Nga Erjola Azizolli
Elvira Bollobani veçon Urën e Bovës në fshatin Roshnik të qarkut të Beratit, ku dominojnë urat mesjetare dhe ato të ndërtuara dekadat e fundit. Për të nuk ka rëndësi vjetërsia e urës, por kujtimet të cilat ato mbartin për komunitetin që kalon çdo ditë mbi to për të lehtësuar proceset e ndryshme jetësore.
“Është ndërtuar kur u bë rruga e Roshnikut para ’90-ës. Në vitin 2013-2014 u ndërtua përsëri se u shtrua rruga,” shpjegoi gruaja për historinë e urës, duke shtuar se struktura e saj ishte prej betoni dhe se ruhej në gjendje të mirë.
Anekënd Shqipërisë gjenden me qindra ura dhe rrënoja të tyre, por një pjesë e vogël janë të shpallura si monumente të trashëgimisë kulturore. Komunitetet lokale kanë një lidhje të fortë me urat, jo vetëm për faktin se u mundësojnë atyre lëvizjen dhe komunikimin, por edhe për kujtimet e ndërtuara rreth tyre.
Përmes një pyetësori të publikuar në platformën ECR dhe komunikimit në rrjetet sociale, media Amfora mblodhi përshtypjet e dhjetra banorëve për urat e vendlindjes së tyre, si edhe të dhëna për gjendjen aktuale.
Qytetarët që morën pjesë në anketim veçuan Urën e Tabakëve në Tiranë, Urën e Vashës në Mat, urat e Bovës, Goricës dhe atë të fshatit Lugas në Berat, Urën e Dragotit në Gjirokastër, Urën e Bunës dhe të Mesit në Shkodër, si edhe Urën e Sulë Golemit në Shijak, pjesa më e madhe e të cilave janë monumente kulture.
Pavarësisht nëse shërbejnë për kalimin e mjeteve motorike apo të këmbësorëve, në shumë qytete dhe në zonat rurale ato janë thelbësore kalimin e lumenjve, duke u bërë pjesë e rutinës së përditshme.
Shumica e atyre që raportuan i ndanin kujtimet e tyre me urat të lidhura kryesisht me fëmijërinë, ndërsa u përgjysmuan kur u pyetën nëse e njihnin historinë e tyre. E vjetër apo e re, një urë shërben si mjet komunikimi duke lehtësuar jo vetëm kalimin, por edhe zhvillimin e tregtisë, arsimimin dhe vetë zhvillimin e jetës urbane apo rurale.
Në faqen e Amforës në “Facebook” komentuan 21 persona të tjerë, duke renditur gjithashtu urën e Mbostartit, të Mifolit, të Zogut mbi Lumin Mat, Urën e Bunës, Velabishtit, Rodenjit, Ura e Beçishtit ose Ura e Ali Pashës në Tepelenë, urat përgjatë Rrugës së Arbërit, deri në Çamëri, ku gjendet ura e Artës.
“Ura në Bushtricë u ndërtua dhe përdorej kur kishte hekurudhë Elbasan-Prrenjas, ura më e lartë në vendin tonë. Ura e Pishkashit, po në këtë hekurudhë që sot nuk përdoren,” komentoi një tjetër qytetare.
Interesi i shqiptarëve për urat nuk lidhet vetëm me ato monument kulture apo hekurudhore, por edhe me ndërtimet inxhinierike që janë kthyer në toponimi, siç raportuan për “Urën e Dajlanit” në Durrës dhe për “Urën e Shijakut”, pranë hyrjes së qytetit mbi Lumin Erzen.
Por ka qytetarë që shprehen të keqardhur për urat e kthyera në rrënjoja, të tilla si Ura e Hasan Beut në Dimal, e cila është zëvendësuar me një urë të re.
Në vendin tonë shumë prej urave trashëgohen që nga periudha e mesjetës dhe kanë mbërritur në ditët e sotme të ruajtura në gjendje të mirë në pjesën më të madhe të tyre, ndërsa të tjera kanë nevojë për restaurim.
Nga 10 persona që raportuan për urat në faqen e Amforës, 4 e përcaktuan gjendjen si “të mirë”, 3 si “shumë të mirë”, 2 e përcaktuan si “të pranueshme” dhe në 1 rast u raportua “gjendje e keqe”.
Megjithatë një pjesë e tyre po përballen me vështirësi të shumta përballë ndikimit të kushteve atmosferike. Ura e Bahçallëkut në Shkodër humbi një pjesë të saj në nëntor të vitit 2022 pas vërshimit të lumenjve dhe rrezikon ekzistencën e saj pasi humbi 60 metra nga struktura. Por 2 vite nga ngjarja nuk ka më asnjë shpresë për shpëtimin e saj, në mungesë të projekteve dhe masave parandaluese.
“Ura e Zogut” konsiderohet kryevepër e inxhinierisë civile e fillimit të shekullit 20 në Ballkan dhe u ndërtua në vitin 1927 në veri të Shqipërisë, për lidhur dy anët e Lumit Mat përmes arkitekturës fine me harqe çeliku. Ajo u përball me degradimin e gjendjes së saj dhe vetëm kohët e fundit pas një advokimi të gjatë të aktivistëve, nisi puna për restaurimin e saj./Amorfa.al