Universiteti zgjedh Konin jo kandidaten e Shullazit

Profesor Mynyr Koni ka fituar përballë kandidates së Shullazit, Klodeta Dibra, në zgjedhjet për Rektor të Universitetit të Tiranës. Numërimi i votave për stafet akademike në Universitetin e Tiranës ka përfunduar rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Nga numërimi ka rezultuar se kandidati për Rektor, Profesor Mynyr Koni ka marrë 460 vota, kundrejt Klodeta Dibrës, e cila ka marrë 243 vota. Pritet të përfundojnë numërimi i votave të studentëve, por vota e tyre ka 10% të peshës në rezultat, ndërsa vota e pedagogëve 90%, çka tregon se rezultati është i vështirë të përmbyset, nisur nga diferenca e madhe mes dy kandidatëve.
Pjesëmarrja e studentëve në zgjedhjen e Rektorit të ri të Universitetit të Tiranës ka qenë e ulët. Nga burime zyrtare mësohet se kanë votuar vetëm 50% e studentëve. Ndërkohë, gjatë paradites, një grup studentësh protestuan, duke bërë thirrje që procesi të bojkotohej.
Megjithë terrorin dhe presionin e bandave për të votuar kandidaten e Ramës, në votimet për Rektor të Universitetit të Tiranës ka triumfuar Profesor Koni, duke e shpëtuar Universitetin nga kandidatja e Shullazit.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e Universitetit të Tiranës ka qenë 98%. Pedagogë dhe studentë i kanë thënë “Jo” me votë kapjes së Universitetit nga bandat pranë qeverisë. Megjithë terrorin e ushtruar gjatë ditëve të fundit, procesi zgjedhor në Universitetin e Tiranës vijoi normalisht. Studentët votuan normalisht në Fakultetet e tyre, për të zgjedhur strukturat drejtuese. Sipas Komisionit institucional zgjedhor, pjesëmarrja në votime ka qenë 98%.

Koni: Studentët dhe stafi akademik dëshmuan vlerat reale të UT-së

Në përfundim të procesit zgjedhor për rektor në Universitetin e Tiranës, kandidati Mynyr Koni ka komentuar zgjedhjet, duke theksuar se pjesëmarrja e stafit akademik ishte në nivelin 98%, ndërsa numri i studentëve që votan ishte 7 mijë. Në një postim në rrjetin social Facebook, Koni shkruan se studentët dhe stafi dëshmuan vlerat reale të UT dhe modelin  e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
“Procesi zgjedhor në Universitetin e Tiranës ka përfunduar. Pjesëmarrja e stafit akademik në këto zgjedhje është në nivele maksimale me 98%. Nga të dhënat paraprake janë rreth 7.000 studentë të cilët kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës për përzgjedhjen e drejtuesve të niveleve të ndryshme të UT-së. Vlerësoj maksimalisht faktin, që në këtë ditë të rëndësishme për universitetin, studentët dhe stafi akademik dëshmuan vlerat reale të UT-së dhe modelin më të mirë për zgjedhje të lira dhe demokratike. Do doja të falenderoj studentët, stafin akademik dhe të gjitha strukturat që kanë ndihmuar në mbarëvajtjen e procesit të sotëm dhe njëkohësisht për gjithë mbështetjen e dhënë gjatë kësaj kohe”, shkruan Profesor Koni në Facebook.

Bashkëshorti i ministres Nikolla, në garë për dekan pa konkurent

Bashkëshorti i Lindita Nikollës ka konkuruar për dekan në një prej fakulteteve të Tiranës. Ka pasur reagime në rrjetet sociale lidhur me këtë kandidim, ndërkohë që është i vetëm në garë. Kështu, te Inxhinieria Matematike u shpall fitues Ligoraq Nikolla, bashkëshorti i Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, pasi ka qenë i vetëm në garë. Qëllimisht nuk është lejuar të kandidojë asnjë pedagog tjetër. Qytetarët konsiderojnë se ky është një rast i konfliktit të interesit.
Numërimi i votave ka përfunduar edhe në Fakultete. Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës u zgjodh Andrea Maliqari. Ai u shpall fitues që me votat e pedagogëve. Dekan i Fakultetit Teknologji Informacioni u zgjodh Vladi Koliqi. Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike fitoi Jorgaq Kacani. Dekan i Fakultetit Inxhinieri Ndërtimi u shpall Gëzim Hasko. Te Gjeologji-Minierat fitoi Vasil Jorgji. Dekan i Gjeoshkencave u shpall Fatos Hoxha. Tek Fakulteti i Mjekësisë kryeson Arben Gjata.
Dekani i Fakultetit të Artit Skenik, Kastriot Çaushi ka fituar me një diferencë të madhe votash ndaj 2 kandidatëve të tjerë në garën për Rektor të Universitetit të Arteve. Ai ka marrë 92 vota.

Gjykata pezullon zgjedhjet në Universitetin e Sporteve, Ministria nuk e zbaton

Gjykata vendosi pezullimin e zgjedhjeve në Universitetin e Sporteve, Ministria nuk e zbaton.
Denoncimin e bëri kreu i Departamentit të Arsimit, deputeti Luçiano Boçi. “Kemi këtu një nga rastet flagrante të ndërhyrjes së ministrisë në procesin zgjedhor dhe madje të shkeljes së ligjit. I referohemi Fakultetit të Veprimtarive Fizike të Universitetit të Sporteve, ku një prej kandidatëve pa bërë padi ndaj Komisionit të Apelimit në Gjykatën Administrative, e cila ka marrë vendimin e saj për pezullimin e procesit zgjedhor dhe bazuar në vendimin e Gjykatës, që po e tregoj këtu, Komisioni i Fakultetit ka ndjekur vendimin e Gjykatës dhe ka marrë vendimin për pezullimin e procesit zgjedhor për dekan të këtij fakulteti, por përsëri është Komisioni i Apelit ai që vendos me ndërhyrjen e njerëzve të dërguar nga ministria që vendos, që procesi të vazhdojë dhe përjashtimin e njërit prej kandidatëve që është Agron Kasa”, shprehet Boçi.
Duke denoncuar edhe futjen e duarve nga ana e qeverisë në procesin zgjedhor, në universitete, për deputetin e PD-së, kjo është jo vetëm shkelje e kompetencave, por edhe shkelje e rëndë e ligjit. “Kjo është jo vetëm shkelje e kompetencave të ndërhyrjes brutale të ministrisë në procesin zgjedhor, ndërhyrje që ne e kemi denoncuar, por është njëkohësisht një shkelje e rëndë ligjore që për të cilën anëtarët e Komisionit të Apelit do të mbajnë përgjegjësi penale, pasi do të bëhet edhe denoncimi përkatës nga kandidati, por jemi këtu edhe për të faktuar atë që kemi thënë këto ditë që ministria dhe qeveria është duarbrenda procesit zgjedhor në universitete në rastin e zgjedhjeve për rektorët dhe dekanët. Gjërat janë e zeza mbi të bardhë dhe nuk mund të mohohen”, përfundon denoncimin e tij deputeti Luçiano Boçi.

Manipulohen zgjedhjet universitare në Durrës, FRESH presion studentëve

Zgjedhjet në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”, janë manipuluar nga të rinjtë socialistë. Vëzhguesit kanë deklaruar se, procesi i votimit në Fakultetin e Shkencave Politike është manipuluar. Isa Myzyri, vëzhgues nga radha e studentëve gjatë procesit të votimit, tha se ka pasur ndërhyrje nga strukturat politike, kryesisht nga Forumi Rinor i Partisë Socialiste, FRESSH-i. Sipas Myzyrit, në këto zgjedhje po bëhet manipulim.
“Disa të rinj të FRESSH u kanë bërë presion studentëve që të vtojnë për kandidatin e preferuar prej tyre. Njerëz të paautorizuar janë futur në qendrat e votimit dhe orientojnë studentët se për cilin kandidat duhet të votojnë. Nuk janë lejuar kamerat që të filmojnë. Situata ka qenë mjaft e tensionuar”, u shpreh një student.
Në zgjedhje merr pjesë i gjithë stafi akademik, i punësuar me kohë të plotë. Përjashtohen nga kjo e drejtë ata anëtarë të veçantë stafit akademik që, për shkak të moshës, nuk kanë të drejtë të zgjidhen, por vijojnë të jenë të punësuar për shkak të titujve shkencorë që mbajnë. Në zgjedhje marrin pjesë të gjithë studentët, e të gjitha cikleve të studimit, që studiojnë me kohë të plotë.

Manipulime edhe në Gjirokastër

Edhe në Gjirokastër janë manipuluar zgjedhjet për strukturat drejtuese të Universitetit “Eqerem Çabej”. Akuzat për presione dhe manipulim të procesit janë bërë nga pedagogët dhe studentët. Ndërsa kandidati për rektor, Kostaq Hila deklaroi se, studentët janë vënë nën presion nga kreu i qeverisë studentore për të votuar kandidatin tjetër Bektash Mema.
“Persona që nuk kanë asnjë lidhje me universitetin po bëjnë kërcënime të hapura ndaj trupës zgjedhore për të deformuar vullnetin zgjedhor. Një rol po luan edhe kreu i qeverisë studentore i cili ka kohë që edhe në FB në emër të qeverisë studentore ka dalë hapur me këtë qëndrim dhe sot po zhvillon këtë aktivitet që lidhet me këta persona”, u shpreh kandidati Kostaq Hila. Hila tha më tej se, ka njoftuar Policisë dhe Prokurorinë për manipulimet.
Edhe në Vlorë, procesi i votimit është zhvilluar nën presion. Një ditë më parë, një profesor deklaroi se deputeti i PS, Koço Kokëdhima ka ushtruar presion tek pedagogët që të votojnë kandidatin e preferuar prej tij.
Universitetet publike në vend zhvilluan zgjedhjet për drejtuesit e rinj, të cilët përfshijnë 14 rektorë, 55 dekanë dhe 155 shefa departamentesh. Në mjaft Universitete zgjedhjet u zhvilluan në presion nga të rinjtë socialistë dhe mbështetës të kandiatëve të majtë.
Gara më e ashpër ishte në Universitetin e Tiranës. Kjo për shkak se njëri nga kandidatët për Rektor, Mynyr Koni u kërcënua të tërhiqte kandidaturën e tij. Votimit i janë nënshtruar stafet akademike dhe studentët. Nuk kanë munguar edhe protestat dhe bojkoti i një pjese të studentëve. Ata thanë se nuk përfaqësohen në këtë proces për shkak të peshës 10% të votës së tyre në këto zgjedhje.

R.POLISI

Artikulli paraprakDrogë vietnameze që rritet për 45 ditë, plantacione në gjithë vendin
Artikulli tjetërFaqja e parë