Urdhër policëve: Plotësoni formularët për votat e PS!

Policia e Shtetit ka nisur fushatën tek punonjësit e policisë që të plotësojnë formularët për të siguruar votat tek njerëzit e afërm për PS-në. Denoncimi është bërë nga një oficer policie, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Oficeri shkruan se drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve ka detyruar oficerët të firmosin formularë për zgjedhjem duke shkruar emrat dhe numrat e celularëve të çdo personi të familjes dhe të njohurve si dhe numrin e votave që do të sigurojnë për Partinë Socialistë.
“Në Narko-Republikën e Shqipërisë, Noriega do me çdo kusht votat! Oficeri dixhital i policisë denoncon drejtorin e Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Besnik Bregum që detyron efektivin e tij që të plotësojnë formularë për zgjedhjem duke shkruar emrat dhe celularët e gjithsecilit person të familjes dhe të njohur që do të votojë për PS!”, shkruan Berisha duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të policisë.
“Përshëndetje zoti Berisha. Unë që po të shkruaj jam një punonjës policie që punoj te Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve. Dua të denoncoj politizimin më të skajshëm të policisë që ka ndodhë deri më sot. Me porosi të drejtorit, z. Besnik Bregu na kanë detyruar të plotësojmë dhe firmosim formularë për zgjedhjet ku të shkruajmë numrin e votave që do të sigurojmë për zgjedhje ne si punonjës policie, përfshirë familjarët tonë, si dhe duke shkruar edhe numrat e celularit të gjithsecilit. Të lutem dua të jem anonim, sepse më heqin nga puna. Vetëm tek ti kam besim se mund t’i publikosh dhe t’i ndalosh këto skandale që nuk kanë ndodhur kurrë në Policinë e Shtetit”, shkruan oficeri i policisë.
Plani për vjedhjen e votave ka nisur që tani nga strukturat shtetërore, ndërsa Rama premton se nuk do të ketë blerje votash. Policia e Shtetit është garantuesja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por Rama e ka shndërruar atë në një vegël për të manipuluar zgjedhjet dhe për të vjedhur votat.
Edhe në zgjedhjet e parakohshme lokale në Dibër dhe Kolonjë, policia u përfshi në manipulimin e zgjedhjeve. Forcat e policisë në vend që të vendosnin rendin dhe sigurinë ditën e zgjedhjeve, ushtruan presion tek votuesit që të votojnë kandidatin e majtë. Në Dibër, policia bashkëpunoi me banditë dhe kriminelë, duke ushtruar presion tek zgjedhësit gjatë fushatës elektorale që të votonin për kandidatin e Partisë Socialiste.
Të njëjtat struktura të policisë kanë filluar që tani skemën e manipulimit të votave. Punonjësve të policisë u është dhënë urdhër që të plotësojnë formularët me të gjithë pjesëtarët e familjes që të votojnë për PS-në. Nëse ata nuk plotësojnë formularët, janë kërcënuar me pushim nga puna.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, Rama urdhëroi të gjitha drejtoritë që të urdhëronin punonjësit të plotësojnë formularët me njerëzit e familjes që të votojnë për kandidatët e PS. Në media u publikuan fakte tronditëse, ku drejtoritë si ajo e Arsimit, OSHEE, Shëndetësisë, e mjaft ndërmarrjeve të tjera, të cilët urdhëruan punonjësit të plotësojnë formularët e votimeve.
Megjithëse ky skandal u denoncua publikisht si në media edhe nga opozita, nuk u mor asnjë masë ndaj drejtorëve që urdhëruan tjetërsimin e votës së lirës. E njëjta skemë po ndiqet nga Rama edhe në zgjedhjet e tanishme, por tashmë janë në lojë edhe milionat e eurove të siguruara nga trafiku i drogës. Me Ramën Kryeministër nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj opozita kërkon largimin e tij dhe një qeveri teknike për zgjedhje të lira e të ndershme.

R.POLISI

Artikulli paraprakMeta dhe Rama thirren në Gjykatë për dosjen ‘Doshi’
Artikulli tjetërNarko-Republika do të shembet, çlirojmë Kavajën