10.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

‘Urë lidhëse’ mes ministrisë së Mjedisit dhe biznesmenit në kërkim, si e punësoi Bllako ish-vartësin e tij te Zoto. Dëshmia e Bezhanit për komunikimet me email-in zyrtar

Një tjetër ish-zyrtar i Ministrisë së Mjedisit është përfshirë në hetimet e dosjes së SPAK për inceneratorin e Tiranës. Bëhet fjalë për Vladimir Bezhanin, për të cilin SPAK nuk ka ngritur asnjë akuzë, ndërsa sqaron se ka qenë ‘urë lidhëse’ për të siguruar nga Autoriteti Kontraktor dokumentacionin e kërkuar në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit, me qëllim vënien më pas të këtij dokumentacioni në dispozicion të Klodian Zoto, që ka shërbyer për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm dhe për t’u shpallur fitues shoqëria propozuese “Integrated Energy BV”.

Në dosje sqarohet se pas daljes në pension në vitin 2014, pasi Bezhani u caktua këshilltar i Jashtëm i Ministrisë së Mjedisit, ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Alqi Bllako, duke qenë se ish-zyrtari nuk merrte rrogë, e sugjeroi të punonte në shoqërinë e Zotos, person në kërkim.

“Shtetasi Vladimir Bezhani ka marrë përfitimin e parregullt në sajë të pagës së dhënë nga shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, në shumën prej 7,520,000 (shtatë milion e pesëqind e njëzet mijë) lekë. Rezulton se gjatë kohës që shtetasi Vladimir Bezhani ka shërbyer si Këshilltar i Jashtëm i Ministrit të Mjedisit në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit, ai ka shërbyer si “urë lidhëse” për të siguruar nga Autoriteti Kontraktor dokumentacionin e kërkuar në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit, me qëllim vënien më pas të këtij dokumentacioni në dispozicion të shtetasit Klodian Zoto, që ka shërbyer për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm dhe për t’u shpallur fitues shoqëria propozuese “Integrated Energy BV”.”, thuhej në sqarimin e djeshëm të SPAK. Ndërkohë, në dosje jepet dhe dëshmia e Bezhanit, në lidhje me shkëmbimin e email-eve me Zoton, ku e informonte për projektin në fjalë.

DËSHMIA

Vladimir Bezhani, ka deklaruar se në vitin 2014 ka qenë i punësuar pranë Ministrisë së Mjedisit, me pozicionin ‘Përgjegjës Sektorit të Menaxhimit të Mbetjeve”, me detyrë kryesisht në hartimin e politikave të menaxhimit të mbetjeve, si strategjia kombëtare e mjedisit, hartimin e legjislacionit në fushën e mbetjeve dhe ndjekjen e projekteve në fushën e mbetjeve të financuara nga buxheti i shtetit, ashtu edhe organizatat e huaja. Këtë detyrë e ka ushtruar deri në datën 07.11.2014, kohë, në të cilën ka dalë në pension.

Pas kësaj date, ai deklaron se ka punuar në sektorin privat, konkretisht specialist në shoqërinë ‘Integrate Technology Services’ sh.p.k, me pronar Klodian Zoton, me rrogë fikse neto 80 mijë lekë të reja, që kishte si detyrë për të zgjidhur problemet teknologjike. Pranë kësaj shoqërie ka punuar deri në fund të vitit 2021. Ai deklaron se nuk ka pasur ndonjë zyrë te kjo shoqëri, pasi për punën që bënte përfaqësuesit e shoqërisë ia dërgonin nëpërmjet email-it detyra dhe projektet që duhet të punonte dhe pasi ai i përfundonte detyrat, i dërgonte nëpërmjet email-it si dhe në rastet e nevojshme ka shkuar vetë në zyrat e shoqërisë. Bezhani deklaron se pranë shoqërisë ‘Integrated Technology Services’ Sh.p.k është marrë me këshillimin e publikuar për të sqaruar mbi ndikimin në mjedis që do të kishte teknologjinë e përdorur nga kjo shoqëri në mjedis. Ai deklaron se tek inceneratori i Tiranës ka dhënë informacion në lidhje me sasinë e mbetjeve të qarkut , strukturën e mbetjeve të qarkut që do të trajtohej në këto impiante si dhe për projektin e landifillit të cilin e krahasonte me standardet që ishin vendosur nga Këshilli i Ministrave dhe standardet europiane. Ai deklaron se këto informacion i kishte nga studime të mëparshme si JICA, studime të Bankës Botërore, studime nga KFË gjermane, informacione të cilat i ka aksesuar, nëpërmjet internetit, si dhe nga puna e mëparshme në Ministrinë e Mjedisit, ku kishte pasur si detyrë ndjekjen e këtyre projekteve.

Ai deklaron se teknologjia për incenerimin e mbetjeve në Inceneratorin e Tiranës, referuar projektit, ishte shumë e avancuar, por që nuk është realizuar deri më sot. Po ashti ai deklaron se në projektin e inceneratorit të Tiranës ka pasur një linjë riciklimi automatike që kushtonte rreth tre milionë euro, e cila nuk është vendosur, por në vend të kësaj linje është vendosur një linjë seleksionimi e zakonshme, që kushtonte më pak dhe që kërkonte seleksionimin manual, linjë e cila herë vendosej në punë dhe herë jo. Ai deklaron se ka qenë këshilltar i jashtëm i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për periudhën nga momenti që ka dalë në pension, në vitin 2014, deri në momentin që Koka është larguar nga detyra e ministrit. Ai deklaron se duke qenë se për shkak të formimit të tij, ishte e nevojshme konsulenca për Ministrinë e Mjedisit, ish-sekretari i Përgjithshëm i Mjedisit, Alqi Bllako, i ka sugjeruar që të ishte Këshilltar i jashtëm, por duke qenë se nuk do të paguhej nga Ministria e Mjedisit, Bllako i ka thënë që për të marrë pagën, do ta punësonte atë te shoqëria e Klodian Zotos. Bezhani deklaron se nga viti 2014 deri në 2017 nuk ka pasur një kontratë pune, ndërsa më vonë, pasi kishte përfunduar procedura e dhënies së inceneratorit, ai kishte lidhur një kontratë formale pune me shoqërinë e Zotos. Ai deklaron se gjatë kohës që ka punuar si këshilltar i jashtëm i Mjedisit, ka përdorur adresën e email-it zyrtar të Ministrisë së Mjedisit, të cilën e ka pasur në përdorim që nga viti 2011, deri në 2017. Mes të tjerash ai pohon se në këtë adresë ka pasur vetëm ai akses.

I pyetur në lidhje me komunikimet që ka pasur me Zoton, duke i siguruar atij dokumente dhe informacione të cilat kanë shërbyer si të dhëna që janë përdorur për hartimin e studimit të fizibilitetit, nga shoqëria propozuese e Zotos, ai deklaron se këto dokumente i ka siguruar nga puna e tij në Ministrinë e Mjedisit dhe ia ka vendosur në dispozicion Zotos, pasiu gjatë kohës që punonte si këshilltar i Jashtëm i Ministrisë, ka qenë i punësuar edhe në shoqërinë e biznesmenit. I pyetur konkretisht në lidhje me komunikimin elektronik me shtetasin Klodian Zoto, të datës 28.06.2016, Bezhani deklaron se email-in dhe shkresën që ka të bëjë me kthimin e përgjigjes pozitive, në drejtim të biznesmenit, përsa i përket propozimit të pakërkuar të ardhur nga Ministria e Mjedisit nga shoqëria propozuese, e ka konceptuar ai, pasi ka vënë në dijeni Kokën dhe Bllakon se duhej të kthenin përgjigje pozitive Zotos. Ai deklaron se e ka konceptuar këtë shkresë, por duke qenë se nuk kishte të drejtë nënshkrimi, kjo shkresë është nënshkruar nga ish-varësja e tij Ledjana Karalliu dhe më pas është nënshkruar sipas hierarkisë. I pyetur për komunikimet që kanë rezultuar me Zoton, në lidhje me sasitë e mjeteve të depozituara në landfillin e Sharrës gjatë 2015-ës, ai deklaron se ia ka nisur këto të dhëna biznesmenit, pasi i duheshin atij për të hartuar një studim fizibiliteti dhe sqaron se Zoto nuk kishte asnjë mundësi të hartonte një studim të tillë. Studimin për Zoton e ka hartuar një kompani tjetër italiane, që nuk ia kujton emrin ndërsa shton se biznesmeni e ka paraqitur në një moment tjetër këtë studim në Ministrinë e Mjedisit dhe jo në moketin kur është dorëzuar letra e interesit për propozimin e pakërkuar.

Artikulli paraprakCensi 2023 i popullsisë pritet të diktojë një organizim të ri të pushteteve
Artikulli tjetërAnëtari i kryesisë së PD, Kulluri: Kurba e Rithemelimit ka ardhur në rënie…