Presidenti në largim i SHBA-ve, Joe Biden ka nxjerrë një urdhër ekzekutiv për të sanksionuar zyrtarë apo ish zyrtarë që minojnë proceset demokratike në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në urdhrin e tij, Joe Biden shprehet se SHBA vendos sanksione ndaj gjithë personave përgjegjës ose që kanë marrë pjesë në veprime që kërcënojnë paqen, sigurinë, ose stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Por çfarë ka të re nga ky urdhër ekzekutiv dhe kush do preket nga Shqipëria?
Pjesë nga dokumenti
Çfarë ka të re?
Rregullorja e re shtonte se sanksionet zbatohen për këdo që Departamenti i Thesarit i SHBA-së, në konsultim me Departamentin e Shtetit, përcakton të jetë një drejtues, oficer ose anëtar i një njësie, duke përfshirë një ent qeveritar, i cili ka marrë pjesë ose ka tentuar të marrë pjesë në ndonjë prej aktivitetet e përcaktuara me rregulloren e mëparshme ose të cilave asetet dhe interesat në asete janë të bllokuara në përputhje me atë rregullore.
Gjithashtu, masat zbatohen për personat që ndihmuan, sponsorizuan ose ofruan mbështetje financiare, materiale ose teknologjike, ose mallra ose shërbime mbështetëse, për çdo person, të cilit i bllokohen asetet dhe interesat në asete në përputhje me atë rregullore.
Si dhe për ata që konstatohet se zotërojnë ose kontrollojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, çdo person të cilit i bllokohen pasuritë dhe interesat në pasuri në përputhje me rregulloren. Masat tani vlejnë edhe për bashkëshortët apo fëmijët e rritur të personave të cilëve u bllokohen pasuritë dhe interesat në pasuri në përputhje me rregulloren.