Uragan popullor drejt Tiranës, qytetarët nuk tremben nga postoblloqet dhe presioni i policisë

Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm drejt Tiranës janë nisur mijëra qytetarë për protestën e opozitës që do të mbahet përpara Parlamentit.
Në shumë prej qarqeve të vendit numrat janë të njëjtë me ata që ishin të pranishëm në protestën e 16 Shkurtit, edhe pse sipas drejtuesve të PD-së mbi qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve të transportit ka pasur presione. Ky ka qenë denoncimi i bërë nga kreu i PD-së në Shkodër, Xhevdet Amuli.
“Pavarësisht se shumë prej autobusave kanë pasur presione nga policia, pjesëmarrja e sotme është edhe më e madhe se ajo e 16 Shkurtit. Ne kërkojmë rrëzimin e kësaj qeverie, që nuk ka ardhur në pushtet me votat e popullit”, është shprehur Amuli.
Të njëjtin shqetësim ngre dhe kreu i PD-së në Elbasan Eugen Isaj, i cili bën me dije per Fax Neës se kanë probleme me mjetet e transportit pasi një pjesë të shoferave që transportuan protestuesit herën e kaluar u janë kërkuar dokumentat ne polici. Nisja do të kryhet në pika të ndryshme të Elbasanit dhe një pjesë e madhe do të transportohen me makina private.
Ndërkohë që nisje të qytetarëve ka pasur dhe nga Lezha, Dibra, Kukësi, Fieri, Berati, Gjirokastra, Korça dhe qytete të tjera të vendit. Ndërkohë që nuk kanë munguar as kontrollet e shumta të policisë, të cilët kanë ngritur disa pika kontrolli në hyrjet dhe daljet e qyteteve.

Protesta e sotme ishte parashikuar të niste në orën 10:00, njësoj si me seancën plenare e cila u anullua nga ana e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi. Sipas tij anullimi bëhej për të shmangur çdo dhunim të institucionit të parlamentit nga ana e protestuesve.
Nga Shkodra, kryetari i PD-së, Xhevdet Amulli tha se, PD prej më shumë se dy vitesh i ka bërë apel PS me kryeministrin Rama në krye të ndërrojë kurs.
“Ka ardhur në pushtet me votat e vjedhura, po vjedh çdo ditë çdo gjë të këtij vendi. Protestat nuk do të ndalen deri në rrëzimin e kësaj qeveri. Edhe sot do të marrin pjesë protestues nga e gjithë Shqipëria nga jugu në veri. Sot do të vërshojnë nga Shkodra mbi 5 persona me autobusa dhe mjete megjithëse autobusëve u është bërë presion duke u marrë patentat shoferëve, duke u bllokuar letrat dhe duke i gjobitur. Protestën popullore nuk mund ta ndalojnë me presione sepse kjo qeveri është në grahmat e fundit, u shpreh Amulli.
Ndërkohë një postobllok policie është vendosur në kufirin mes Shkodrës dhe Lezhës.
Edhe nga Lezha qindra qytetarë janë nisur me autobusë dhe mjete.

Exit mobile version