Mungesa e barnave antivirale dhe vaksinave të gripit në këtë peiriudhë, ka përplasur institucionin e Agjencisë Kombëtare të Barnave me Urdhrin e Farmacistëve.
Gjatë një takimi më kreun e PD, Lulzim Bashën, Urdhri i Farmacistëve ngriti shqetësimin për mungesën e vaksinave të gripit, duke theksuar se 9500 vaksina antigrip janë pajisur me autorizim për tregun e hapur.
Pas kësaj deklarate ka ardhur edhe reagimi i AKBPM, të cilët hidhnin poshtë këtë deklaratë duke theksuar se është e pavërtetë dhe se deri më tani janë importuar rreth 34.500 mijë vaksina antigrip.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Urdhrit të Farmacistëve, të cilët i qendrojnë deklaratës së tyre, duke shtuar se janë të pavërteta shifrat që deklaron Agjencia dhe madje ato sfidojnë institucionin që t’ua tregoj popullatës se ku janë.
“Në përgjigje të reagimit të AKBPM, mbi takimin dhe temat e diskutuara me kryetarin e Partisë Demokratike, Z Lulzim Basha, sqarojmë si më poshtë:
Urdhri i Farmacistëve është ent publik i pavarur, qëllim dhe mision parësor ka shëndetin e popullatës.
Urdhri i Farmacistëve nuk i kërkon leje Agjencise dhe askujt për takimet dhe aktivitetet që zhvillon, Urdhri është i hapur dhe i gatshëm të takojë e të informoje mbi problematikat e sistemit farmaceutik, cdo institucion apo individë, qofshin këta edhe drejtues partish apo organizatash.
Koha ka treguar se Urdhri i Farmacistëve nuk përdoret dhe nuk bëhet fasadë e askujt.
Në lidhje me cështjen e vaksinave të gripit, Urdhri i qëndron deklaratës së bërë se vetëm 9500 vaksina janë pajisur me autorizim për tregun e hapur.
Të PAVËRTETA janë shifrat që Agjencia deklaron, jo vetëm se në të njëjtën deklaratë një herë thonë që deri tani janë importuar 34500 dhe një herë thonë që në shtator janë importuar 70000 vaksina, por se E VËRTETA ËSHTË SE NË TREG VAKSINA NUK KA.
Nëse ka, Agjencia të na tregoje ne dhe popullatës se ku janë.
Urdhri i Farmacistëve, është i gatshtshëm që të debatojë institucionisht dhe publikisht, kurdo dhe kudo, me AKBPM dhe me çdo institucion tjetër, mbi të gjitha cështjet që kanë të bëjnë me barnat dhe shërbinin farmaceutik”, shkruhet në deklartën e Urdhrit të Farmacistëve.