Uran Kostreci, t’i këndosh lirisë duke rrëfyer

Nga Agim Baçi

Politologu dhe filozofi francez, Chanta Millon –Delsol, përmes një pyetjeje në librin e tij “Idetë politike në shekullin e XX-të” shtronte një nga çështjet që ne si shoqëri nuk kemi guxuar t’i japim një përgjigje të drejtpërdrejtë: “Cila ishte ajo forcë që bëri bashkë inteligjencën e vendeve ish- komuniste, madje edhe elitën në mjaft shtete perëndimore, për të mbështetur apo simpatizuar regjimet totalitare, kriminale, që shfarosën miliona të pafajshëm?”
Në fakt, jo vetëm politologu Millon-Delsol, por edhe sociologu Zygmunt Bauman, poeti dhe filozofi Çesllav Milosh, apo kriminologu i madh norvegjez, Nils Christie, kanë ngritur si alarm për shoqëritë postkomuniste pikërisht rutinizmin e së keqes, burokratizimin e krimit dhe sidomos neutralizimin e qëndrimeve etike të shoqërisë ndaj së keqes. Eshtë pikërisht kjo e fundit që rrezikon çdo shoqëri, sidomos shoqëritë që nuk kanë guxuar të lexojnë të shkuarën kriminale si një e keqe që fle mes nesh edhe kur ke arritur ta lexosh mirë atë.
Pas bishtinimit për pyetjet thelbësore ndaj së keqes dhe mbështetjes nga një pjesë jo e vogë e shoqërisë, fatkeqësisht ne mund të rrezikojmë ta rishkruajmë historinë pa shumë nga dëshmitarët e së shkuarës, gjë që mund të humanizojnë dhe relativizojë të keqen, duke e lexuar si normale atë që ka ndodhur me gjyshërit dhe prindërit tanë. Kjo tendencë lidhur me relativizimin e së keqes nga ata që mbrojnë filozofinë e së shkuarës, nuk ka qëllim vetëm që të rishkruajë vetëm të shkuarën, por edhe të kërkojë të kontrollojë të ardhmen sipas të njëjtës ideologji. Dhe kjo është pasoja kur ne rrezikojmë të kalojmë të shkuarën me “krimet e askujt”, duke mbetur e vetmja shoqëri postkomuniste që nuk kemi të penduar, e, për pasojë, nuk mund të kemi as ata që mund të falnin.
Por, a do vijojmë ta shohim të shkuarën tonë nën diktaturë vetëm si fragment, si një lajthitje çasti që mbetet vetëm në një pjesë të historisë sonë, apo si diçka që ka vijuar të na ndikojë në përditshmërinë tonë edhe sot?
Sociologët që janë marrë me studimet e krimeve, duke iu referuar nazizmit, fashizmit, e sidomos regjimeve totalitare që shfarosën miliona qytetarë, kryesisht të pafajshëm, shprehen se, nëse nuk e shohim atë të shkuar kriminale si një tentative e përhershme të së keqes, si në tentativë për të përmbysur vlerat shoqërore, atëherë do të jemi nën rrezikun e asaj të keqeje vazhdimisht. E për aq kohë sa nuk e mendojmë si realitet i së shkuarës sonë, nuk do të mundet dot ta zbojmë nga jetët tona, por thjesht do të shtojmë nihilizmin tonë ndaj asaj të shkuare, e cila tashmë është rikthyer thuajse fitimtare.
***
Në këto 34 vite ne vite kemi patur njerëz që i kanë thënë të vërtetat me zë të lartë. Uran Kostreci, që u nda nga kjo jetë 3 vite më parë (12 Korrik 2021), ishte një nga ata guxoi, jetoi dhe i tha të vërtetat. Ai, si shumë bashkëvuajtës të tjerë, jetoi pa pasur nevojë ta shihnim si hero. I kishte thënë brenda burgjeve të vërtetat, i tha dhe në Liri, duke kërkuar që ne mos të harronim të rrëfenim të vërtetat e së shkuarës me zë të lartë. Si Kostreci janë edhe dhjetra të tjerë, të cilve ISKK u ka marrë dhe botuar dëshmitë, duke i analizuar e rrëfyer në shkolla e media, si pjesë e një amaneti.
Rëfimet e Kostrecit, At Zef Pllumit, Lekë Previzit, Lekë Tasit, Ejll Çobës, Tanush Kasos, Bedri Blloshmit, Sami Repishtit që kanë dëshmuar për mizoritë që kanë pësuar nga Edmond Caja, Kristo Vangjeli, Rrapo Dhimo, Maringlen Rrapi, Thoma Jano, Mark Pëllumbi, Shyqyri Çokun, e shumë të tjerëve, të cilët më shumë se ligji tregonin zellin e tyre torturues, janë dëshmi që tregojnë më shumë se sa dhejtra libra historie.
Dëshmitë e tyre duhet të jenë udhëzuesi ynë moral që zëri i tyre, e vërteta e tyre të mos mbulohet e mos të vijojmë të jetojmë me gënjeshtrën trinzare të “krimeve të askujt”. Të paktën, Uran Kostreci dinte t’i këndonte Lirisë duke rrëfyer.

Exit mobile version