Universiteti i Mjekësisë zë vendin e parë për tarifat më të larta të studimit krahasuar me Universitetet e tjera publike ne vend. Sipas vendimit të Senatit Akademik të këtij universiteti, në vitin akademik 2017-2018 tarifat për nivelin e parë të studimit variojnë nga 35 mijë lekë deri në 45 mijë lekë të reja.
Në programet e studimit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, me përjashtim të Infermierisë së Përgjithshme, që e ka tarifën 40 mijë lekë, studentët e programeve të tjera paguajnë për një vit studimi 35 mijë lekë. Ndërsa tri programet e tjera Mjekësi, Farmaci dhe Stomatologji, kanë tarifë 45 mijë lekë. Për vitin akademik 2017-2018 në këtë universitetet u pranuan 1217 kandidatë të rinj, prej të cilëve 893 fitues u përzgjodhën në radhët e maturantëve që kanë garuar nëpërmjet plotësimit të formularit të preferencave, pas mjekësisë vendin e dytë për tarifat më të larta e zë Universiteti i Arteve, me 40 mijë lekë për të gjithë programet e shkollimit ndjekur nga ai i Tiranës dhe Universiteti Politeknik.
Në Universitetin e Tiranës, tarifat e studimit nuk ndryshuan këtë vit ato në pjesën më të madhe janë unifikuar në bazë të fakulteteve dhe variojnë nga 25 mijë lekë, që është në Fakutetin e Shkencave të Natyrës, Gjuhët e Huaja deri në 40 mijë lekë maksimalja në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Sociale. Ndërsa në atë Politeknik tarifën maksimale e ka Arkitektura dhe Urbanistika deri në 40 mijë lekë. Ndërkohë në universitetet e tjera tarifat e shkollimit variojnë: Në Universitetin e Sporteve 35 mijë lekë në vit, Universitetit Bujqësor të Tiranës 25 mijë lekë në vit për një pjesë të madhe të programeve të studimit që ofron, deri në 40 mijë lekë, që është tarifa më e lartë e shkollimit dhe e ka programi i studimit Mjekësi Veterinare.
Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, si vitin e shkuar edhe këtë vit i ka ruajtur tarifat e unifikuara për të gjitha programet e studimit, pra, pagesa që bëjnë studentët për të studiuar në këtë universitet është 25 mijë lekë. Tarifën e studimit prej 25.000 lekësh në vit për të gjitha programet ka edhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Ndërsa tarifat e shkollimit më të ulëta i kanë universitetet “Ismail Qemali” në Vlorë, “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër pothuajse për të gjitha programet tarifa e shkollimit është 20 mijë lekë.