qind, duke arritur në 9920 regjistrime.

Kanë zgjedhur pas dy raundeve të para të këtij viti akademik të studiojnë në universitetet private 5191 studentë, ose mbi 34.5 për qind e totalit e studentëve të cilët ulen për herë të parë në auditorë. Raundi i fundit pritet ta bëjë edhe më dramatike situatën e universiteteve publike.

Programet e studimit të cilat nuk përmbushin 10 studentë të regjistruar konsiderohen si programe që duhet të mbyllen.

Grafiku më poshtë tregon normën e programeve aktive kundrejt atyre që rrezikojnë të mbyllën për shkak të mos plotësimit të kriterit prej 10 regjistrimeve.

IAL më e rrezikuar është Universiteti i Gjirokastrës, së cilit 81.8% e degëve i rrezikohen për shkak të mos plotësimit të këtij kriteri. Universiteti i Korçës gjendet gjithashtu në një situatë të vështirë, pasi më shumë se gjysma e degëve rrezikojnë të mbyllen.

Në lidhje me programet e studimit të cilat konsiderohen prioritet kombëtar, ato rrezikojnë të mbyllen në masën 42.8% pasi edhe pse Qeveria ka ofruar incentivën e bursës sa paga minimale çdo muaj (40 000 lekë në kohën e shkrimit të këtij artikulli), studentët përsëri nuk kanë treguar interes për këto degë.

Qeveria uli gjithashtu numrin e programeve të studimit që konsiderohen prioritet kombëtar, nga rreth 82 një vit më parë, në 21 aktualisht. Edhe pse kemi një ulje të programeve që konsiderohen prioritet, kjo përsëri ka sjellë një situatë të njëjtë me vitin e kaluar ku 42.6% e këtyre programeve rrezikonin të mbylleshin.

Tabela e mëposhtme tregon degët të cilat rrezikojnë të mbyllen për shkak se nuk plotësojnë kriterin minimal prej 10 studentësh. Në total, 41.3% e programeve të studimit në 10 universitetet kryesore të vendit rrezikojnë të mbyllen pasi nuk ka studentë.

Përmbledhje e vitit akademik 2024-’25, në 10 universitetet publike

1/2 e kuotave në të gjitha universitetet e vendit janë bosh.

20% më pak studentë në 10 universitetet publike kryesore të vendit

Në 10 universitetet kryesore të vendit, 41.3% e degëve janë në rrezik për t’u mbyllur për shkak se nuk ka studentë

Në Universitetin e Gjirokastrës, 81.8% të degëve rrezikojnë të mbyllen pasi nuk plotësojnë numrin minimal të studentëve

42.8% e programeve të studimit që janë prioritet kombëtar rrezikojnë të mbyllen pasi studentët nuk kanë treguar interes për to.

Analiza trajton 10 universitete kryesore të vendit:

Universiteti i Tiranës

Universiteti i Mjekësisë i Tiranës

Universiteti Politeknik i Tiranës

Universiteti Bujqësor i Tiranës

Universiteti i Durrësit

Universiteti i Elbasanit

Universiteti i Vlorës

Universiteti i Korçës

Universiteti i Shkodrës

Universiteti i Gjirokastrës

 

Exit mobile version